LIVE UPDATES
Art&Argëtim

Zbulohen dokumentet e panjohura për ‘spiunin’ i cili akuzohej se tregoi Qemal Stafën! Letra për Enverin: Nëse asht e mun

13 Gusht 2021, 07:35 Nga DOSJA
Zbulohen dokumentet e panjohura për ‘spiunin’ i cili akuzohej

Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin viteve 1942-1945, ku bëhet fjalë për Ludovik Nikaj, me origjinë nga qyteti i Shkodrës dhe me banim në Tiranë, ku punonte si elektro-teknik, një nga të rinjtë komunistë e orëve të para, i cili më datën 2 maj të vitit 1942, teksa kishte shkuar në qytetin e Shkodrës së bashku me bashkëshorten e tij, Qefsere Bekaj, u arrestua nga forcat italiane dhe u dërgua në Kuesturë për t’u marrë në pyetje, në lidhje me veprimtarinë e aktivitetin e tij në radhët e Partisë Komuniste, por gjatë asaj kohe që ai mbahej i izoluar në qeli, me urdhër të Qarkorit Komunist të Shkodrës, u vendos eliminimi i tij, pasi dyshohej se ai kishte treguar shtëpitë dhe bazat ku strehoheshin komunistët, si dhe emrat e krerëve kryesorë të Partisë Komuniste. Si u krye aksioni i njësiteve guerilje të qytetit të Shkodrës me në krye Perlat Rexhepin, (‘Hero i Popullit’), duke qëlluar me bomba dhe granata dore godinën e Kuesturës ku Ludoviku mbahej i izoluar dhe transferimi i tij nga autoritetet italiane për në Itali, duke e sistemuar në një kamp internimi afër Modenas. Kthimi i Ludovikut në Shqipëri pas disa kërkesash që ai bëri pranë misionit ushtarak shqiptar në Romë dhe kërkesa e tij për t’u takuar me Enver Hoxhën, i cili nuk pranoi ta priste dhe dënimi i tij me vdekja nga Gjykata e Lartë Ushtarake në Tiranë, pas akuzave të bëra ndaj tij, si: “provokator, agjent i SIM-it dhe tradhëtar i PKSH-së”, i cili kishte treguar para italianëve, për bazat ku fshiheshin Qemal Stafa, Koci Xoxe, Perlat Rexhepi, Ali Demi, Beqir Minxhozi, Gjystina Sata, etj. Dosja e plotë e procesit gjyqsor ndaj Ludovik Nikaj, për të cilin Enver Hoxha ka shkruar gjatë në librat e tij dhe për të u realizua edhe filmi “Vendimi” nga Kinostudio “Shqipëria e Re” e asaj kohe, si dhe dëshmitë e nipit të tij, Luigj Nikaj (Kastrioti), i cili tregon se të gjitha akuzat ndaj xhaxhait të tij, ishin të montuara nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, me qëllim për të mbuluar prapaskenat që ata kishin bërë ndaj njëri tjetrit në periudhën e Luftës, siç ishte vrasja e Qemal Stafës, etj.!

Është periudha e pushtimit Italian të vendit, kur ‘Veroniku’, një i ri komunist 22 vjeçar, shkon në qytetin e Shkodrës dhe aty papritmas arrestohet nga forcat e karabinierisë italiane, të cilat fillimisht i kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe pasi dyshojnë në përgjigjet e tij, e arrestojnë dhe e dërgojnë menjëherë në Kuesturë, për ta marrë në pyetje. Fillimisht ai nuk pranon të tregojë, por pasi ndaj tij italianët bëhen gati të fillojnë torturat, duke e goditur me disa pëllëmbë në fytyrë, ‘Veroniku’ nis të ‘zbërthehet’, duke treguar fillimisht emrin e tij të vërtetë dhe arsyen se përse kishte shkuar në atë qytet, si dhe për gjithçka tjetër që ata e pyesin, duke u dhënë kështu autoriteteve të Kuesturës, të gjithë emrat e shokëve të tij komunistë, pseudonimet e tyre, krerët e grupeve që vepronin në mënyrë ilegale dhe udhëheqjen kryesore të Partisë Komuniste Shqiptare, celulat e bazat ku ata fshiheshin e strehoheshin, si dhe teknikën e Partisë, njerëzit që ata kishin të infiltruar deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, etj..

