Aktualitet

Vonesave e rrogave/ ‘Shfajësohet’ Ministria e Financave: Institucionet s’kanë dërguar urdhër-shpenzimet, paratë kanë kaluar nga Thesari

Ditën e sotme, infermierët e QSUT denoncuan publikisht vonesën e rrogave të muajit tetor, pavarësisht se data shënon 6 nëntor.
Featured image of article: Vonesave e rrogave/ ‘Shfajësohet’ Ministria e Financave: Institucionet s’kanë dërguar urdhër-shpenzimet, paratë kanë kaluar nga Thesari Foto ilustruese
Përditësuar:

TIRANË- Ministria e Financave pranon vonesën e rrogave në Administratë. Në një reagim për mediet, Ministria e Financave sqaron shkurtimisht se vonesa ka ardhur për shkak të një udhëzimi të ri, për siguracionet dhe se zyrat e financave kanë vonuar procesin, duke ia kaluar përgjegjësinë për lënien pa rroga të qindra familjarëve një procesi burokratik të zyrave të financave, e duke mos sqaruar kur do të zgjidhet problemi.

“Vonesa e shkaktuar pas udhëzimit të ri për siguracionet. Zyrat e financave po vonojnë procesin. Kanë kaluar paratë nga Thesari i Shtetit.”-sqaron MF. 

SQARIM I MFE PER PAGESAT E BUXHETORËVE:

Lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në media për sa i përket vonesave te pagave të punonjësve buxhetorë sqarojmë se  :

Vonesat e pagesës së pagave të disa institucioneve  nuk kanë ardhur si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të Thesarit, por për shkak të mos paraqitjes së urdhër – shpenzimeve nga ana e disa institucioneve.

Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit është përgjegjëse për realizimin e pagesave në mënyrë të centralizuar, nëpërmjet sistemit informatik financiar të qeverisë. Për të zbatuar këtë detyrë DPTH  aprovon shpenzimin në zbatim të kërkesave të kontrollit që burojnë nga aktet ligjore dhe nënligjore. Në zbatim të urdhrit të Ministrit,  DPTH autorizon pagesën e pagave, vetëm nëse shoqërohet së bashku me deklaratën e pagesës së sigurimeve shoqërore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar në terma konkretë, duke realizuar një ndryshim në Udhëzimin e Zbatimit të Buxhetit 2019, përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohësisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, po në bazë të këtij Udhëzimi, siguron zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri që prej muajit Tetor 2019.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë siguron qytetarët shqiptarë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, brenda hapësirave që lejon ligji, që çështje të kësaj natyre  të mos cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e indikatorëve bazë të ekonomisë.

Ditën e sotme, infermierët e QSUT denoncuan publikisht vonesën e rrogave të muajit tetor, pavarësisht se data shënon 6 nëntor.

Ndërkohë që Dosja.al është interesuar edhe në të tjera institucione shtetërore. Inspektoriati i Mjedisit, FDSKSH, por edhe mësuesit e Policia e Shtetit kanë patur probleme me pagat. Ish-kryeministri Sali Berisha, denoncoi disa ditë më parë se rrogat e mësuesve do të shtyhen nga data 1, për në datën 15.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment