Politike

‘Ngec’ Këshilli Politik, shkak KQZ-ja/ Opozita prezanton formulën e re: E ‘bekuar’ nga ndërkombëtarët! Gjiknuri: PD kërkon atë që kishim (Hajdari braktis takimin)

VIDEO
  • E PLOTË/ ‘Ngërçi’ tek Këshilli Politik, çfarë parashikon formula e propozuar nga opozita për KQZ
  • Ngecin negociatat për kthimin në draft të marrëveshjes së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore. Opozita ka propozuar një mënyrë të re për të zgjedhur anëtarët e KQZ-së, ndërsa maxhoranca pretendon se është e ngjashme me formulën e tanishme. Rudina Hajdari u largua nga mbledhja një orë para se të përfundonte me pretendimin se nuk po diskutoheshin gjëra të rëndësishme.
    Featured image of article: ‘Ngec’ Këshilli Politik, shkak KQZ-ja/ Opozita prezanton formulën e re: E ‘bekuar’ nga ndërkombëtarët! Gjiknuri: PD kërkon atë që kishim (Hajdari braktis takimin) Anëtarët e "Këshillit Politik"

    TIRANË- Më shumë se tre orë diskutime rrezikojnë kthimin në pikën 0 të marrëveshjes për Reformën Zgjedhore. Palët e Këshillit Politik janë mbledhur sërish sot për të miratuar në detaje pikat e vendosura në mënyrë që ato të përkthehen në amendamente ligjore për t’i dërguar më pas për votim në Kuvend. Në rendin e mbledhjes së sotme kanë qënë diskutuime për përbërjen e KQZ, institucion zgjedhor që tashmë përbëhet nga 3 organe të reja Komisioneri, Rregullatori dhe KAS (Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve).

    Dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë propozuar një formulë të re në zgjedhjen e anëtarëve të institucioni zgjedhore dhe kohëzgjatje më të shkurtër për mandatin e tyre. Sipas të dyve, me formulën që është dakordësuar në marrëveshje, maxhoranca synon kapjen e institucionit. Ndërsa përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka kërkuar që në të tre korpuset e KQZ ruhet raporti 3 me 2.

    Ndryshe e ka parë propozimin e opozitës bashkëkryetari dhe njëkohësisht përfaqësuesi i PS-së, në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri. Ky i fundit pretendon se propozimi i opozitës është i ngjashëm me mënyrën sesi KQZ funksionin tani. Megjithatë ai u shpreh i hapur për pranimin e propozimit të tyre. Ndërkohë i pyetur për propozimet e opozitës parlamentare për lista të hapura dhe për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, Gjiknuri tha se partia e tij ishte më e madhja në vend dhe do të shprehej e fundit pasi të dëgjonte të gjitha opsionet.

    Pjesë në debatin për KQZ-në nuk ka marrë pjesë, deputetja Rudina Hajdari, e cila pas dy orësh braktisi tryezën e Reformës Zgjedhore. Sipas saj prej dy orësh, palët brenda në takim po diskutonin për tenderin e identifikimit biometrik dhe jo për gjëra të rëndësishme për qytetarët. Të njëjtën gjë e konfirmoi edhe Gjiknuri, duke u shprehur se opozita kërkonte një përfaqësues për të siguruar rregullsinë e tenderit.

    Nga takimet e fundit, palët kanë rënë dakord për identifikimin biometrik dhe financimin e partive. Ndërkohë ekspertët e Reformës Zgjedhore për një javë kanë ‘zbërthyer’ dokumentin e firmosur në 5 qershor nga 4 anëtarët e Këshillit Politik, nënshkrim që u bë në sytë e ndërkombëtarëve.

    Gjatë javës së shkuar rinisi punën dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, por ekspertët e palëve dhe të pavarurit kanë vijuar punën dhe tashmë është gati drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të dorëzohet në Kuvend. Komisioni do të mblidhet edhe nesër për të informuar dhe paraqitur ndryshimet e arritura mes palëve.

    PIKAT:

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    KOHA ZGJEDHORE: Tashmë është zyrtare që data e zgjedhjeve do të caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor dhe qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00. Ndryshime të shumta do të ketë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili tashmë do marrë emrin Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe do ketë në përbërje të tij Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Sipas draftit të ekspertëve Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do ushtrojë kompetencat ekzekutive dhe kryekomisioneri do të zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

    KQZ-JA: Nga ana tjetët Komisioni Rregullator (Rregullator) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit. Një institucion tjetër që krijohet do të jetë dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

    TEKNOLOGJIA: Një ndër pikat që hasi debate mes palëve në Këshillin Politik është dhe teknologjia në zgjedhje. Sipas draftit të ekspertëve, i jepet të drejtë KQZ-së të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte të vecanta të procesit zgjedhor. Por KQZ është e detyruar që përdorimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10 përqind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit. KQZ-ja ka të drejtë të instalojë dhe përdorë sisteme video-monitorimi në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave.

