Ekonomi

Akses i lehtë e pa konsultë mjeku, antibiotikë pa kriter për COVID-19

2 Mars 2021, 16:00 Nga DOSJA
Akses i lehtë e pa konsultë mjeku, antibiotikë pa kriter për

TIRANË– Ekspertët e shëndetit publik ngrejnë alarmin se antibiotikët po përdoren pa kriter për trajtimin e COVID-19, duke bërë jo vetëm që infeksioni të trajtohet gabim, por duke lënë edhe pasoja në shëndet për të ardhmen.

“Ajo që vemë re shpesh herë është se, që në ditën e parë kur pacienti identifikohet me COVID-19, shkon dhe merr antibiotikë. Kjo është krejtësisht e kundërindikuar,”- thotë Gentjana Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit në Institutin e Shëndetit Publik. E njëjta situatë u pohua edhe nga rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata gjatë një samiti të zhvilluar me mjekët e diasporës.

Me siguri në Shqipëri ka një tepri të përdorimit të antibiotikëve në trajtimin e pacientëve COVID që në fazat e para,”- tha Gjata.

Qirjako shpjegon se “antibiotikët janë preparate mjekësore që përdoren për të luftuar bakteret dhe jo viruset, sikurse është SarsCov2”.

“Duhet të bëjmë një dallim shumë të rëndësishëm: Antibiotikët luftojnë bakteret, nuk mjekojnë dot viruset dhe kjo është arsyeja që në raste të zakonshme gripi, mjeku nuk përshkruan asnjëherë antibiotikë sepse ai nuk ka efekt,”-shpjegon Qirjako.

Këto preparate mjekësore po merren me pretekstin e fillimit të një temperature. Çdo infeksion, qoftë bakterial, qoftë viral shoqërohet me shenja të ngjashme dhe temperatura është shenjë e ngjashme, por nuk rekomandohet asnjëherë përdorimi i antibiotikëve, sidomos pa qenë të sigurt nëse është një infeksion viral apo bakterial,”– shton ajo. Mjekja e familjes, Vlera Lekaj shpjegon se në rastin e COVID-19, “përdorimi i antibiotikëve sugjerohet vetëm në rast mbivendosje të një infeksioni bakterial, por kjo gjykuar nga klinika e pacientit si dhe nga të dhënat imazherike dhe laboratorike”.

Sipas kryetares së Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, Aurora Dollenberg “kemi patur shumë raste që kanë shkuar keq nga ecuria e sëmundjes e në shumë raste janë shkaktuar nga efekte anësore në trupin e pacientit, duke marrë antibiotikë, që në fazën e parë ishin të panevojshëm”.

Ishin jo vetëm shumë të shtrenjtë, por mbi të gjitha ishin të dëmshëm. Në këtë mënyrë, pacienti ka vuajtur më tepër nga dëmtime të mëlçisë, dëmtime të veshkave apo efekte të tjera anësore sesa sëmundja bazë që ishte COVID-i”,-tha Dollenberg gjatë samitit me mjekët e diasporës. “Nëse nuk do të kishin marrë shumë medikamente, që kanë boshatisur xhepat e shqiptarëve do të ishin mbase edhe shumë më të shëndetshëm dhe nga ana shpirtërore, mbase edhe më të qetë që patën një sistem të mirë imunitar dhe përballuan COVID-n, pa ndonjë mjekim të fortë, por vetëm me atë simptomatik,”- shtoi ajo.

Ekspertët rendisin disa faktorë, që po ndikojnë në këtë drejtim, ku fillimisht është shpërndarja e recetave nga një pacient te tjetri, pa u konsultuar aspak me mjekun. “Ndonjëherë është edhe pjesë e mentalitetit, ndaj është rëndësishme, që nëpërmjet edukimit, nëpërmjet fakteve, gjërat të jenë më të qarta për të gjithë: që nuk është se dhënia e antibiotikëve që në fazat e para të sëmundjes përmirëson situatën e pacientit apo jep rezultat më të mirë”,-deklaroi Gjata. Ndërkohë, Qirjako e lidh këtë situatë edhe me faktin që këto medikamente, blihen lehtësisht në farmaci, ndonëse ato nuk mund të shiten pa recetën e mjekut. “Shpesh herë njerëzit nga frika marrin antibiotikë, lidhur kjo shpeshherë edhe me aksesin e lehtë që kanë ndaj antibiotikëve, pa përshkrimin e mjekut,”- thotë ajo.

Efekte negative në shëndet

Ekspertët argumentojnë se një nga pasojat kryesore që shkaktohet në shëndet nga marrja pa kriter e antibiotikëve është antibiotiko-rezistenca.

