
TIRANË– Kamerat e sigurisë në servisin që ndodhet pak metra nga vendngjarja ku u plagos Klodian Rasha kanë qënë të fikura dhe nuk është filmuar asgjë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth ngjarjes, përfshirë edhe në servisin që gjendet pak metra larg vendit ku është ekzekutuar 25-vjeçari, Klodjan Rasha. Po ashtu bëhet me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, e cila ka kapur disa sekuenca të lëvizjes në vrapim e sipër me shpejtësi të të riut.
Ndërkohë, efektivi i policisë që ka shtënë në drejtim të Rashës kishte dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Burimet ndërkohë bëjnë me dije se efektivët “Shqiponja” nuk kanë patur kamera trupi të instaluara.
E gjithë ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatë. Efektivi i Policisë i mbetur vetëm me 25-vjeçarin Klodian Rasha e ka qëlluar me armën e shërbimit duke e plagosur për vdekje. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, 25-vjeçari nuk u mbijetoi plagëve të marra. Vetë Policia ka dhënë versione të ndryshme, duke pranuar se nuk kishte armë, deklaratë që e rrëzoi vetë pak më vonë. Prokuroria dhe SHÇBA po ndjekin ngjarjen për të parë nëse kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave të policisë apo jo.
(A.B)/Dosja.al