Politike

“Vizita e Palmer, moment kyç për zgjidhjen e të ardhmes demokratike të vendit”

Retorika e ashpër politike, gjuha e fortë konfliktuale e përdorur nga liderët politikë dhe qasjet e njëanshme radikale të ofruara si zgjidhje prej krerëve të të dy partive të mëdha PS e PD, jo vetëm që nuk kanë bazë të fortë vlerash e parimesh demokratike por vështirësojnë shumë çdo qasje tjetër.
Featured image of article: “Vizita e Palmer, moment kyç për zgjidhjen e të ardhmes demokratike të vendit” Premto Gogo.

Përpjekjet shtetformuese dhe reformat e mëdha që janë duke u kryer janë një kontribut i pamohueshëm dhe i drejtëpërdrejtë, veçanërisht i dy forcave politike më të mëdha e liderëve të tyre, sikundër është edhe qasja e re proaktive e ndjekur pas vitit 2013 në komunikimin institucional e politik, por që nuk arriti të jetë një dialog dhe komunikim i hapur e gjithëpërfshirës mbi baza të forta të parimeve demokratike e shtetformuese, larg dakortësive të mbyllura e të ngushta.

Retorika e ashpër politike, gjuha e fortë konfliktuale e përdorur nga liderët politikë dhe qasjet e njëanshme radikale të ofruara si zgjidhje prej krerëve të të dy partive të mëdha PS e PD, jo vetëm që nuk kanë bazë të fortë vlerash e parimesh demokratike por vështirësojnë shumë çdo qasje tjetër dhe nuk lënë asnjë shteg për zgjidhje.

Në një situatë kur fryma e parimeve demokratike e kushtetuese të jetësuara nga populli shqiptar në Kushtetutën e Republikës është vënë në pikëpyetje, kur pushteti parlamentar e ai ekzekutiv është shndrruar në një pushtet të njëanshëm politik dhe kur pushteti gjyqësor është në një proces të thellë reformimi e pjesërisht jofunksional, çdo vazhdimësi e kësaj sjellje në këtë trend jo vetëm që dëmton rëndë projektin shtetformues shqiptar por mund të çojë në separatizëm dhe konliktualitet të gjerë shoqëror.

Raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare, sidomos ai i situatës së të drejtave të njeriut dhe Raporti i Strategjisë për Kontrollin Ndërkombëtar të Narkotikëve të Departementit të Shtetit vënë theksin tek situata serioze dhe problematikat e mëdha me të cilat duhet të përballen demokracia dhe institucionet e brishta të shtetit shqiptar.

Është koha që e gjithë klasa politike në vend, veçanërisht partia Socialiste dhe ajo Demokratike të marrin me seriozitet dhe maturi të lartë përgjegjësitë që iu takojnë. Kjo situatë është, as më shumë dhe as më pak, një meritë dhe përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e tyre dhe veçanërisht e dy kryetarëve të tyre. Tranzicioni 27 vjeçar, krizat ciklike politike dhe institucionale si dhe zgjidhjet dritëshkurtra jovizionare duhet të marrin fund.

Kjo mazhorancë dhe kjo opozitë, në rradhë të parë, por edhe gjithë klasa politike dhe mbarë elita e vendit duhet të marrin përgjegjësitë përballë të ardhmes së vendit duke treguar pjekuri e kulturë europiane duke filluar përpjekjet për ndërtimin e një platforme zhvillimi politik e institucional afatgjatë, vizionar e gjithëpërfshirës të ngritur dhe bazuar mbi një sistem vlerash që farkëtohet në vazhdimësi prej procesesh zgjedhore të lira e të ndershme që sigurojnë dhe pasqyrojnë vullnetin e lirë e të pandikuar të shtetasve; një sistem politik të hapur dhe mbështetës ndaj alternativave të mendimit apo kandidimit; një sistem me institucione të konsoliduara, transparente e llogaridhënëse dhe të varuara vetëm nga zbatimi me koherencë, në mënyrë të plotë dhe të barabartë të ligjit; një sistem me një shoqëri të informuar dhe mbrujtur me parimet e kulturës demokratike ku kryefjalë mbetet përgjegjësia, moraliteti dhe integriteti individual, politik e institucional dhe që ka besim dhe mbështet një sistem drejtësie të pavarur, të pastër, të pandikuar e funksional.

Dialogu i menjëhershëm midis dy liderëve, Kryetarit të Partisë Socialiste Z. Edi Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha, i hapur e gjithëpërfshirës, për zgjidhjen e krizës së të ardhmes demokratike të vendit është një dosmosdoshmëri. Një dialog i cili përpos sigurimit të vlerave dhe lirive demokratike, të sigurojë pandalshmërinë dhe mbështetjen pa rezerva të procesit të reformës në drejtësi, proceseve të tjera madhore si ai i dekriminalizimit apo i kulturës së vetingut në të gjitha hallkat me rol dhe ndikim në projektin shteformues, si edhe luftën pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Politika shqiptare dhe aktorët me ndikim duhet të vlerësojnë se një ndër kontributet, me të cilat Shqipëria të mund të shprehë mirënjohjen ndaj mbështetjes në vazhdimësi prej partnerëve ndërkombëtarë veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Vendeve të Bashkimit Europian, duke u bërë vërtet lider dhe faktor stabiliteti në rajon e më gjerë, është jetësimi dhe manifestimi në të gjitha hallkat e shoqërisë i vlerave më të mira të parimeve dhe lirive demokratike duke manifestuar një demokraci funksionale dhe të gjallë.

Duke vlerësuar vizitën e sotme të Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit z. Matthew Palmer si një mundësi të artë dhe në kohën e duhur, KRIIK nxit dhe beson tek pjekuria dhe vizioni i secilit prej dy liderëve z. Rama dhe z. Basha që nëpërmjet një dialogu të sinqertë, transparent e gjithëpërfshirës të ofrojnë zgjidhjen e duhur e vizionare për të ardhmen demokratike të vendit.

KRIIK Albania është një organizatë jo-qeveritare, jo-fitimprurëse dhe jo-partizane e cila ka si mision mbrojtjen dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike si dhe nxitjes për përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie të plotë të institucioneve publike dhe politike.

KRIIK Albania në bashkëpunim me apo në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një ndër organizatat themeluese dhe drejtuese të KVV, ka ndjekur në vazhdimësi zhvillimin e të gjitha proceseve politike, institucionale dhe ligjore të cilat afektojnë drejtëpërsëdrejti apo indirekt integritetin e proceseve zgjedhore dhe ecurinë e procesit demokratik në tërësi.

Në vazhdim të këtij angazhim, KRIIK ka ndjekur nga afër dhe me shumë vëmendje situatën politike dhe institucionale në vend veçanërisht pas krizës së pranverës 2017, krizë e cila shënon si zgjatim dhe produkt të saj situatën e paprecedentë dhe të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet sot vendi. /Premto Gogo, drejtues i KRIIK ALBANIA

B.N/dosja.al

Shto Koment