Ekonomi

Interesi tavan për mikrokreditë, Banka e Shqipërisë pranon disa nga sugjerimet e institucioneve financiare

17 Qershor 2021, 05:12 Nga DOSJA
Interesi tavan për mikrokreditë, Banka e Shqipërisë pranon

Banka e Shqipërisë ka aplikuar disa ndryshime nga varianti i parë që kishte propozuar, në rregulloren që parashikon vendosjen e një norme efektive maksimale të interesit.

Porjekt-ndryshimet në rregullore reflektojnë kryesisht komentet dhe vërejtjet e paraqitura nga bankat dhe institucionet e tjera financiare.

Në thelb, koncepti i Normës Maksimale Efektive të Interesit (NEI maksimal) nuk ndryshon as në variantin e ri. Ky tregues do të llogaritet mesatare e normës efektive të interesit të aplikuar nga subjektet sipas llojit të kredisë konsumatore, në lekë, duke shtuar edhe një të tretën e saj.

Por, në variantin e rishikuar, Banka e Shqipërisë propozon që ky tregues të llogaritet me frekuencë gjashtëmujore dhe jo më tremujore, siç parashikohej në variantin e mëparshëm. Treguesi i llogaritur dhe i publikuar në fund të çdo gjashtëmujori do të jetë i vlefshëm për të gjitha kontratat e kredisë konsumatore që do të nënshkruhen në gjashtëmujorin në vijim.

Gjithashtu, një saktësim tjetër në rregullore është se NEI maksimal do të llogaritet vetëm për kreditë konsumatore në monedhën lekë, ndërsa kreditë në euro nuk do të jenë objekt i llogaritjes dhe publikimit të këtij treguesi. Në praktikë, kreditë konsumatore jepen në masën dërrmuese në monedhën vendase dhe Banka e Shqipërisë nuk e ka parë të arsyeshme në përfshijë edhe kreditë e dhëna në valuta të tjera.

Një rishikim tjetër i parashikuar është ndryshimi i datës së hyrjes së saj në fuqi. Në variantin fillestar, Banka e Shqipërisë parashikonte që dispozitat e reja të hynin në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. Në variantin e ri, propozohet që ndryshimet të hyjnë në fuqi duke filluar nga viti i ardhshëm, për t’iu dhënë kohë institucioneve financiare kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur me konceptet e reja të parashikuara në rregullore, sidomos për shkak të problemeve të lidhura me sistemet e teknologjisë së informacionit.

Ndryshimet e tjera nga varianti i parë janë kryesisht saktësime të koncepteve, sidomos në dispozitën e lidhur me vendosjen e një niveli tavan për penalitetet, një nga çështjet që kishte tërhequr më shumë komente, si nga bankat tregtare, ashtu edhe nga institucionet financiare jo banka. Banka e Shqipërisë i qëndron propozimit për vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa).

Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara.

MONITOR

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

ekonomi ekonomi banka e shqipërisë banka e shqipërisë

Sondazh

Poll