Ekonomi

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit për të gjashtin muaj radhazi në maj

7 Qershor 2021, 12:05 Nga DOSJA
Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit për të gjashtin muaj radhazi

TIRANË– Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit në maj për të gjashtin muaj radhazi, duke konfirmuar përmirësimin gradual të besimit të bizneseve dhe konsumatorëve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit me 3.3 pikë krahasuar me prillin dhe duke qëndruar mbi mesataren historike.

Përmirësimi i TNE-së në muajin maj reflektoi sidomos rritjen e fortë të besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Përmirësimi i besimit në shërbime me 5.6 pikë përqindje e zhvendosi këtë tregues mbi mesataren afatgjatë, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Në këtë përmirësim ndikuan vlerësimet pozitive të bizneseve, lidhur me ecurinë e biznesit dhe të kërkesës. Gjithashtu, bizneset janë optimiste lidhur me rritjen e kërkesës në të ardhmen.

Besimi në tregti regjistroi rritje të fortë me 8.8 pikë përqindje, i ndikuar kryesisht nga vlerësime pozitive të bizneseve për ecurinë e shitjeve.

Gjithashtu, bizneset janë më optimiste lidhur me të ardhmen e ecurisë së biznesit, të porosive të reja, por edhe të punësimit.

Treguesi i besimit të industrisë u përmirësua për të gjashtin muaj rresht, por në përmasa më të uëlta krahasuar me tregtinë dhe shërbimet, me 0.3 pikë përqindje. Rritja në muajin maj u ndikua nga vlerësimet optimiste të bizneseve për nivelin e prodhimit. Dy komponentët e tjerë, vlerësimi i bizneseve për kontratat porositëse në përgjithësi dhe ato nga eksportet pësuan rënie, por megjithatë bizneset u shprehën optimiste për rritjen e prodhimit dhe gjendjes së punësimit në të ardhmen.

Besimi në ndërtim shënoi rënie të lehtë në muajin maj, me një pikë përqindje, por kjo erdhi pas rritjes së konsiderueshme me 10.9 pikë një muaj më parë. Duke filluar nga muaji janar 2021, niveli i besimit në këtë sektor qëndron dukshëm mbi mesataren afatgjatë.

Në formimin e treguesit të besimit, këtë muaj, ndikoi pozitivisht vlerësimi optimist i bizneseve lidhur me aktivitetin ndërtues, ndërsa niveli aktual i kontratave porositëse u vlerësua më pak pozitivisht. Pritjet për nivelin e punësimit dhe niveli i çmimeve u vlerësuan në rënie për muajin maj.

Besimi konsumator u rrit në muajin maj me 2.6 pikë përqindje, i ndikuar nga pritjet më të mira për situatën e përgjithshme ekonomike, pritjet për situatën e tyre financiare në të ardhmen, vlerësimin për blerjet në shuma të mëdha, si dhe pritjet për to.

Pavarësisht prirjes rritëse, niveli i treguesit të besimit vijon të qëndrojë nën mesataren afatgjatë që prej fundit të vitit 2019.

Prej këtij muaji, Banka e Shqipërisë ka nisur publikimin e treguesit të ndjesisë ekonomike me bazë mujore, ndërsa më parë rezultatet e anketimit publikoheshin çdo tre muaj.

Marrë nga Monitor.al

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

ekonomi ekonomi banka e shiperise treguesi i ndjesisë ekonomike banka e shiperise treguesi i ndjesisë ekonomike

Sondazh

Poll