PolitikeVirale

Zv.ministret që rrezikojnë fronin e Gent Cakajt, gafat epike brenda 24 orëve të zyrtarëve të qeverisë

Gafat e 24 orëve në qeverinë Rama. Dy zv.ministre dhe ministri Bledi Cuci, kanë kënaqur të madh e të vogël me një sërë perlash humoristike, naive, dhe që rrezikojnë t'i marrin Gent Cakajt fronin e mbretit të gafave.
Featured image of article: Zv.ministret që rrezikojnë fronin e Gent Cakajt, gafat epike brenda 24 orëve të zyrtarëve të qeverisë Lorena Haxhiu, Gent Cakaj dhe Ermira Gjeçi

Në ansamblin e personazheve surprizë të mbledhur në Qeverinë Rama, disa elementë kanë filluar të nxjerrin në pah aftësitë e tyre.

Sigurisht që Gent Cakaj nuk mund të arrihet tashmë me hitet nëpër rrjete, por nuk kanë mbetur mbrapa as ministrat dhe zëvendësmintrat e tjerë.

Duke qenë edhe ministër edhe zëvendësministër, Cakaj konkurron në të dyja kategoritë dhe ia ka dalë të jetë i pari.

Gafat e tij i kanë dhënë edhe në Google famën që nuk do të mund t’ja jepte asnjë detyrë shtetërore. Mjafton t’i shkruash emrin dhe motorët e kërkimit të ofrojnë humorin e pafund që zv/ministri e ka ofruar pa kursim.

Në këtë shkëlqim të pankonkurrueshëm, dje Cakaj ka njohur dy konkurrente të denja.

E para është zëvendësministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu.

Vetëm me një fjali, na ka treguar se harmonia mes traditës dhe modernes mund të lulëzojë me një prekje fare të lehtë.

Për të gjithë ata, fëmijë dhe të rritur, nga 5 deri 105 vjeç që deri dje e kanë marrë gratis dhe e kanë përdorur deri në mërzi, shprehjen e vjetër popullore “Çfarë të mbjellësh do të korrësh”, dje ishte një ditë e lumtur.

Lorena e theu tabunë tradiconale, e përshtati, e modernizoi, pa i prekur ansjë fjalë. Ishte një ndërhyrje kirurgjikale që preku vetëm sintaksën pa dëmtuar asnjë gjymtyrë të fjalisë, një ndërhyrje e ngjashme me restaurimet e kalldrëmit të Gjirokastrës, Amfiteatrit të Butrintit, apo Kalasë së Lezhës.

“Çfarë të korrësh do të mbjellësh”, tha zëvendësministrja për t’i lënë gojëhapur, jo vetëm ata që patën fatin ta merrnin live këshillën e vyer që deri dje nuk ishte kujtuar njeri t’ua jepte, por edhe ata që e shohin dhe e rishohin si video për ta ndarë më pas me miqtë.

Imagjinoni nëse fermerët, sidomos ata të hashashit do ta ndiqnin këtë këshillë, sa do ishte rritur prodhimi, eksportet, të ardhurat.

Por, për fat të keq, Lorena nuk është tek Bujqësia.

Jo se tek Ministria e Bujqësisë nuk ka yje të komedisë, ose më mirë të gallatës.

Ja, Ministri i Bujqësisë, vetëm dje deklaroi se vaji i palmës është i shëndetshëm, por, ndërsa kjo perlë e tij po ngjitej me shpejtësi në klasifikimin e gafave, zëvendësja e Çuçit, Ermira Gjeçi këputi një perlë të pakrahasueshme, që e nxori fare nga konkurimi shefin.

“Nëse përdorim allçi në djath, atëherë djathi nuk do të pritej dot. Është ndryshe niseshte dhe ndryshe allçi”, tha ajo tek Top Show, për të lënë pa fjalë të gjithë specialistët.

Ata, me naivitet absolut, kërkonin laboratorë për të kontrolluar përbërësit e ushqimeve, për mishin, për djathin, për vajin për perimet.

Askujt nuk i shkoi ndërmend që gjërat janë fare të thjeshta, nuk na duhen laboratorët, mjafton një thikë për të kuptuar.

Ky mesazh nuk vlen vetëm për specialistët, pro për gjithë konsumatorët. Merrni një thikë, provoni të prisni djathin.

Nëse arrin ta presë thika, ose nuk ka fare allçi, ose është në një masë të vogël fare, aq sa thika nuk e ndien.

As stomaku mund të mos e ndiejë, se me një shtresë allçie, suvatohen muret e stomakut dhe nuk ndjen as vajin e palmës kur tenton të gërryejë me aciditetin e lartë. Kaq e thjeshtë është.

Nuk mund të bëhet ajo që kërkoi ish-zv/ministri Alban Zusi, që të ketë libër shërbimesh për çdo ushqim.

Zëvendësministrja me të drejtë i tha: “Libër shërbimesh do edhe domatja, edhe ti, edhe kastraveci”.

Vetëm një gjë mbeti e paqartë në këtë fjali, tek cili asortiment përfshihej Alban Zusi. As vetë zoti Zusi nuk denjoi ta sqaronte këtë për publikun, që me këtë peng, fjeti i sigurtë.

Me këtë staf drejtues të Ministrisë së Bujqësisë, siguria ushqimore është e garantuar.

I rrezikuar në asamblin qeveritar është vetëm Gent Cakaj, që mund t’i rrëshqasë kurora e mbretit të rrjetit, tanimë që i bezdisur nga fama, edhe në Facebook emrin nga “Gent Cakaj” e ka bërë “Gt.ca”.

Shto Koment