Aktualitet

Vrasja e Santiago Malkos/ Krimet e Rënda lënë në burg Blendi Tetën, akuza që rëndon mbi të

Krimet e Rënda japin "arrest me burg" për Blendi Tetën.
Featured image of article: Vrasja e Santiago Malkos/ Krimet e Rënda lënë në burg Blendi Tetën, akuza që rëndon mbi të Santiago Malko dhe Blendi Teta.

Tiranë- Gjykata Penale e Tiranë ka shpallur mos-kompetencë për vrasjen e Santiago Malkos. Çështja i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila ditën e sotme i ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë  për Blendi Tetën. Ai akuzohet për “moskallëzim krimi”. Mësohet se Teta nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.

Pak javë më parë Gjykata e Krimeve të Rënda dha në mungesë masën “arrest me burg” për 8 anëtarët e klanit “Duka”, të cilët janë shpallur në kërkim pasi akuzohen për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malkos. Në kërkim nga Policia janë dy vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj, Fatmir Hyseni (Doqja).

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Ai ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si bosi i lojërave të fatit.

Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh.

Pas kësaj ngjarje të rëndë, Dosja.al zbuloi skandalin, se Santiago Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim.

J.V/Dosja.al

Shto Koment