Ekonomi

Sektori bankar ngelet mjaft likuid, por ka diferenca të mëdha midis bankave

29 Dhjetor 2021, 06:24 Nga DOSJA
Sektori bankar ngelet mjaft likuid, por ka diferenca të mëdha midis

TIRANË – Treguesit e likuiditetit të sektorit bankar ngelen në nivele mjaft të larta edhe më zbehjen graduale të ndikimit të pandemisë në aktivitetin ekonomik dhe atë të sektorit financiar.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra në fund të muajit tetor u rrit në 46.8%, nga 46.5% që kishte qenë në shtator dhe 47.6% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një vitit më parë.

Ky është treguesi bazë rregullator i likuiditetit të bankave dhe niveli minimal i kërkuar nga Banka e Shqipërisë është 20%. Qëllimi i këtij pragu është që banka të disponojë në çdo kohë mjete të mjaftueshme likuide për t’iu përgjigjur tërheqjeve të mundshme të depozituesve. Si aktive likuide klasifikohen gjendja e arkës, llogaritë me Bankën e Shqipërisë, me institucionet e tjera financiare, dhe pjesa më e madhe e titujve të borxhit publik, që regjistrohen në bilanc si të tregtueshëm, ndërsa detyrime afatshkurtra janë ato me maturim deri në një vit.

Sektori bankar shqiptar është mjaft likuid sepse vetëm një pakicë e depozitave dhe detyrimeve të tjera janë dhënë kredi. Mbështetur në raportimet sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS), publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të tremujorit të tretë 2021 raporti mes kredive dhe depozitave për sistemin ishte 42.8%, nga 43.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ulja e këtij raporti ka ardhur për shkak të rritjes më të shpejtë të depozitave në krahasim me kredinë. Megjithatë, duhet thënë se ky raport ka ndryshime të mëdha mes bankave të ndryshme të sistemit. Bankat e mëdha, që kanë pjesë të lartë tregu në depozita, përgjithësisht e kanë këtë raport më të ulët. Banka Kombëtare Tregtare ka një raport mes kredive dhe depozitave në nivelin 25.6%, i ndjekur nga Intesa Sanpaolo me 30.7% dhe raiffeisen me 42.3%.

Bankat e tjera e kanë këtë raport më të lartë se mesatarja e sistemit. Raporti më i lartë mes kredive dhe depozitave është i ProCredit Bank, në nivelin 100%, i ndjekur nga Banka e Bashkuar e Shqipërisë me 69.3% dhe OTP Bank Albania me 67.9%.

Diferencat e mëdha mes bankave vijnë për shkak të qasjeve të ndryshme përkundrejt rrezikut. Bankat që kanë një bazë të gjerë klientele dhe një pjesë të madhe tregu në depozita arrijnë të sigurojnë kthime të kënaqshme edhe pa marrë përsipër shumë rrezik kredie, duke investuar kryesisht në instrumente borxhi me rrezik të ulët të qeverisë shqiptare.  Bankat e tjera që kanë ambicie për t’u rritur në treg janë më të orientuara drejt kredidhënies, që mund të sigurojë kthime më të larta, por sigurisht me rrezik më të lartë.

Raporti mes kredive dhe depozitave është një tregues i rëndësishëm, në këndvështrimin e monitorimit të rrezikut të likuiditetit, por edhe për sa i takon potencialeve të bankave për të rritur më tej kreditimin. Për një bankë që e ka raportin mes kredive dhe depozitave në kufirin e 70% rritja me ritme të larta bëhet e vështirë, pa arritur të zgjerojë bazën e depozitave ose të sigurojë burime alternative të financimit të aktivitetit ndërmjetësues.

Operacionet e shitblerjes së bankave në vitet e fundit mund të lexohen pjesërisht edhe në këndvështrimin e rritjes së depozitave dhe të uljes së raportit hua/depozita. Për shembull, me blerjen e Alpha Bank, Banka OTP Albania do të arrijë ta ulë ndjeshëm raportin kredi-depozita, në rreth 61%, nga pothuajse 68% që e ka aktualisht. (MONITOR)

(E.H/Dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

ekonomi ekonomi banka e shqipërisë sistemi bankar banka e shqipërisë sistemi bankar

Sondazh

Poll