
SHKODER – Pas 3 fitoreve radhazi, Vllaznia regjistroi ndalesën e parë për vitin 2021, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Kastriotit në “Loro Boriçi”.
Përballë një Vllaznie, që donte me çdo kusht tri pikët, skuadra e Ramazan Ndreut u mbrojt mirë dhe arriti t’u merrte një pikë kryesuesve të Superiores, brenda në Shkodër. Skuadra e Brdariç ishte dominuese në lojë, por çaloi në fazën sulmuese dhe sidomos në pasimin e fundit, duke mos mundur këtë herë të gjejë dot rrugën e rrjetës.
Për t’u përmendur edhe fakti që Kastrioti e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi në minutën e 93-të, Sokol Neziri u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj brazilianit Da Silva. Gjithsesi, nervozimi ishte i pranishëm në fushën e “Loro Boriçit”, ndërkohë që krutanët pretenduan edhe për një penallti.
36 pikë për Vllazninë pas 16 javësh, ndërkohë që Kastrioti mori një pikë të artë për t’iu larguar më shumë garës për mbijetesë. Krutanët u ngjitën në kuotën e 18 pikëve dhe duke ruajtur distancën e sigurisë nga tri vendet e fundit.
Me këtë barazim skuadra shkodrane e thelloi përkohësisht në 10 pikë avantazhin ndaj dy ndjekëseve më të afërta, Partizani dhe Teuta, të cilat do të përballen midis tyre nesër në Durrës.
B.T (Dosja.al)