Pas kësaj, në bazë të një plani të detajuar mirë, sipas të të dhënave që morën prej tij, Kuestura fillon goditjet e reprezaljet ndaj grupeve komuniste, duke arrestuar disa prej eksponentëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe duke bastisur disa nga bazat e tyre, ku ata gjetën edhe mjaft dokumente me shumë vlerë, të cilat dëshmonin qartë, rreth aktivitetit e veprimtarisë subversive të tyre. Pas kësaj, Qarkori komunist i Shkodrës, i vënë në dijeni rreth asaj që kishte ngjarë me ‘Veronikun’, nëpërmjet njeriut të tyre që vepronte i kamufluar brenda radhëve të efektivëve të Kuesturës, mblidhet urgjent në një mbledhje të jashtëzakonshme dhe pasi analizon situatën, për të parandaluar një goditje më të madhe nga autoritetet italiane, vendos që të kryente sa më shpejt një aksion mjaft të rrezikshëm, për eliminimin fizik të shokut të tyre komunist, spiunit ‘Veroniku’, i cili pasi kishte mundur të futej si provokator dhe agjent i SIM-it në radhët e grupeve antifashiste, kishte tradhtuar idealet komuniste, duke treguar shokët, bazat e tyre, teknikën e shtypin e Partisë, etj., e deri udhëheqjen më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare.

Aksioni arrin të kryhet nga ana e njësiteve guerilje të atij qyteti, të cilat afrohen te godina e Kuesturës në qytetin e Shkodrës dhe hedhin disa bomba e granata dore tek zyrat e saj e tek qelia ku mbahej i izoluar ‘Veroniku’, i cili shpëton paq, duke mbetur i plagosur me plagë të shumta në fytyrë dhe në të gjithë trupin që i kullon gjak, nga ciflat e granatave, që hodhën shokët e tij guerilas. Pas këtij aksioni, ku atentati nuk përfundoi me sukses, autoritetet italiane, nën pretekstin e kurimit (por në fakt për ta ruajtur atë), e marrin ‘Veronikun’ dhe e nisin menjëherë për në Itali, ku ai deri në mbarimin e Luftës, jetoi në kushte të mira, nën masa të rrepta sigurie. Por, pas shumë kohësh, aty mbërrin një njësit i dërguar enkas nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët e rrëmbyen ‘ Veronikun’, dhe e sjellin në Shqipëri, ku ai detyrohet të japë llogari para ‘gjyqit të popullit’, për ‘tradhtinë’ që kishte bërë e në fund merr dënimin e merituar.

Kjo është pak a shumë një synops i filmit shqiptar “Vendimi”, të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” në vitin 1984, me regjisor Kristaq Dhamo (“Artist i Popullit”) dhe skenar të Spiro Dede e Neshat Tozaj, ku interpretonin disa nga aktorët më të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Ndriçim Xhepa, “Veroniku”, Serafin Fanku (“Filipi”), Bujar Lako, Fane Bitaj, Guljelm Radoja, Xhevdet Ferri, Vangjush Furxhi, Robert Ndrenika, Anastas Kristofori, Eva Alikaj, Petrit Malaj, Edmond Budina, Ndrek Shkjezi, Koço Qendro, Liza Laska, etj.

Ky film i cili asokohe dhe më pas, (deri në shembjen e regjimit komunist në vitin 1991), pati një jehonë të dhe bëri bujë të madhe, jo vetëm pse ai bazohej mbi një ngjarje të vërtetë mjaft të njohur, të ndodhur në periudhën e pushtimit fashist të vendit, por edhe për faktin se ishte herë e parë, që në një vepër të tillë artistike, trajtohej gjerësisht figura e udhëheqësit kryesor të Partisë, Enver Hoxhës, si dhe ajo e disa prej figurave më të njohura të Partisë Komuniste Shqiptare të periudhës së Luftës, si: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Fiqret Shehu, etj.

