Ekonomi

Biznesi i shëndetit, më fitimprurëset në pandemi ishin laboratorët

14 Nëntor 2021, 06:54 Nga DOSJA
Biznesi i shëndetit, më fitimprurëset në pandemi ishin

Me pasojat e pandemisë që filluan të ndiheshin në gjysmën e dytë të 2020-s, duke kulmuar në nëntor e dhjetor, shumë të prekur u detyruan të kuroheshin dhe testoheshin me shpenzimet e veta.

Një raport i publikuar nga shoqata “Together for Life” gjeti se, në vitin 2020 përfituan rimbursim vetëm 1,708 persona, për të cilët u shpenzuan 6.3 milionë lekë (51.3 mijë euro). Ndërsa gjatë periudhës janar-maj të vitit 2021, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor rimbursoi 5632 receta me diagnozën “COVID-19”, kundrejt një vlere prej 22.5 milionë lekësh (183 mijë euro).

Sipas fokus-grupeve të realizuara në kuadër të këtij raporti, trajtimet në shtëpi të të sëmurëve me gjendje të mesme COVID-19 arritën deri mbi 100,000 lekë (813 euro) për person.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për importet e medikamenteve tregojnë se shtesa e barnave të importuara në nëntor 2020 – prill 2021 është rreth 30 milionë euro (pa përfshirë importet e vaksinave), një pjesë e konsiderueshme e së cilës është paguar nga xhepi për kurimin e pasojave që la COVID-19 në shëndetin e popullatës. Për trajtimin e COVID-19, përshkrimin më të lartë nga mjekët e kanë pasur barnat antivirale, antibiotikët, kortizonikët, vitaminat, si dhe antikoagulantët.

“Viti 2020 ka qenë një sfidë për të gjithë industritë, përfshirë dhe sektorin mjekësor ku kompania jonë operon. Ndër sfidat kryesore mund të përmendim shtimin e papritur të kërkesës së produkteve specifike në diagnostikimin dhe trajtimin e COVID-19, për të cilat si prodhuesit, por edhe ne si distributor, nuk ishim të përgatitur për kërkesën ekstreme si në sasi, edhe në kohën për t’i përmbushur këto kërkesa”, thotë Elona Saraçi, administratore e “Evita”, sipërmarrje e cila vepron në tregun e produkteve farmaceutike e pajisjeve të laboratorëve.

Ajo shton se kërkesa për shërbimet e laboratorit ka qenë përtej së zakonshmes, veçanërisht për teste diagnostikuese për SARS‑CoV‑2, si dhe kite laboratorike për testet rutinë në ndjekjen e pacientëve të infektuar me COVID-19.

Të dhënat e analizuara nga bilancet tregojnë se kompanitë më fitimprurëse në sektorin e shëndetësisë në 2020-n ishin laboratorët mjekësorë, pas shpenzimeve të larta të qytetarëve për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes. “Intermedica center”, laboratori më i madh privat në vend trefishoi fitimet në 318 milionë lekë. Edhe norma e kthimit u dyfishua nga 15% në gati 32%.

“Genius Lab”, në vitin e plotë të dytë të aktivitetit, pesëfishoi xhiron, në 535 milionë lekë, gjysma e të cilave ishin fitim (norma 50.3%).

Shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, rriti të ardhurat me 72%, në 1.8 miliardë lekë në 2020-n, ndërsa fitimet u katërfishuan në 251 milionë lekë (normë 13.6%). Kompania furnizoi spitalet me oksigjen, por edhe klientët privatë që e morën këtë shërbim në shtëpi.

Pjesa më e madhe e depove të mëdha farmaceutike panë një shtim dyshifror të të ardhurave në 2020-n, por fitimet e tyre nuk u rritën me të njëjtat ritme. Kjo tendencë, sipas operatorëve, u ndikua nga shtimi i shpenzimeve të tjera të lidhura me mbarëvajtjen ditore të aktivitetit, për shkak të pandemisë. Për pjesën më të madhe të tregtuesve me shumicë të farmaceutikës, normat e fitimit u luhatën nga 4.7% në 7.2%, pa shumë ndryshime nga viti i mëparshëm.

Marrë nga Monitor.al

Cila mendoni se është alternativa më e mirë:

View Results

ekonomi ekonomi laboratoret pandemia e koronavirusit tirane laboratoret pandemia e koronavirusit tirane

Sondazh

Poll

Ekonomi 14 Nëntor 2021, 06:49

Lojërat e fatit ikën, rilindin kazinotë

Kompanitë e lojërave të fatit ishin historikisht ndër më fitimprurëset në vend, edhe për normë, edhe në vlerë. Por, pas një vendimi politik, nga 1 janari i viti...

Ekonomi 13 Nëntor 2021, 09:06

Biznesi i mirë i koncesioneve dhe ndërtimit

TIRANË- Koncesionet, të dhëna ndër vite, po rezultojnë biznesi më fitimprurës në ekonomi. Mungesa e “dhuruar” e konkurrencës u mundëson operatorëve të fiks...