    FINACIMI I PARTIVE: Në draftin e Kodit Zgjedhor është parashikuar dhe ndërhyrja për financimin e partive. Sipas dokumentit mësohet se partitë do të kenë mundësi që të bëjnë reklama gjatë fushatës, por media nuk mund të publikojë materiale të parapërgatitura. Për sa i përket finacimit të partivee, bëhet me dije se do të mund të përfitojnë para nga buxheti i shtetit, forcat politike që kanë siguruar jo me pak se 1% të votave në zgjedhjet e kaluara.

    GJYKATA ZGJEDHORE: Në draftin e ekspertëve janë propozuar ndryshime dhe për Kolegjin Zgjedhor, që ishte një pikë e debatuar mes plavëve. Sipas draftit 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të kenë kaluar vetingun më parë dhe procedura e përzgjedhjes së tyre do të bëhet nga KLGJ-ja.“Kolegji Zgjedhor Gjyqësor përbëhet nga tetë gjyqtarë, të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë, Gjykatave të Apelit të Republikës së Shqipërisë, Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, të cilët kanë kaluar me sukses, me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, sipas ligjit nr. 84/2016”, sanksionohet në Kodin e ri.

    Por për “Zgjedhoren” ka edhe kundërshtime. Marrëveshja e arritur për zgjedhoren në Këshillin Politik nuk është pranuar nga opozita parlamentare, e cila kanë dërguar në Kuvend kërkesën për të ndërhyrë në Kushtetutë. Ata kërkojnë lista të hapura dhe moslejimin e koalicioneve parazgjedhore. Gjithasht së fundmi është kërkuar edhe largimi i përfaqësueses së tyre Rudina Hajdari nga Komisioni, dhe zëvëndësimi i saj me deputetin Myslim Murrizi.

    (k.m/dosja.al)

    • 20:19

      Në rrezik marrëveshja për KQZ? Opozita propozon tjetër formulë, Bylykbashi: Është bekuar nga ndërkombëtarët, duam t’i heqim maxhorancës mundësinë për…

      Opozita jashtëparlamentare ka propozuar një formulë të re për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së dhe organeve të saj të reja. Pas përfundimit të takimit të sotëm të Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi u shpreh para mediave se formula e propozuar ishte “bekuar” nga ndërkombëtarët. Sipas tij, gjithçka bëhej që maxhoranca të mos kishte mundësi që të kapte KQZ-në, në mënyrë që institucioni të ishte i pavaruar. Në fjalën e tij, Bylykbashi u shpreh se propozimi do të bëhej shumë shpejt publik.

      “Dua të konfirmoj në emër të opozitës së bashkuar, i qëndrojmë pikë për pikë dokumentit të firmos në lidhje me identifikimit biometrik, ruajtjen e administratës nga politizimi dhe dakordësinë për një formulë të re në KQZ. Në këto kushte ne kemi propozuar për një formulë emërimi të mirëpranuar që sot është në kushtetutë. formulë që është bekuar edhe nga ndërkombëtarët, garanton shqyrtim të pavararur. Është kudnërshtuar nga maxhoranca pa asnjë arsyeti. Nuk i intereson sepse do kapjen e plotë të KQZ në të tre organet. Qëllimi i marrëveshjes është që garancintë ekzistuese për opozitën dhe interesin publik do të qëndorjnë por nuk do të shkojnë më pak. Refuzojmë dhe kërkojmë në mënyrë të verbër kapjen e të gjitha organeve. I dhamë kohë maxhorancës që ta studiojnë propozimin tonë. Opozita nuk ka asnjë përfitim, por hiqet mundësia që maxhoranca të përfitojë,”-tha Bylykbashki.

    • 20:31

      Propozimi i ri i opozitës për KQZ, Vasili: Nuk mund ta lëmë PS të prodhojë një 30 qershor të ri

      Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka bërë me dije se në mbledhjen e Këshillit Politik, opozita ka bërë një propozim të ri për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Vasili është shprehur se opozita nuk mund t’i lejojë Partisë Socialiste të përsëriste një 30 qershor të ri.

      Propozimi i ngjashëm me mekanizmin që u ndërtuan institucionet e reformës në drejtësi dhe çuditërisht maxhoranca ka pranaur një formulë për organet në drejtësi nuk pranon reformën zgjedhore. Të gjithë garancitë riprodhohen ashtu sic janë. Në të tre korpuset e KQZ ruhet raporti 3 me 2 por nuk mund të bëhet 5-0 për PS. Nuk mundet që garancia të zhbëhet. Në tërësinë e saj, propozimi ynë garanton ekuilibrin në marrjen e vendimeve, ka 0 privilegje për opozitën, por nuk i jep mundësinë PS që të prodhojë një 30 qershor të ri” u shpreh Vasili.