Po kështu, filmi pati një jehonë edhe për faktin se për ngjarjen në fjalë, pra për “tradhtinë” e Ludovik Nikaj dhe Zef Ndojës, gjë e cila çoi jo vetëm në “dekonspirimin dhe goditjen e bazave kryesore të Partisë Komuniste”, por edhe të vrasjes së Qemal Stafës, Enver Hoxha, ishte ndalur e kishte shkruar gjatë në librat e tij me kujtime, që kishin filluar të botoheshin që nga fillimi i viteve ’80-të. Po a i qëndronte skenari i këtij filmi ngjarjes që lidhej me të riun komunist, Ludovik Nika e shokun e tij, Zef Ndoja, si dhe pasojat që erdhën pas arrestimit të tyre?

Që në fillim duhet thënë, se: bazuar mbi dokumentet arkivore që i përkasin ngjarjes në fjalë, të cilat janë bërë publike pas shembjes së regjimit komunist dhe kryesisht këto vitet e fundit, skenari i filmit “Vendimi”, jo vetëm që nuk i përgjigjet aspak së vërtetës, por ajo vepër artistike e propaganduar me bujë nga propaganda zyrtare e kohës, rezulton të jetë bërë enkas, me porosi nga “lart”, nga vetë Enver Hoxha, me qëllim për të fshehur dy nga ngjarjet më të përfoluara të periudhës së pushtimit të vendit, siç ishte vrasja e Qemal Stafës dhe dekonspirimi i bazëz (shtëpia e Shyqëri Këllezit, shoqëruesi i Enverit, gjatë periudhës që ai ishte ilegal), ku veç të tjerash mbahej edhe dokumentacioni i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, të 8 nëntorit 1941, ku Enver Hoxha rezultonte jo si sekretar i përgjithshëm, por vetëm si i ngarkuar me problemet e financave të Partisë.

Nisur nga sa më sipër, e para dhe më kryesorja që hedh poshtë të gjithë alibinë e Enver Hoxhës, me anë të filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, nuk u rrëmbye në Itali nga shërbimet sekrete shqiptare (Zbulimi Shqiptar i Sigurimit të Shtetit) dhe u soll i lidhur në atdhe për të dhënë llogari para gjyqit të popullit për tradhtinë e tij, ashtu siç paraqitet ‘Veroniku’ në film, por në bazë të dokumentave arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, (ku pjesa më e madhe e tyre publikohen për herë të parë në këtë shkrim nga Memorie.al), ai erdhi vetë në Shqipëri, me dëshirën e tij. Madje duke shkuar disa herë pranë misionit ushtarak shqiptar, që ishte asokohe në Itali, i kryesuar nga Halim Budo, ku bashkangjitur kërkesës për t’u kthyer në atdhe, Ludovik Nikaj kishte paraqitur edhe një dokument (vijë-sjellje), të lëshuar e firmosur nga komunistët italianë, që drejtonin celulën në kampin ku ai ishte mbajtur i internuar, ku ata shënonin, se ai kishte pasur një sjellje shëmbullore si militant komunist.

Një tjetër gjë që përsëri hedh poshtë alibinë e filmit “Vendimi”, është fakti se Ludovik Nikaj, pasi erdhi në Shqipëri, i shkroi një letër Enver Hoxhës, ku i kërkonte atij që ta priste në takim, për të sqaruar disa gjëra që kishin ndodhur në Shqipëri, gjatë periudhës së Luftës, ashtu dhe pas saj në Itali. Por Enver Hoxha, jo vetëm që nuk e priti “Veronikun” në takim, por ai i’u dha gjyqit ushtarak, i cili e dënoi me vdekje dhe u ekzekutua, pa mundur të takohej me ‘Komandantin”!

Po t’i referohemi në tërsi ngjarjes në fjalë, llogjika më e thjeshtë na thotë, se: nëse ai do të ndjehesh sadopak fajtor, nuk kishte përse vinte në Shqipëri, por mund të qëndronte në Itali, apo mund të shkonte në çdo vend tjetër në Perëndim si azilant politik, ashtu siç dhe shkuan asokohe eksponentë të tjerë të Partisë Komuniste Shqiptare që u akuzuan si tradhtarë nga Enver Hoxha, siç ishte Sadik Premtja, etj., apo dhe krerët kryesorë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi etj.

