
TIRANË- Pas lëshimit të 6 urdhër arresteve për bosët e botës së krimit nga SPAK ka ardhur reagimi i Ambasadores Amerikane në Shqipëri Yuri Kim.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Kim thotë se ditën e sotme SPAK ka marrë përsipër një rast kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Po ashtu ajo shpreson që SPAK të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla.
“SPAK ka marrë përsipër një rast tjetër të madh të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky nuk është veprimi i parë i tillë nga SPAK, dhe nuk do të jetë i fundit. Shpresojmë që SPAK do të vazhdojë të demonstrojë forcën, integritetin dhe aftësinë e tij përmes veprimeve të tilla. “– shkruan ajo.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka konfirmuar lajmin e publikuar ekskluzivisht nga Dosja.al teksa me anë të një njoftimi zyrtar bën me dije se janë rihapur dosjet për dy vrasjet e bujshme të ndodhura 15 vite më parë, ajo e Klodian Saliut dhe e Vajdin Lamajt.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme grumbulloi prova të cilat krijonin dyshime të arsyeshme në lidhje me autorët e këtyre dy ngjarjeve të rënda kriminale dhe ju drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj 6 të dyshuarve.
(A.k.dosja.al)