    • 20:09

      Përfundon mbledhja e Këshillit Politik, në rrezik marrëveshja për KQZ, Gjiknuri: Opozita devijoi bisedën…

      Bashkëkryetari dhe njëkohësisht përfaqësuesi i PS-së, në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri është shprehur se opozita ka hequr dorë nga marrëveshja për KQZ-në. Pas përfundimit të mbledhjes tek Pallati i Kongreseve, në një deklaratë për mediat, Gjiknuri u shpreh se opozita kërkonte një tjetër formulë për zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, e cila sipas tij anashkalonte rolin e Kuvendit dhe ngjasonte me atë që përdoret edhe tani. Gjiknuri gjithashtu është pyetur për propozimet e opozitës parlamentare për lista të hapura dhe për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Lidhur me propozimet e tyre, përfaqësuesi i maxhorancës u shpreh se partia në të cilën ai bën pjesë do të shprehej e fundit.

      “Bën të mendosh që ajo që propozuan ekspertët që kanë qënë pjesë e disktutimeve është që të krijojmë një trupë të qëndrueshme. Të krijojmë një trupë profesionale dhe me mandate më të gjata se çfarë janë sot. Sic duket PD kërkon vetëm një marrëveshje zgjedhore për të marrë disa garanci dhe mund të ishte më e ndershme për të mbajtur siç është KQZ-ja. Realisht ky ishte devijim i bisedës sepse nuk e shbëjnë dot parlamentin. Duhet të ketë një reflektim nga ana e tyre. Ata kërkojnë mandate 4-vjeçare siç janë sot. Të rrimë tek kjo që jemi dhe s’kemi pse të bëjmë debat. U kthye në një marrëveshje për të marrë pjesë në zgjedhje. A do të ketë shtyrje për draftin? Ta përfundojmë këtë njëherë. Akuzat e Hajdarit? Nuk e di çfarë tha zonja Hajdari. PD kërkon përfaqësues në tender. Kodi Zgjedhor nuk parashikon procedura për tenderin. A e rrezikon KQZ marrëveshjen? PD kërkon që të kemi sërish këtë vendimmarrje, pra kërkon KQZ aktuale. Është më e ndershme kjo, tentuam të bëjmë një gjë të mirë. Të rrimë me këtë skemë. Ka marrë fund marrëveshja? Forma e KQZ ishte parashikuar me mandatet siç e kishim parashikuar. Ta thonë publikisht se ne sinqerisht nuk kemi asnjë problem. Opozita parlamentare? PS është shprehur se do ta respektojmë marrëveshjen, do ta shikojmë se ne nuk i kemi votat. Ata janë faktorë politikë, do ta gjejmë një zgjidhje edhe me ta. Kjo marrëveshje u negociua edhe nga ndërkombëtarët. Nuk parashikoj dot. Dakord për heqjen e koalicioneve parazgjedhore? I madhi shprehet i fundit. Edhe ne kemi opinionin tonë, por do të shprehemi të fundit,”-tha Gjiknuri në fjalën e tij.

    • 19:01

      Rudina Hajdari braktis tryezën e reformës zgjedhore: Kanë dy orë që shpenzojnë për tenderin e identifikimit biometrik

      Deputetja Rudina Hajdari ka braktisur tryezën e reformës zgjedhore. Sipas saj prej dy orësh, palët po diskutojnë për tenderin e identifikimit biometrik dhe jo për gjëra të rëndësishme për qytetarët. Sipas saj, nëse vazhdohet me këtë metodë, i mbyllet dera çdo qytetari që ka besim te reforma zgjedhore.

      Mbledhja nuk ka përfunduar akoma por kemi gati dy orë që shpenzojmë për tenderin e identifikimit biometrik. Nuk kam ardhur të merrem me tendera por për të përfaqësuar atë frymë për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Është e pamunduar për të folur këtu për këtë gjë. Është e trishtë të ulen dhe të flasin për gjëra që nuk kanë rëndësi. Unë u largova nga ky takim dhe për të shpenzuar kohën time me qytetarët dhe jo me Këshillin Politik që diaskuton gjëra të parëndësishme. Nuk mund të vazhdojmë të flasim për gjëra që skanë rëndësi për qytetarët. Nëse do vazhdojmë me këtë metodë, po i mbylim derën cdo njeriu që ka besim në reformën zgjedhore“, tha Hajdari.

    Shto Koment