Kjo do të thotë që, kur ti je i sëmurë dhe ke nevojë për antibiotik, që në kushtet e zakonshme bën efekt, në këtë rast ai nuk bën efekt dhe kjo si pasojë e rezistencës që ka krijuar ky mikrob nga ai antibiotik, kur ai është përdorur pa kriter,”-thotë Qirjako. Ndërkohë që, mjekja e familjes Vlera Lekaj rendit edhe një sërë rreziqesh dhe efektesh anësore në organizëm. “Ekziston rreziku i reaksioneve alergjike që nga shfaqjet në lëkurë e deri në rastet më të rënda në shok anafilaktik. Ndërsa tek efektet anësore më të zakonshme kemi të vjella, diarre një çrregullim te traktit tretës, i cili jep lodhje dhe dobësi trupore, e deri në mosfunksionim të veshkës e të mëlçisë”,-thotë mjekja e familjes.

Qirjako thotë se përdorimi pa kriter i antibiotikëve “ka rritur numrin e infeksioneve, të cilat më parë trajtoheshin shumë lehtë me antibiotik, por sot nuk trajtohen më sepse është rritur numri i atyre që janë rezistentë ndaj antibiotikëve më të zakonshëm.

“Kjo ka çuar edhe në një fenomen tjetër, që tani shumica e njerëzve preferojnë antibiotikun më të fortë, por në fakt nuk e kuptojnë që duke kaluar shkallët e lehta, nuk kanë shanse për trajtime nga antibiotikë kur të kenë nevojë për antibiotikë të fortë”,-thotë ajo.

KËSHILLAT

Të gjithë ekspertët bien dakord, që trajtimi për COVID-19 duhet të jetë individual.

“Nuk mund të nxjerrim një skemë të përgjithshme që mund të funksionojë për çdo pacient, por secili prej tyre duhet të shikohet individualisht sipas moshës që ka pacienti, sipas sëmundjeve shoqëruese sipas faktorëve rrezikues që ka e më pas sipas shqetësimeve që ka do i përshtatesh pacientit,”- deklaroi Dollenberg gjatë samitit me mjekët e diasporës.

Por, pavarësisht këtij idividualizimi, doli nevoja, jo vetëm për vendet evropiane, por edhe për Shqipërinë që të kishte një linjë të përgjithshme orientimi, që është e miratuar edhe nga OBSH-ja, për trajtimin e pacientëve në faza ambulatore.

“Në fazën ambulatore ne ramë dakord si mjekë, që duhet të fokusohemi te trajtimi simptomatik, ku përfshihen 95% e pacientëve, të cilët kanë vetëm simptoma të lehta të sëmundjes dhe si rrjedhojë nuk duhet ta ngarkojmë pacientin me medikamente të panevojshme, por nëse ka temperature duhet t’i japim vetëm paracetamol, që është zgjedhja e parë për temperaturën, dhimbje apo gjendjen e përgjithshme të pacientit,”- tha Dollenberg.

“Trajtimi simptomatik për mjekët ambulatorë, por edhe për mjekët e tjerë specialistë që punojnë në poliklinika fokusohet edhe në një terapi të mbështetjes së sistemit imunitar: mund të jetë një kompleks vitaminash, vitamina D, C apo edhe Magnezi. Po ashtu,sikurse në çdo infeksion viral, dhënia e 3 litra lëngje në ditë ka rol prioritar,”-shtoi ajo.

Nisur nga kjo situatë, ekspertët thonë se është domosdoshmëri konsultimi me mjekun.

“Ju lutem, mos shkoni te mjeku me këmbënguljen e fortë: dua antibiotik apo dua antiviralin sa më të shtrenjtë. Ju duhet t’i përmbaheni asaj këshille që iu jepet dhe jo t’i kërkoni mjekut të familjes mjekime që nuk janë të parashikuar për një formë të lehtë apo mesatre të COVID,”- tha Dollenberg.

Në të njëjtën linjë janë edhe Qirjako e Lekaj.

“Ju lutemi shumë të gjithëve të mos përdorin antibiotikë me kokën e tyre. Rekomandimi kryesor që jepet për përdorimin e antibiotikëve është përshkrimi nga mjeku,”- thonë njëzëri ato.

Dosja.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

sociale sociale antibiotiket per covid 19 arben gjata aurora dollenberg gentjana qirjako vlera lekaj antibiotiket per covid 19 arben gjata aurora dollenberg gentjana qirjako vlera lekaj

Sondazh

Poll