Aktualitet

Vula e njomë…ende mbi certifikatë, këpucët e vajzërisë Rezarta i la në dhomë… misteri i helmimit të çiftit, kush e piu fotoksinën i pari? Të dashuruar si në përralla, paguan lekët e dasmës në dorë (RRËFIMI)

Dy ditë pasi është martuar me Olsi Hajdarin, 19 vjeçarja ka hapur faqen në “Facebook” duke hedhur foto me bashkëshortin dhe pikërisht aty pret edhe urimet nga shoqëria e saj. Martesa e Rezartës me Olsin zgjati pesë ditë. Ditën e pestë ajo nuk u zgjua. U gjet e vdekur.
Featured image of article: Vula e njomë…ende mbi certifikatë, këpucët e vajzërisë Rezarta i la në dhomë… misteri i helmimit të çiftit, kush e piu fotoksinën i pari? Të dashuruar si në përralla, paguan lekët e dasmës në dorë (RRËFIMI) Rezarta, Olsiani dhe prinderit e tij

Këpucët ngjyrë gri me xixa të rreme dhe me pak takë, kanë mbetur në dhomën e gjumit. Rezarta Hajdari i veshi ditën e dasmës për t’i kombinuar me fustanin e bardhë. Këpucët me numër 38 janë pranë një palë këpucëve të tjera, që nusja e re i ka veshur në fshat. Mbi komonë me pasqyrë gjendet certifikata e vajzërisë së saj. Lart vulës së njomë lexohet datëlindja në vitin 2001, vendlindja Elbasan dhe vendbanimi në fshatin Fushë Buall. Në certifikatë nusja e re mban ende mbiemrin Xibrraku, një mbiemër me të cilin ajo prezantohet ende edhe në faqen e “Facebook” që e ka hapur mbrëmjen e dhjetë dhjetorit.

Dy ditë pasi është martuar me Olsi Hajdarin, 19 vjeçarja ka hapur faqen në “Facebook” duke hedhur foto me bashkëshortin dhe pikërisht aty pret edhe urimet nga shoqëria e saj. Martesa e Rezartës me Olsin zgjati pesë ditë. Ditën e pestë ajo nuk u zgjua. U gjet e vdekur. I shoqi Olsi Hajdari shtrirë përkrah saj me shkumë në gojë, në gjendje të rëndë dhe aspak në gjendje për të treguar se çfarë kishte ndodhur. Policia e cila kqyri dhomën dhe shtëpinë në Xhyrë nuk gjeti gjurmë të helmit që mund të jetë përdorur, çka e bën të dyshimtë dhe të pashpjegueshme rrethanat se çfarë ndodhi në dhomën e çiftit mesnatën e të premtes duke zbardhur e shtuna.

Megjithatë prokuroria e Elbasanit thotë se çdo gjë do zbardhet me dëshminë e Olsit, për të kuptuar nëse çifti e piu me dakordësi fostoksinën, apo njëri nga bashkëshortët helmoi partnerin dhe më pas e piu edhe vetë? “Kjo është pista kryesore” thonë burimet e prokurorisë së Elbasanit dhe për momentin përjashtohet çdo dyshim tjetër referuar edhe marrjes së provave në fshatin Xhyrë që nga mbyllja e dritares dhe gjithë itinerari që ka pasur çifti ditën e fundit”.

Dhoma tjetër ku jetojnë prindërit ka mobilie të vjetra dhe po ashtu edhe kuzhina. Fqinjët tregojnë se familja jetonte në kushte të vështira dhe se burimi i të ardhurave ishte emigracioni i Olsit, i cili pavarësisht kushteve jo të mira pronotoi lokalin e fshatit për të bërë një dasmë sipas mundësive.

Xh. H , është pronari ku u mbaj të dielën dasma. Ai tregon se gjithçka shkoi shumë mirë në dasmë. “E pronotuan lokalin me 142 vende dhe dasma zgjati deri në pesë të mëngjesit. Ata erdhën të nesërmen të dy dorë për dorë, dukeshin të dashuruar dhe më dhanë lekët e dasmës. E vetmja shenjë që dallova ishte lodhja, pasi normale kishin kërcyer gjithë natën në dasmë. Por asgjë tjetër. Jam i shokuar dhe nuk mund ta besoj”, thotë ai. Marrë nga Gazeta Si

Shto Koment