Aktualitet

Ekzekutimi i Santiago Malkos/ Prokuroria mbyll hetimin për Blendi Tetën, ‘vëzhguesi’ i Klanit Duka do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim

EKSKLUZIVE
  • Ish-polici Santiago Malko shkoi tek i biri në spital para se të vritej, klani Duka i zuri pritë
  • Mbyllet hetimi për Blendi Tetën. Prokurori Behar Dibra e akuzon Tetën për vrasje me paramendim, e kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Blendi Teta orientoi autorët e vrasjes për lëvizjet e fundit të Santiago Malko. 
    Featured image of article: Ekzekutimi i Santiago Malkos/ Prokuroria mbyll hetimin për Blendi Tetën, ‘vëzhguesi’ i Klanit Duka do të përballet me akuzën e vrasjes me paramendim Blendi Teta dhe Santiago Malko

    TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, (SPAK), më 2 tetor 2020, ka finalizuar hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë për Blendi Tetën, një nga anëtarët e grupit Duka, të akuzuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Kur ka kaluar mbi një vit nga vrasja e Malkos, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e Xhamllikut në Tiranë, prokurori Behar Dibra, në një material voluminoz të siguruar ekskluzivisht nga Dosja.al, akuzon për “vrasje me paramendim” kryer nga grupi i strukturuar kriminal dhe pjesëmarrës në të”, 40-vjeçarin Blendi Teta. Pavarësisht se gjatë hetimit, Teta nuk ka pranuar pjesëmarrjen në këtë vrasje, prokuroria thotë se “Provohet fakti se për shkak të të ushtruarit të aktivitetit “Lloto Sport”, prej vitesh i akuzuari Blendi Teta ka njohje dhe marrëdhënie biznesi të palicensuar në këtë aktivitet me të hetuarit Leonard e Erlis Duka, dhe prej këtyre dhe me pjestarët e tjerë të grupit kriminal.“. 

    Organi i akuzës risjell dinamikinë e vrasjes, që nga organizimi në lokalin e dy vëllezërve Duka, Erlis dhe Leonard, në Fresk, dhe pjesëmarrjen e Tetës në këtë ngjarje. “Blendi Teta ka qenë i pranishëm në drekën në lokal “La Familia” që administrohet nga vëllezërit Duka; nga këtu dhe në veprimet e ndërmarra më pas, për ndjekje e automjetit të viktimës së veprës penale, ai ka qenë sërish në shoqërinë e Bashkëpunëtorëve në krim; ai ka qenë i vetëdijshëm se kë po ndiqnin e mbikqyrnin dhe me ç’qëllim po bëhej kjo; në vendngjarje ai ka kryer veprime ndihmëse për realizim të vrasjes; pas ngjarjes ai u fsheh tek e dashura dhe nuk u vetëdorëzua deri pas kalimit të dy javëve e ca nga kryerja e vrasjes dhe pasi kishte fshehur të gjitha gjurmët që sipas tij mund të të çonin në identifikimin e tij; me këtë rast ai ka patur mundësi të fshihte dhe telefonin që ka përdorur në vendngjarje dhe në polici është paraqitur me një telefon celular pa kartë sim.”

    Por pse e akuzon konkretisht prokuroria Blendi Tetën?

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Megjithëse përpiqet të shfaqet si i distancuar nga veprimet e klanit Duka, Teta sipas prokurorisë ka orientuar autorët për lëvizjet e viktimës. “I akuzuari Blendi Teta në kuadër të grupit të strukturuar kriminal përmes pjesëmarrjes në të ka kryer veprime bashkëpunuese në rolin e ndihmësit për realizimin e vrasjes së viktimës së veprës penale Santjago Malko. Ai ka orientuar pjestarët e tjerë të grupit kriminal për lëvizjet e viktimës së veprës penale para ngjarjes. Pretendimi se ai nuk është i përfshirë në direkt në krim dhe nuk bashkëvepruar me të tjerë për të kryer krimin e vrasjes, pasi është larguar nga vendngjarja para se të kryehej vrasja, hidhet poshtë si i pabazuar në akte dhe prova. Vetëm se në rast se ai do të kishte parandaluar kryerjen e krimit duke e kallëzuar atë në organet e ndjekjes penale do të pranohej pretendimi i heqjes dorë prej tij nga kryerja e krimit”.-thuhet në dosjen hetimore në ngarkim të tij. 

    Teta, i arrestuari i parë i kësaj ngjarjeje, denonconte disa muaj më parë se ishte i kërcënuar pas vrasjes së Santiago Malkos. 

    Vrasja e Santiago Malkos

    Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Dosja.al zbuloi skandalin, se Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim. Për vrasjen e Malkos, prokuroria akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga,  Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica.

    (F.g/dosja.al)

    Shto Koment