Politike

PS futet në zgjedhjet e qershorit me koalicion, aleatët kërkojnë garanci për votën

  • Një tjetër 17 maj?/ Balla: S’ka negociata në kurriz të Kushtetutës
  • Partia Socialiste dhe 23 partitë aleate kanë firmosur koalicionin e majtë për zgjedhjet e 30 qershorit. Partitë e majta do të jenë nën siglën “Aleanca për Shqipërinë Europiane." Mes aleatëve janë dhe Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo.
    Featured image of article: PS futet në zgjedhjet e qershorit me koalicion, aleatët kërkojnë garanci për votën Aleatët e PS

    TIRANË– Partia Socialiste dhe 23 partitë aleate kanë firmosur koalicionin e majtë nën siglën “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

    Marrëveshja është nënshkruar mesditën e sotme në selinë e PS-së nga sekretari i Përgjithshëm Taulant Balla dhe krerët e partive aleate. Nga marrëveshja, aleatët i kërkojnë kryetarit të PS-së, Edi Ramës që t’u sigurojë zgjedhje të lira e të ndershme. Sipas tyre, objektivi i Koalicionit është fitorja e zgjedhjeve administrative të 30 qershorit 2019.

    Një pikë tjetër që bie në sy nga vendimet, është që aleatët i delegojnë çdo kompetencë Ramës lidhur me veprimet që duhet të ndiqen për zgjedhjet lokale apo dhe zgjerimin e  koalicionit me parti të reja. Mes partive aleate, shihet se janë dhe dy nga bashkëpunëtorët e vjetër të PS, Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo.

    Pas takimit në selinë e PS-së, numri dy i socialistëve Taulant Balla doli para gazetarëve. I pyetur në lidhje me tryezën e dialogut që aleatët e PD-së po tentojnë përmes presidentit Ilir Meta, Balla u shpreh se zgjedhjet nuk do të merreshin në tavolinë dhe se në kurriz të kushtetutës nuk do të kishte asnjë negociatë.

    DEKLARATA E PLOTË

    Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” konsideron zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si objektiv parësor të procesit të votimeve për organet e pushtetit vendor në 30 qershor 2019.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Anëtarët e këtij Koalicioni jo vetëm garantojnë përkushtimin ndaj këtij qëllimi të partive që janë pjesë e këtij bashkëpunimi, por i bëjnë thirrje çdo subjekti politik, brenda dhe jashtë garës ti shërbejnë këtij objektivi kombëtar.

    Gjithashtu partitë tona nxisin Administratën Zgjedhore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të garantojnë zbatimin rigoroz e me tolerancë zero të standardeve zgjedhore ligjore sidomos në numërimin korrekt të çdo vote të subjekteve zgjedhore dhe eliminimin e çdo tentative për shitblerje të votës.

    Koalicioni ynë e vlerëson zhvillimin në standarde ndërkombëtare të zgjedhjeve si tejet domethënës për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ne ftojmë çdo parti politike në vend t’i shërbejë këtij objektivi me rëndësi strategjike të Shqipërisë tonë në pragun e vendimmarrjes për këtë çështje në muajt në vijim.

    Zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje administrative por që kanë rëndësi politike të madhe në kuadër të ambicieve politike të të gjithë subjekteve partiake. Mospjesëmarrja në zgjedhje e disa subjekteve nuk është përgjegjësi e qeverisë, por e llogarive të gabuara dhe kundërproduktive të lidershipit të këtyre subjekteve që interesat e ngushta personale i kanë vënë mbi interesat kombëtare.

    Dhuna mbi zgjedhjet dhe përsëritje e skenarëve të vitit ’96 mbi vullnetin e zgjedhësve nuk do të tolerohet jo vetëm nga qytetarët dhe organet shtetërore, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

    (k.m & A.S/dosja.al)

    • 13:43

      Një tjetër 17 maj?/ Balla: S'ka negociata në kurriz të Kushtetutës

      TIRANË– Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për shtyp pas firmosjes së marrëveshjes me aleatët është shprehur se nuk ka asnjë forcë politike që mund të tentojë të pengojë zgjedhjet. Sa i përket futjes së opozitës në zgjedhje, Balla u shpreh se afatet zgjedhore ishin kushtëzuese.  

      Balla përballë gazetarëve:

      Në respekt të afateve sot kemi nënshtruar një marrëveshje për Aleancen për Shqipërinë Europiane, Kemi zgjedhur të njëjtin emër. Do të fitojmë ne të gjitha Bashkitë e vendit. Nuk kam asnjë koment që ngrihen mbi parimin e kundërshtimit të votës së popullit. 

      Tryeza me Metën?

      Zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen. Ka qënë shumë i qartë vendimi i SHBA-ve përmes Palmer apo qëndrimi i BE. Zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor dhe nuk ka asnjë forcë politike që mund të tentojë të pengojë zgjedhjet.

      A do të kemi një 17 maj të dytë?

      Nuk jam Nostradamus por di që afatet zgjedhore janë kushtëzuese për këdo. Kush mendon që e merr pushtetin në tavolinë, afatet janë shumë të qarta. Dorëzuan mandatet, Lulzimi dhe Monika duan t’i heqin shqiptarëve të drejtën për të votuar 61 bashkitë e vendit. Penalizimet janë shumë të qarta për ata që tenton të pengojë ata.

      Me kë do të konkuroni?

      Do të konkurojmë besimin që na kanë dhënë qytetarët.

    Shto Koment