Sport

ZYRTARE: Finalja e Conference League në Shqipëri, “Air Albania Stadium” gati

Për herë të parë në histori, Tirana futet në axhendën sportive të UEFA-s për të zhvilluar finalen e një eventi të nivelit më të lartë europian, atë të Conference League...
Featured image of article: ZYRTARE: Finalja e Conference League në Shqipëri, “Air Albania Stadium” gati
Përditësuar:

TIRANE – Finalja e Conference League do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”. Kompeticioni më i ri i UEFA-s, që merr udhë sezonin e ardhshëm, është i treti për nga rëndësia, pas Champions League dhe Europa League. Ky vendim historik për vendin tonë u mor sot nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, pjesë e të cilit është edhe Armand Duka, kreu i FSHF-së.
“FSHF sjell në Shqipëri një finale të madhe europiane! “Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022! Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë!

Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në vitin 2022! Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.
Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën. Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.

Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar. Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera në mbledhjen e zhvilluar sot në lidhje me finalet e kompeticioneve të UEFA-s”, shkruhet në njoftimin e bërë nga FSHF në rrjetet sociale.
B.T (Dosja.al)

Shto Koment