Aktualitet

Vrau me thikë 33-vjeçarin në Durrës/ Arbër Kote shfaqet i penduar: Nuk duhet ta kisha bërë, por më fyeu dhe qëlloi me grushte, e godita për vetëmbrojtje

Arbër Kote ka deklaruar se viktima e ka fyer dhe qëlluar me grushte disa herë dhe për vetëmbrojtje ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar.
Featured image of article: Vrau me thikë 33-vjeçarin në Durrës/ Arbër Kote shfaqet i penduar: Nuk duhet ta kisha bërë, por më fyeu dhe qëlloi me grushte, e godita për vetëmbrojtje Arbër Kote.

DURRËS- Arbër Kote, autori i vrasjes së Idajet Dullës është penduar për krimin e rëndë që ka kryer. Para oficerëve të policisë ai ka deklaruar se  sherri ka nisur për një parkim të gabuar të makinës. Ai ka treguar se viktima e ka fyer dhe qëlluar me grushte disa herë dhe për vetëmbrojtje ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar.

“Pikë së pari dua të them se më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Gjithçka ndodhi papritur, shumë shpejt dhe në gjaknxehtësi e sipër. Pavarësisht se ndodhem në bankën e të akuzuarit, unë mbi të gjitha u vetëmbrojta, pasi ai më sulmoi i pari duke më qëlluar disa herë. E gjitha nisi për shkak se unë i kërkova që të lëvizte makinën, sepse e kishte parkuar shumë keq dhe nuk kisha mundësi të merrja kthesën me autobus. Nuk më priste puna, pasi punonjëset e fasonerisë kishin përfunduar orarin e punës dhe më prisnin mua që të shkoja t’i merrja dhe t’i ktheja në shtëpi. I rashë borisë dhe i thashë: ‘hap krahun mirë të kalojmë’. Ai më pa shtrembër. I them prapë: ‘O shoku lëvize makinën se ke bllokuar rrugën’. Prapë ai më injoroi. ‘Ore do ta lëvizësh makinën ti apo si e ke hallin’, i thashë. Ai u irritua, nisi të më shante dhe erdhi u afrua, më goditi disa herë me grushta. Unë se prisja dhe u hutova për një moment.

Për t’u mbrojtur nxora thikën dhe desha ta largoja, por ai u afrua dhe thika e kapi në kraharor. Pastaj qytetarë të tjerë u morën me të, unë ika se më kapi paniku. Më vonë mora vesh se kishte ndërruar jetë. Jam penduar shumë, lejova që një konflikt banal të degjeneronte deri në këtë pikë,”- ka thënë Kote para grupit hetimor.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit. Viktima Idajet Dulla, shofer i një furgoni dhe u konfliktua me Arbër Kote për zënien e rrugës nga automjeti i tij. Pas zënkës, Arbër Kote ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në zemër të riun, duke e lënë të vdekur në vend. Idajet Dulla u gjet në rrugë nga familjarët e tij, të cilët e transportuan menjëherë në spital, por ai vdiq. Dulla ishte i martuar dhe la pas dy fëmijë jetim. Autori i krimit të rëndë u arrestua mëngjesin e sotëm. Ndërkohë mësohet se dy familjet ishin në konflikt të hershëm për rrugën, e cila i “mori” jetën të riut.

J.V/Dosja.al 

Shto Koment