Fakti që “Veroniku” (Ludovik Nikaj), nuk pranoi të qëndronte në Itali, ku ai jetonte i qetë me bashkëshorten e tij, (Qefsere Bekaj), tregon se ai ndjehej i pastër dhe nuk e vriste ndërgjegja mbi asgjë nga e kaluara e tij gjatë periudhës së Luftës, siç do të dëshmonte me shumë sinqeritet, gjatë procesit të tij gjyqësor. Por si për ironi të fatit, Ludoviku, erdhi vetë në Shqipëri, në fillimin e vitit 1945, si për t’i bërë një “dhuratë” Enver Hoxhës, në alibinë që ai (Enveri) do të krijonte vite me radhë për vrasjen e Qemal Stafës, në disa nga librat e tij dhe së fundi në vitin 1984, duke dhënë ‘vmiratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ku asokohe u angazhuan kineastët më të mirë të Shqipërisë së asaj kohe.

Një tjetër gjë, që hedh poshtë përsëri alibinë e Enver Hoxhës dhe gjithashtu edhe të historiografisë e propagandës zyrtare mbi vrasjen e Qemal Stafës pas “tradhtisë së Ludovik Nikaj e Zef Ndojës”, është dhe fakti, se Ludoviku u arrestua nga italianët më datën 2 maj të vitit 1942, pikërisht atë ditë që Beqir Minxhozi kishte marrë me qera dhe kishte nënshkruar kontratën me të zotin e shtëpisë, ku do strehohej e do të vritej më pas, Qemal Stafa, më datën 5 maj 1942.

Një fakt tjetër që hedh dritë mbi arsyet e vërteta që e çuan Enver Hoxhën, të jepte ‘miratimin’ për realizimin e filmit “Vendimi”, ishin edhe raportet aspak të mira që ai kishte prej vitesh, me motrat e Qemal Stafës, të cilat sipas edhe ditarit të Nexhmije Hoxhës, i bërë publik kohët e fundit, jo vetëm që nuk e honepsin dot Enver Hoxhën, por ato nuk denjonin aspak edhe për t’a pritur atë, kur ai së bashku me Nexhmijen, shkonin tek familja e tyre me rastin e 5 majit, ditës së dëshmorëve.

Ndërsa të gjitha këto tashmë janë të njohura prej vitesh, Memorie.al po publikon disa dokumente arkivore që botohen për herë të parë, të cilat dëshmojnë qartë dhe më së miri mbi manipulimin dhe deformimin e disa prej ngjarjeve më të përfolura të periudhës së Luftës Antifashiste, siç është dhe “tradhëia” e Ludovik Nikaj e Zef Ndojës.

Relacioni i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, dega e Durrësit, dërguar Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit në Tiranë, për Ludovik Nikaj

SEKSIONI I MBROJTJES SË POPULLIT PËR DURRËSIN

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

Durrës më 29.3.1945

Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit

Tiranë

Të shoqëruar ju përcjellim të dënuarin Ludovik Nika, i biri i Nikës dhe i Shaqes, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, rruga Çerçiz Topulli Nr. 33, me profesion elektroteknik. Gjithashtu e bashkëshortja e tij Qefsere Beka, e bija e Cenit dhe e Kumes, nga Tirana dhe banuese në Tiranë, Rruga “Tafaj” Nr. 53, me profesion studente.

Të lartpërmendurit, vijnë nga Italia ku kanë qenë të internuar në Xakona (provincë e Modenës). Arrestimi ka ndodhur në Shkodër në fushën e Çelës, në maj të 1942. Arrestimi u krye pse isha në radhët e Partisë Komuniste dhe për këtë më arrestuan bashkë me Qefseren.

Arrestimi m’u bë nga policia italo-shqiptare, kur isha duke hypur në makinë për të shkuar në Tiranë.

Letra e Ludovik Nikaj për Enver Hoxhën ku i kërkon takim

Gjen. Kol. Enver Hoxhës

Unë tue njoft gabimin tim, erdha këtu për të diskutue edhe gjanë ma të vogël për qasjen time. Kam nevojë të flas për gjendjen e shqiptarëve në Itali e të tjera. Nëse asht e mundshme të flas personalisht me ju.

