Aktualitet

Vrasja e Hermes Beqirajt për një kapele, dëshmia e shokut fundos autorin, tensione në gjyq

  • Akuza ndaj trupës gjykuese, famijarët e Hoxhajt shoqërohen në polici
  • Në seancën e 26 gjyqësore për vrasjen e Hermes Beqirajt, njëri prej dy të akuzuarave ka rrëfyer para trupit gjykues. Ditmir Harifi ka dëshmuar se ishte Elvis Hoxhaj ai që e kreu vrasjen, ndërsa vetë ka kërkuar vetëm falje dhe mëshirë. Fundi i seancës gjyqësore ka pasur tensione mes familjarëve të autorit të dyshuar dhe trupës gjykuese. Si pasojë gardianët e burgut të Shën Kollit u detyruan të ndërhynin.
    Featured image of article: Vrasja e Hermes Beqirajt për një kapele, dëshmia e shokut fundos autorin, tensione në gjyq Autori i akuzuar i vrasjes Elvis Hoxhaj dhe viktima Hermes Beqiri

    SHKODËR- Në seancën e 26 gjyqësore për vrasjen e Hermes Beqirajt të dy të akuzuarit janë rrëfyer lidhur me krimin e kryer natën e 4 nëntorit.

    Burime për dosja.al bëjnë me dije se njëri prej të autorëve të akuzuar, Elvis Hoxhaj u shpreh se nuk e kishte kryer ai vrasjen, ndërsa shoku i tij rrëfeu gjithë ngjarjen duke kërkuar falje dhe mëshirë. Të dy të rinjtë akuzohen për një vrasje të kryer në bashkëpunim.

    Avokati i autorit të dyshuar Elvis Hoxhaj, Kreshnik Kolndreaj deklaroi para trupit gjykues se nuk ishte klienti i tij, ai që e kishte kryer vrasjen. Sipas tij, Hoxhaj e kishte pranuar krimin duke treguar një fabulë të trilluar për shkak të presionit që ishte ushtruar mbi të në momentin e arrestimit por sipas tij janë provat ato që tregojnë se klienti i tij nuk e ka kryer krimin.

    “Në momentin e arrestimit autorit nuk i janë gjetur as në duar dhe as fytyrë shenja baruti, arma e gjetur nuk provon se krimi është bërë përmes saj, ndërsa celula e telefonit është prova më e fortë ku mbështet mbrojtja pasi kompanitë telefonike provojnë se kur ka ndodhur vrasja Elvis Hoxha ka qënë 15 km larg vendngjarjes,”-tha avokati para trupës gjykuese.

    Kolndreaj gjithashtu kërkoi lirimin nga akuza “vrasje me paramendim” dhe dënimin vetëm për armëmbajtje pa leje për Elvis Hoxhën.

    Por dëshmia e dhënë nga i pandehuri tjetër, Ditmir Harifi nëpërmjet avokatëve të tij Fatbardh Kadria dhe Anton Kosteri ka treguar një version tjetër të ngjarjes.

    Harifi ka dhënë një dëshmi të detajuar rreth ngjarjes duke kërkuar disa herë falje dhe mëshirë për krimin e kryer. Ai gjithashtu ka pohuar se nuk ka pasur për qëllim vrasjen e Beqirit pasi ishin shokë.

