Politike

Xhafaj kundër të gjithëve: Koha për reflektim politik, jo për protesta e as për festa

Përmes disa postimeve të shkurtra në rrjetet sociale Xhafaj shprehet pozitiv për faktin se qytetarët patën mundësi të votojnë dhe të përfaqësohen në respekt të kushtetutës dhe ligjit.
Featured image of article: Xhafaj kundër të gjithëve: Koha për reflektim politik, jo për protesta e as për festa Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm

TIRANË- Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, duke i konsideruar si vullnet të qytetarëve për rrugën evropiane të vendit.

Përmes disa postimeve të shkurtra në rrjetet sociale Xhafaj shprehet pozitiv për faktin se qytetarët patën mundësi të votojnë dhe të përfaqësohen në respekt të kushtetutës dhe ligjit.

Ish-ministri i Brendshëm ka apeluar për reflektim politik ku nënvizon se nuk është koha për festa dhe protesta.

REAGIMI I PLOTË

Zgjedhësit e Njësisë 10 në Tiranë më 30 Qershor e shprehën vullnetin e tyre për Kryebashkiakun Erion Veliaj. Qartësisht e mbështetën edhe për një mandat tjetër në krye të punëve për Tiranën. Vullnetin për rrugën Evropiane të vendit, për stabilitetin, për lirinë e votës dhe përfaqësimit, për kushtetueshmërinë. Ndjehem mirë që ju dhamë mundësinë të votojnë dhe të përfaqësohen, në respekt të kushtetutës dhe të ligjit.

Situata politike e vështirë, por ja dolëm të organizojmë dhe të administrojmë normalisht këto zgjedhje. Standardet dhe zbatimi i ligjit mbi gjithçka. Sherrxhinjtë ishin te gardhi si “protestues/vëzhgues rruge”. Koha për reformë zgjedhore!

Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ekipin që punuam së bashku. Të deleguarit, kandidatët e këshillit, drejtuesit e @psocialiste të zonës, patronazhistët dhe komisionerët e kushdo tjetër që na u bashkua në këtë proces.

Megjithëse me më pak zgjedhës në listë, arritëm pjesëmarrje më të lartë mbi mesataren e vendit dhe kryesorja, më shumë vota se 2015, për kryetarin dhe këshillin. Tani është radha jonë! Për mua si deputet, për kryebashkiakun Erion Veliaj& këshillin, të mbajmë premtimet për më shumë investime në zonë & zgjidhje të problematikave sociale. Koha për reflektim politik, jo për protesta e as për festa. Për më shumë punë në shërbim të qytetarëve.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment