
TIRANË– Zbulohen detaje të reja lidhur me të shkuarën e biznesmenit 37-vjeçar, Eugert Lazaj, i cili u gjet i vetëvrarë në banesën e tij, në një kompleks luksoz në periferi të Tiranës. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se pronari i “Adorions Palace” në vitin 2004 ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare pasi ishtë pajisur me atë gjermane. Vend në të cilin jetonte dhe punonte prej vitesh së bashku me familjen e tij.
Por planet duket se ndryshuan gjatë rrugës për 37-vjeçarin, i cili vendosi që të largohej nga Gjermani për të marrë sërish leje qëndrimi në Shqipëri. Ai depozitoi kërkesën, e cila u miratua nga organet përkatëse, por me afat. Lazaj mund të qëndronte në Shqipëri deri më 17 janar 2019 dhe pas këtij afati do t’i duhej që të largohej nga Shqipëri ose ndryshe ndaj tij mund të lëshohej ndonjë urdhër dënimi. Mesa duket planet e tij për të qëndruar në Shqipëri ishin më afatgjata, ndaj kishte vendosur që të ankimonte vendimin në Gjykatën Administrative që të pajisej me leje të përherëshme.
Po cila ishte arsyeja që shqiptarit iu refuzua leja e qëndrimit, duke marrë parasysh që në vendin tonë kishte edhe një biznes?
Në bazë të informacioneve të siguruara nga Dosja.al të riut iu refuzua leja e qëndrimit për shkak se dyshohej se i riu ishte i përfshirë në pastrim parash, megjithatë hetimet për të nuk nisën kurrë.
Eugert Lazaj u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij brenda një kompleksi shumë të njohur vilash në zonën e Farkës. Ndërkohë nuk është ende e paqartë nëse biznesmeni është vrarë apo është vetëvrarë. Dosja.al ka kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Shtetit, por ende nuk ka një reagim për të sqaruar më tej rrethanat e ngjarjes.
(k.m/dosja.al)