Ekonomi

Nga 1 janari, këmbimet valutore të raportohen çdo ditë në Bankën e Shqipërisë

5 Janar 2022, 06:10 Nga DOSJA
Nga 1 janari, këmbimet valutore  të raportohen çdo ditë

Që nga data 1 janar e këtij viti, ka hyrë në fuqi një udhëzim i Bankës së Shqipërisë që detyron të gjitha institucionet financiare të licencuara për veprimtarinë e kursit të këmbimit valutor të raportojnë veprime me bazë ditore.

Subjekt i udhëzimit janë bankat, pikat e këmbimit valutor dhe institucionet e tjera të financiare të licencuara për këtë aktivitet. Bankat duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe të huaj kundrejt lekut, përfshirë veprimet me arin, brenda orës 17.00 të ditës në të cilën është lidhur marrëveshja, duke specifikuar monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit. Veprimet e kryera pas kësaj ore dhe pozicioni valutor në çdo monedhë të huaj duhet të raportohen deri në orën 09.00 të ditës pasardhëse të punës.

Zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe të huaj kundrejt Lekut, brenda orës 12.00 të ditës pasardhëse të punës në të cilën është lidhur marrëveshja. Raportimi duhet të përmbajë monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit. Gjithashtu, zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka duhet të raportojnë me frekuencë javore pozicionin valutor në çdo monedhë të huaj, në ditën pasardhëse të punës për javën e mbyllur ditën e premte. Në këtë raportim duhet të përfshihen, të identifikuara më vete, edhe veprimet që mund të jenë kryer gjatë ditës së shtunë dhe të dielë.

Çdo veprim i kryer nga një nga subjektet e këtij udhëzimi me një klient që është person juridik ose person fizik tregtar dhe që është në vlerën minimalisht 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, duhet të raportohet duke specifikuar emrin e klientit, monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit.

Nëse shuma totale e veprimeve të kryera brenda një dite, nga një nga subjektet e këtij udhëzimi me një klient që është person juridik ose person fizik tregtar dhe që është në vlerën minimalisht 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, atëherë këto veprime duhet të raportohen individualisht, duke specifikuar emrin e klientit dhe kurset përkatëse.

Në rastin e veprimeve të këmbimeve valutore të kryera nga klientë që janë persona fizikë, subjektet e këtij udhëzimi duhet të raportojnë çdo veprim të kryer nga një klient i vetëm në vlerën minimalisht 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, por pa specifikuar emrin. Gjithashtu, ato duhet të raportojnë shumën totale të veprimeve të kryera brenda një dite me një klient, nëse është minimalisht 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, por pa specifikuar emrin. Të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të tjera, që janë nën vlerën minimalisht 50 mijë euro ose në ekuivalentin e kësaj shume, duhet të raportohen të agreguara si një shumë e vetme totale për secilën monedhë të huaj së bashku me kursin mesatar të ponderuar të këtyre veprimeve ndaj lekut.

Udhëzimi në fjalë do t’i ofrojë Bankës së Shqipërisë një informacion më të saktë dhe të përditësuar lidhur me volumet e këmbimit valutor që kryhen në tregun e brendshëm financiar.MONITOR

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

ekonomi kryesore ekonomi kembim kursi i këmbimit valute ekonomi kembim kursi i këmbimit valute

Sondazh

Poll