Aktualitet

Zgjidhet kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, injorohet Voltana Ademi, nuk e ftojnë në mbledhje

Gjatë zgjedhjeve të zhvilluara paraditen e sotme, Lakti ka marrë votëbesimin thuaje unanim të anëtarëve të Këshillit, duke "rrëmbyer" 18 vota nga 20.

SHKODËR– Hilmi Lakti është zgjedhur kryetari i Këshillit të Qarkut të Shkodrës, në zgjedhjet e zhvilluara paraditen e sotme. Kryetari i ri i qarkut Hilmi Lakti do të zëvendësojë kryetaren e mëparshme, Greta Bardeli.

Lakti ka marrë votëbesimin thuaje unanim të anëtarëve të Këshillit, duke “rrëmbyer” 18 vota nga 20. Pas numërimit të votave, Lakti i ka falenderuar të gjitha ata që e kanë votuar duke premtuar se do të mundohet t’u përmbushë pritshmëritë.

“Përshëndes kryetarët e Bashkive respektive, ju premtoj se do të mundohem të justifikoj besimin që më keni dhënë. Ju uroj edhe ju sukese në punën tuaj. Faleminderit shumë,”-tha ai.

Ndonëse në zgjedhje kanë marrë pjesë të gjithë kryetarët e bashkive të qarkut, është vënë re mungesa e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila nuk ka qënë e ftuar.

Mungesa e ftesës ndaj saj është justifikuar me argumentin se anëtarë këshilli janë kryetarët e Bashkive që janë votuar nga populli në zgjedhjet e fundit.

Dosja.al ka tentuar që të kontaktojë me kryebashkiaken, zyra e shtypit të së cilës ka konfirmuar përjashtimin që i është bërë Ademit nga zgjedhja.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi, është përjashtuar nga pjesëmarrja në mbledhjen e Këshillit të Qarkut. Qytetarja e Parë e Shkodrës nuk ka patur asnjë njoftim apo ftesë për këtë mbledhje.”

Në zgjedhjet e fundit lokale të 30 qershorit, opozita vendosi të bojkotonte duke mos marrë pjesë në votime. Pjesë e bojkotit ishte edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Zgjedhjet u fituan nga kandidati i vetëm Valdrin Pjetrit, i cili nuk u betua kurrë për shkak të probleme me ligjin e dekriminalizimit. Për pasojë Voltana Ademi vijon të mbajë detyrën deri në zhvillimin e zgjedhjeve të tjera. 

(k.m/dosja.al)

Shto Koment