    “Me Hermes Beqirin ishim shokë po ashtu dhe me Elvis Hoxhën. Paraditen e datës 2 nëntor kam qënë së bashku tek daja i Elvisit në Gruemirë të Malësisë së Madhe me motorçikletë. Pasdite jemi nisur për kafe në lagjen Kiras ku na priste Hermesi me shokë të tjerë. Ai kishte blerë motor sportiv dhe i kërkova të ma linte për ta provuar. Bëra një xhiro i vetëm, më pas me Hermesin dhe pastaj sërish vetëm. Herën e fundit e mbusha me karburant me lekët e mia dhe për këtë kam dëshmitarë. Kur u ktheva tek lokali Hermesi i kishte marrë kapelën Elvisit dhe ky i fundit i kërkonte t’ja kthente. Debatuan ashpër me njëri-tjetrën, në fund Hermesi ia ktheu por e fyeu me fjalë dhe e goditi me shkelm në ije. Në këto momente Elvisi më kërkon të ikim në shtëpi të merrnim lekë për të paguar kafet pasi nuk kishte të holla të mjaftueshme me vete. E marr dhe nisemi, më kërkon të ndaloj pranë një kanali, ku mesa po e kuptoj kishte fshehur armën që unë nuk e pashë dhe e fshehu nën xhaketë. Pastaj më kërkon që të rikthehemi sërish tek lokali pasi kishte për t’i dhënë diçka djemve. Sapo mbërritëm, zbriti nga motori dhe qëlloi në drejtim të Hermesit duke e lënë të plagosur rëndë. Pasi qëlloi mbi Hermesin mu drejtua mua dhe me armë në dorë më kërkoi që të largoheshim. Nga frika dhe paniku për gjithë çfarë kishte ndodhur kam ecur deri në lagjen Rus dhe aty jemi ndarë. Unë nuk kam paramenduar vrasjen dhe nuk kam pasur asnjë qëllim apo përfitim nga ngjarja. Kam bërë gabim trashanik me pasoja katastrofike për familjen e Hermes Beqirit. U kërkoj falje dhe mëshirë.”

    Më tej, avokati Anton Kosteri kujtoi se duhet ndryshuar akuza për të dy të pandehurit pasi ngjarja nuk ishte një vrasje me paramendim pasi diçka e tillë kërkon organizim, bashkëpunim, metoda dhe kohë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur brenda 15 minutash maksimumi dhe mund të akuzohen vetëm për “vrasje me dashje”.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Gjithashtu avokati ka rikujtuar se Ditmir Harifi ka qënë i mitur në kohën kur ka ndodhur vrasja dhe nuk ka qënë në dijeni të krimit që do kryej mbi shokun e tij. Kosteri nuk la pa përmendur as faktin që klienti i tij nuk ka pasur më parë precedent penalë, ndryshe nga Hoxhaj i cili ka qënë i dënuar për vjedhje.

    Klienti im ka qënë sportist me rekorde kombëtare në hipizëm dhe me një sjelle model në komunitet. Kërkoj dënim minimal për të me bindjen se është penduar thellësisht,”-shtoi më tej avokati.  

    Pas fjalës së avokatëve, trupa gjykuese i ka dhënë fjalën edhe dy të pandehurve. Elvis Hoxhaj tha vetëm: Unë një shok që e kam, nuk e çoj më për me e vra, kërkoj drejtësi. Ndërsa Ditmir Harifi ka kërkuar vetëm mëshirë dhe falje.

    Seanca e radhës dhe e fundit për këtë ngjarje, pritet të zhvillohet më 26 shkurt, ditë kur edhe pritet që të jepet vendimi.

    Fundi i senacës gjyqësore ka përfunduar në akuza ndaj trupës gjykuese dhe avokatëve nga ana e familjarëve të autorit të dyshuar Elvis Hoxhaj. Tonet e larta kanë detyruar të ndërhyjnë gardianët e burgut të “Shën Kollit”, të cilët më pas kanë sinjalizuar policinë vendore të Shkodrës.

    Shoqërimi i familjarëve të Elvis Hoxhajt në Komisariat

    Familjarët janë shoqëruar në polici ndërsa kanë shprehur pendesë për reagimet në sallën e gjyqit. Kjo pasi i biri i tyre po akuzohej padrejtësisht për vrasjen e shokut të tij të ngushtë.

    Hermes Beqiri u plagos rëndë me armë zjarri më datë 4 nëntor të vitit 2017, duke ndërruar jetë të nesërmen në spital. Gjithçka ka nisur nga një lojë për një kapele. Menjëherë pas ngjarjes, policia e Shkodrës arrestoi autorin e dyshuar të plagosjes me pasojë vdekjen, Elvis Hoxhajn, atë kohë 17 vjeç. Bashkë me të, blutë arrestuan edhe shokun e tij, Ditmir Harifin, 17 vjeç i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Pas plagosjes së Beqirit, Hoxhaj u arrestua teksa ende në dorë mbante në dorë automatikun me të cilin kishte kryer edhe vrasjen.

    (k.m./dosja.al)

    Shto Koment