Ludovik Nika

Akt-gjykimi i Ludovik Nikaj nga Gjykata Ushtarake e Korpusit të I-rë në Tiranë

QEVERIJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE

GJYKATA USHTARAKE E KRAHINËS USHTARAKE

TË KORPUSIT TË I TIRANË

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

AKT GJYKIM

NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të I në Tiranë e formuar prej

Kryetar Bilbil Klosi N/kolonel

Antar Ismail Çaushi

Antar Argjir Lipivani

Tue qenë prezent Prokurori Major Gjon Banushi, i asistuem prej sekretarit Mustafa Zaja, sot në datën 15.5.1945 u mblodh për të gjykuar të pandehurin Ludovik Nika, i biri i Gjekës dhe i Shaqes, datëlindje 1921, i lindur në Shkodër, i martuar me Qefsere Beka, pa fëmijë, i padënuar, me arsim dhe Qefserja e bija e Hysen Bekës dhe e Kumes, lindur në Tiranë, vjeç 20 e martuar me të pandehurin Ludovik, banuese në Rrugën “Tafaj” në Tiranë, në bazë të raportit të mbajtur nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, me akuzën e të pandehurit Ludovik, si agjent provokator i fashizmit, tradhtar i PKSH-së, agjent i SIM-it.

Gjykata:

Mbasi lexoi raportin që ndodhet në dosje:

Mbasi mori në pyetje të pandehurit dhe dëgjoi apologjinë e tyre:

Konstatoi se:

Më datën 2 maj 1942, i pandehuri Ludovik Nika, shkon vullnetarisht në Shkodër, gjoja për punë organizative dhe në realitet sikundër e pohon me gojën e vet, nuk bën asnji punë, por bie në duart e policies, bashkë me të fejuarën e tij. Se që në hetimet e para dhe në presionin ma të vogël që i bëhet nga ana e agjentëve të kuesturës, nuk heziton asnji moment, por tregon gjithçka që din mbi bazat e organizatës dhe mbi shokët udhëheqsa.

Ai e pohoi edhe vetë para gjykatës nji pjesë të këtyre arrestimeve si kallzimin e Zef Ndojës e depos që ishte në shtëpinë e tij, kallzimin e Jovan Bajraktarit, Marije Lezhës, dhe Kristo Prokos, kurse zbulimet e tjera kuptohen nga grushti i fortë që fashizmi i dha organizatës, pikërisht pas tradhëtisë së Ludovikut, u arrestuen shokët Koci Xoxe, Lefter Kasneci, Gjystina Sata, Ali Demi, Beqir Minxhozi dhe me rrethimin që u bë në 5 maj 1942, heroit Qemal Stafa.

Se vetë Shërbimi Informativ i okupatorit SIMI, e quan tradhtinë e Ludovikut si një prej zbulimeve më të rëndësishme në Shqipëri, rreth aktivitetit të komunistëve, ku në relacionin thuhej se: Ludovik Nika u paraqit vullnetarisht në kuesturën e Shkodrës dhe bëri tregime me rëndësi shumë të madhe, rreth organizimit të përgjithshëm të shoqërisë subversive (Partisë Komuniste). Se Ludovik Nika për tradhtinë e tij, atentohet nga komunistët, bash në zyrën e Kuesturës ku qëndronte, se fashistët pas atentatit duke e quajtur të rrezikuar spiunin e tyre të poshtër, e dërgojnë në nji katund në Italinë e veriut, ku i japin nji rrogë mujore prej 1500 lirash. Se Qefsere Beka, nga adhurimi i tepërt që kishte për burrin e saj, e ndjek këmba këmbës dhe kur rezulton në tradhëtinë e lartë të burrit të saj, duke pa dhe atentatin që iu bë, ajo shkon me të në Itali dhe konvertohet në katolike. Gjykata, duke marrë parasysh gjithë aktivitetin e të pandehurve Ludovik Nika e Qefsere Beka, dhe humbjet që i kanë sjellë lëvizjes Nac.Çli dhe para saj PKSH-së.

Deklaron:

Në bazë të neneve 14 e 15 të ligjit nr. 41, mbi funksionimin dhe organizimin e Gjykatave Ushtarake, konform kërkimit të Prokurorisë e cilëson Ludovik Nikën, si kriminel lufte dhe armik i popullit dhe Qefsere Bekën, sipas nenit 15-të apo atij ligji, armike të popullit dhe në mbështetje në nenit 18-të po atij ligji

Vendosi:

Ndërshkimin e Ludovik Nikajt, me VDEKJE.

