
PRISHTINË-Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ditën e sotme kanë votuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Sipas mediave të Kosovës, bëhet e ditur se 72 deputetë kanë qenë pro këtij Projektligji. Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të mundësojë rikuperimin e humbjeve të bizneseve për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.
Ndërkaq, votimit të këtij raporti i ka paraprirë miratimi i katër amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.
Amendamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë së rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës në afatin prej gjashtë muajsh nga miratimi i këtij ligji.
Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaria e bizneseve të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, nuk do paguajn TVSH.
Amendamenti i tretë, të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt, paguhen nga ana e buxhetit të Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
(k.a/dosja.al)