Ekonomi

Zbulohen pijedashësit, ky qytet i Shqipërisë ka shpenzuar dyfish më shumë se mesatarja “për raki dhe duhan”

Krahasuar me mesataren e vendit, pesha e shpenzimeve të tyre për pije dhe duhan ishte thuajse dyfish më e lartë. INSTAT raporton se mesatarisht një familje në Shqipëri rreth 3.5% të totalit të shpenzimeve të tyre ia dedikon këtij zëri.
Featured image of article: Zbulohen pijedashësit, ky qytet i Shqipërisë ka shpenzuar dyfish më shumë se mesatarja “për raki dhe duhan” Gota me verë

TIRANË- Shqiptarët janë shquar për dashurinë e tyre ndaj pijes dhe këtë e tregon edhe tradita që ende vijon për prodhimin e verës dhe rakisë së shtëpisë. Megjithatë, shifrat na tregojnë se dibranët janë “më pijedashësit” e vendit. Sipas të dhënave të Anketës së Buxhetit të Familjeve, në vitin 2018 ata rritën peshën e shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan në 6% të totalit të shpenzimeve të tyre. Një vit më parë, po sipas kësaj ankete, shpenzimet për këtë kategori në qarkun e Dibrës zinin rreth  5.4% e totalit të shpenzimeve. Krahasuar me mesataren e vendit, pesha e shpenzimeve të tyre për pije dhe duhan ishte thuajse dyfish më e lartë. INSTAT raporton se mesatarisht një familje në Shqipëri rreth 3.5% të totalit të shpenzimeve të tyre ia dedikon këtij zëri.

Në vend të dytë, renditet qarku i Elbasanit, të cilët gjithashtu gjatë vitit 2018 rritën shpenzimet për pijet alkoolike dhe duhan që ishin sa 5.2% e totalit të shpenzimeve nga 4.9% që ishte një vit më parë. Pas tij renditet qarku i beratit dhe Lezhës me 4.8% të totalit.  Por, në krahasim me një vit më parë duket se lezhjanët kanë shtrënguar dorën për sa i përket shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan, të cilët shpenzonin një vit më parë 5.7% të totalit të tyre. Kukësi dhe Korça, të dy këto qarqe, kishin gjithashtu shpenzime më të larta se mesatarja e vendit me përkatësisht 4.4% të totalit dhe 3.8%.

Shifrat

Nga ana tjetër qarku me shpenzimet më të ulëta për këtë kategori, renditet Vlora, ku sipas të dhënave të INSTAT kanë ulur shpenzimet për pije dhe duhan në masën prej 2% të totalit, nga 2.25 që ishin në vitin e kaluar. Nuk është aspak çudi që edhe qarku i Gjirokastrës ka shënuar gjithashtu shpenzime të ulëta, prej vetëm 2.2% të totalit. Por, kjo nuk do të thotë që konsumojnë më pak pije alkoolike, pasi shpenzimet në anketë nuk përfshijnë konsumin e qytetarëve nga prodhimi  artizanal i verës dhe rakisë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Po ashtu shpenzime relativisht të ulëta janë regjistruar edhe në Durrës dhe Shkodër, ku sipas Anketës së Buxhetit të Familjes, shpenzimet ishin përkatësisht 2.4 dhe 2.7%. Ndërsa me një diferencë të ulët me mesataren e vendit renditet qarku i Fierit dhe Tiranës, ku mesatarisht janë shpenzuar për pijet alkoolike dhe Duhanin 3.2 dhe 3.3% e totalit të shpenzimeve të familjeve në këto qarqe.

(Marrë nga Monitor.al)

Shto Koment