Në kundërshtim me pretencën e Prokurorit për Qefsere Bekën e dënon atë me 2 vjet burgim.

Ky vendim i shtrohet për shqyrtim pranë Gjykatës se Lartë Ushtarake.

Komunikata e Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë Ushtarake në Tiranë, për gjykimin dhe dënimin e Ludovik Nikaj

Tiranë më 15.5.1945

USHTRIA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE

PROKURORIA E GJYKATËS SË LARTË USHTARAKE

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

KOMUNIKATË GJYKATËS SË NALTË USHTARAKE

Prokuroria e Gjykatës së Naltë Ushtarake, pasi shqyrtoi akt gjykimin e Gjykatës Ushtarake të Korp I-rë Nr. 196, datë 15.5.1945. në të cilin është vendosë ndëshkimi i LUDOVIK GJEK NIKA me VDEKJE, në bazë të nenit 14, 15, dhe 18, të ligjit nr. 41 datë 14.1.1945. mbi bazën e funksionimit të Gjykatave Ushtarake

Vëren se

NË FAKT: LUDOVIK GJEK NIKA, kinse për të organizuar rezistencën e popullit, kundër fashizmit, në datën 2 maj 1942, shkon në Shkodër së bashku me të fejuarën e tij Qefsere Beka dhe pa kryer asnji punë, bien në duart e policisë ku tregojnë gjithë organizimin e bazave dhe lëvizjes që ishte në strukturë e sipër, tregoi gjithë antarët dhe udhëheqësit e lëvizjes që njifte, spiunoi bazat dhe vendet ku bëheshin mbledhjet, i dha shansin armikut të godiste fort lëvizjen, provokoi që agjentët të kontrollonin shtëpinë e Zef Ndojës dhe të arrestonin këtë të fundit, të arrestoheshin Koçi Xoxe, Lefter Kasneci, Gjystina Sata, Ali Demi, Beqir Minxhozi, etj. Nga spiunimi i tij u rrethua dhe u vra, heroi Qemal Stafa, u kallzua shoku Jovan Bajraktari, etj.

NË TË DREJTË

Veprimtaria e tij është tradhti e naltë, kundër atdheut dhe popullit liridashës, parashikohet dhe ndëshkohet prej neneve 14, 15, dhe 18, të ligjit nr. 41 mbi funksionimin e Gjykatave Ushtarake.

Për këto arsye dhe për ato që do të parashtroj në rast verbale në Këshill, është e mendimit që akt gjykimi nr. 196 datë 15.5.1945. të Gjykatës Ushtarake të Korp të I-rë të aprovohet.

Tiranë më 17.5.1945

PROKURORI

(Major Myftar Tare)

Procesi i gjykimit të Ludovik Nikaj nga Gjykata Ushtarake e Korpusit të I-rë në Tiranë

USHTRIJA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE

GJYKATA USHTARAKE E KRAHINËS

USHTARAKE TË KORPUSIT TË I-rë TIRANË

VDEKJE FASHIZMIT LIRI POPULLIT

PROCES-GJYKIMI

Prokuroria pranë kësaj Gjykate, i referon këtij gjyqi aktet që i ka dërgue Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, kundër të pandehurve Ludovik Gjekë Nikës dhe Qefsere Nikë Bekës, për t’u gjykuar për veprimtarinë e tyre tradhtare dhe kriminale sepse, tue qenë anëtar i PKSH-së në datën 2.5.1942, tradhëtoi dhe u dorëzue vullnetarisht tek fashizmi dhe i tregoi SIM-it pranë të cilit u bë agjent gjithçka, mbi lëvizjen që ishte atëherë në organizim e sipër dhe pjestarët e bazat e saj si dhe shoqja e tij, e ka ndjekur këtë duke parë tradhëtinë e tij. Mbasi u regjistrua aktet dhe dita e gjyqit ishte shënue për sot, trupi gjykues u formue prej:

Kryetar Bilbil Klosi N/kolonel,

Antar Ismail Çaushi,

Antar Argjir Lipivani

Me pjesëmarrjen e Prokurorit Major Gjon Banushi, dhe sekretarit Mustafa Zaja, filloi faqësisht e botënisht.

U soll i pandehuri, Ludovik, para gjyqit tue qenë i lirë dhe u vue në vendin e posaçëm.

I pandehur Ludovik Nika, biri i Gjekës dhe i Sheqës, datëlindje 1921, lindur në Shkodër, pa fëmijë, i martue me Qefsere Bekën, i arsimue në shkollën Jezuite në Shkodër. U kënduen aktet dhe shkurtimisht u thanë në parathënie të këtij proces-verbali.

U pyet i pandehuri mbi akuzën e tha se: kam qenë antar i PKSH-së dhe bëja aktivitetin në Tiranë. Kam shkue për punët e Partisë në Shkodër dhe prej andej, do shkoja në katundet e Mirditës, ku kisha shumë miq për propagandë. Tue ditë se situata ishte bë shumë e rrezikshme, nuk kam mujt me shkue dhe kshu u ktheva në Tiranë.

Në fushën e Çelës tek agjensija e Pjetër Çurçisë, më rrethoi policia dhe si të dyshimtë, më kërkuan letër-njoftimin që unë e kisha të ndryshëm, por i’a dhashë. Më thanë se për formalitet do të dërgojmë në polici dhe më dërguen në kazermë, në datën 2 maj 1942, ku ka qenë dhe nana ime.

Atje, ishte një Xhemal dhe nji i quajtur Nush Doda, që më njofti. Unë i thashë se jam Lutfi Deliu. Ata më goditën dhe më kërkonin pse kisha shkue në Shkodër.

Gjendja ime shpirtnore ishte e keqe, ngaqë më fejuen me nji, kundër dëshirës sime dhe më rrëshqitën fjalët tue kallzue për shtëpinë e Zef Ndojës dhe nji bazë, por asnji shok nuk kam tregue.

P.P. (pyetje-përgjigjie). Pse thotë Simi, mbi tregimet që paskam ba, se nuk është e vërtetë, nuk luftova kur më kapën, se nuk kisha armë. Nuk dij se kush e ka tregue shtëpinë pas Institutit Femënuer. Kam tregue se në shtëpinë e Zef Ndojës, rrijsha vetë dhe nuk kam tregue njeri. Perlat Rexhepi, më ka qëllue kot, porsa më pas më internuen në Itali.

P.P. unë kam pas lidhje me nji Vasil dhe me Jovan Bajraktarin. Dhe pse janë kapur këta, unë nuk e dij me e shpjegue. Siç thashë vetëm shtëpinë e Zef Ndojës, kam tregue kur më pyetën.

Depon e Shyqyri Këllezit, nuk e dij kush e ka tregue. Unë njifsha dhe shokë të tjerë, por nuk i kam spiunue. Zef Ndoja u kap pas tregimit tem, si dhe e shoqja Marije Lezja. Mue më gjetën fotografinë e saj. Pas arrestimit tim, janë kapur shumë shokë, por jo si flet Simi. /Memorie.al

Iftar dhe politikë, a u prek Muaji i Ramazanit nga politikanët?

View Results

dikur dikur dashnor kaloci enver hoxha dashnor kaloci enver hoxha

Sondazh

Poll

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

VIDEO-VIRALE/ Po fliste në Rrugën e Salës, demokrati 'kapet mat' nga gruaja

"Injoranca nuk është argument" Nuk i pëlqeu pyetja, Rama prek në faqe gazetaren Ambrozia Meta

Del VIDEOJA, Elia godet Princ Lekën: Familja ime të ka mbajtur me bukë

VIDEO/ Noka i jep Spiropalit pankartën, Ministrja ofrohet ta mbaj para fytyrës

Publikohen pamjet nga brenda bazës ajrore të Kuçovës, Komandanti: E gatshme për stërvitjen e trupave

Tempulli 2/ Me kanabis gati për shitje dhe shuma parash, arrestohen 4 të rinj në Tiranë

Dalin pamjet nga kasollja ku u vra 50-vjeçari në Durrës

Kontrabandonin ilaçe dhe telefona, arrestohen dy persona në Tiranë, sekuestrohen 47 iPhone

I vunë flakën eskavatorit me vlerë 150 mijë euro, arrestohen 2 autorët e ngjarjes

Reshjet e shiut dhe borës në vend, policia: Moderoni shpejtësinë e mos kryeni parakalime të gabuara

Kampioni Alvin Karaqi mes lotësh: Për besë u ndjeva si Gjergj Kastrioti kur mora flamurin

'Dokumentar horror'/ Berisha publikon pamjet: Do ju paraqes terrorin që Bajrajt ushtruan më 14 maj

Krimi në Bulqizë/ Fqinji: Po hante bukë në banesë kur erdhën dy makina!

Dosja "Gjici"/ Zv.kryetari i bashkisë së Kukësit shkon në SPAK

Newsroom 11 |XAMA: LAJMI I FUNDIT FAKE QË PASHË, ISHTE PËR MUA

Newsroom 11 |XAMA: KËSHILLË QYTETARËVE- MOS LEXONI VETËM NJË BURIM

Newsroom 11 | XAMA: GAZETARËT NUK SHKRUAJNË ME EMËR, KJO S'ËSHTË ETIKE

Xama në Newsroom: Lajmet e rreme përhapin panik! Më akuzuan se kisha marrë para për një shkrim

Muka në Newsroom: Në Shqipëri ka portale gjobaxhie, u bëjnë shantazh njerëzve

Xama në Newsroom: Fake News shpërndahet më shumë në Facebook e Tik Tok! Gazetarët të shkruajnë emrin

Newsroom 11 |Kush prodhon lajme të rreme në Shqipëri

Newsroom 10 |SENJA: NE S'REAGOJMË NDAJ GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 |HAZIZAJ: 'ÇOHU ENVER', PJESË E GJUHËS SË URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ KEMI MARRËVESHJE PËR TË MBROJTUR 'VIKTIMAT'

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES KA SHKAKTUAR DHE KRIME

Newsroom 10 |GAZETARI: GJUHA E URREJTJES, PJESË E SHOQËRISË

Newsroom 10 |HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES, E FRIKSHME NË SHQIPËRI

Vidhnin në banesa duke përdorur çelësa të klonuar, vihet në pranga 1 person,nje tjeter në kërkim

Newsroom 10 |GJUHA E URREJTJES PËRDORET NGA POLITIKA, AMA TË KONTROLLOJË GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: STEREOTIPET NXISIN GJUHËN E URREJTJES

Newsroom 10 | HAZIZAJ: GJUHA E URREJTJES LUFTOHET ME EDUKIM

Newsroom 10 | Gjuha e urrejtjes në media, si dhe kush e shpërndan?

Ndryshimet në PS/ Gjiknuri: S'është fundi, por fillimi i diçkaje të re.

Inceneratorët/ S’kam dhënë asnjë kontratë pa garë, ato janë publike!

Ndihet 'i shitur' nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndjej braktisje, kam komunikim me të prej 20 vitesh

Klosi: Kemi primare reformimin e partisë, PS synon mandatin e katërt

U shkarkua si Sekretar i Përgjithshëm, Gjiknuri: PS edhe kur fiton, refekton!

Digjet shtëpia në Shkodër, në banesë ndodhej një i moshuar, përfundon në spital

Vazhdon përplasja në PD! Basha kërkon mbledhjen e Komisionit të Etikës për të, Bardhi: Shenjë humbje

Vrasja e Jetmirës/ Autori u dënua me 28 vite burg, nëna e viktimës: Duhet dënim përjetë!

Newsroom 9 | Kallanxhi: Threads? S`besoj se do zgjasë shumë

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Mos merrni për bazë asgjë thuhet në rrjet

Newsroom 9 | Gazetarja: po ndodhin vrasje nga tik tok

Newsroom 9 | Eksperti i IT: Fake News dallohet vetëm po të jemi kritikë

Newsroom 9 | Kallanxhi: Shqiptarët besojnë gjithçka shohin në rrjet

Newsroom 9 | Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi: Tik Tok ka "fake news" sepse s'ka censurë

Newsroom 9 | Gazetarja: Shqipëria do kohë të përshtatet me Tik Tok

Newsroom 9| Eksperti i IT: Çdo rrjet është i përkohshëm, duhet të kujdesemi për vlerat

A mund të mbyllet TikTok për Shqipërinë? Flet për Newsroom eksperi i IT

Fëmija mbyllet brenda në shtëpi, nëna e alarmuar njofton zjarrfikësit, NDËRHYRJA nga ballkoni