Politike

“Do t’ua kthejmë vendin njerëzve”/ Basha pritet me ovacione në Pogradec: Bashkë do fitojmë

VIDEO
Në fjalën para qytetarëve të Pogradecit, Basha tha 25 prilli është dita që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve, dhe do të jetë momenti historik i ndryshimit.
Featured image of article: “Do t’ua kthejmë vendin njerëzve”/ Basha pritet me ovacione në Pogradec: Bashkë do fitojmë Lulzim Basha

POGRADEC- Kryedemokrati Lulzim Basha ka vizituar ditën e sotme qytetin e Pogradecit ku dhe ka mbajtur fushatën e tij elektorele në këtë qytet. Në fjalën para qytetarëve të Pogradecit, Basha tha 25 prilli është dita që Shqipëria t’u kthehet shqiptarëve, dhe do të jetë momenti historik i ndryshimit.

Basha gjithashtu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Pogradecit që në 25 prill të shkojnë në kutitë e votimit dhe të votojnë Partinë Demokratike. Basha në fjalën e tij gjithashtu ka përmendur disa nga premtimet e kryeministrit Rama, që sipas tij nuk janë mbajtur.

“Mirë se ju gjejë vëllezër dhe motra, mirë se ju gjejë të rinj e të reja, zonja dhe zotërinj, pogradecare dhe pogradecarë mirë se ju gjejë! Çfarë nuri keni sjellë sot Pogradecit. Çfarë numri përcillni sot gjithë Shqipërisë. Me gëzim, me buzëqeshje sepse e dini se e diela është dita juaj. Dita e pogradecarëve, dita e shqiptarëve, dita e ndryshimit, dita e fitores. Ka zbritur njësoj si ky muzg i bekuar , nuri i fitores me shpirtrat e pogradecarëve dhe të korçarëve, të vlonjatëve e të shkodranëve. Nga Durrësi në Tiranë, nga Gjirokastra në Tropojë, anembanë Shqipërisë zemrat janë mbushur me shpresë, me besim me mendimin e madh për ta bërë këtë të diel ditën kur Shqipëria i kthehet shqiptarëve.

E prek këtë gëzim, e prek këtë frymëzim magjepsës, këtë emocion të patregueshëm, e shoh në sytë e nënave të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë. E dëgjoj në zërin e rinisë së mrekullueshme të këtij qyteti dhe sytë e përlotur nga gëzimi të prindërve dhe gjyshërve tanë. Sepse unë e di, ju e dini, të gjithë shqiptarët e dinë se e diela është dita e fitores së madhe. E fitores më të madhe që Shqipëria dhe shqiptarët kanë korrur ndonjëherë. Sepse është dita e bashkimit të zemrave tona. Pas 8 viteve të gjata dështimesh, pas 8 vitesh të gjata vuajtjesh, 8 vite kur një liqen i tërë me lotët e nënave dhe baballarëve është mbushur dhe është zbrazur disa herë nga zemrat e plagosura edhe dhimbja prej emigracionit, prej korrupsionit që varfëroi të gjithë shqiptarët për të pasuruar një njeri dhe një grusht njerëzish. E pra 8 vite të gjata vuajtje.

Tani po i afron fundi. Dita e ndryshimit po afron. Dita e fitores po afron. Për çdo shqiptar, për gjithë ju vëllezër e motra, për të gjithë pa përjashtim, të djathtë e të majtë, që më 25 prill me kokën lartë dhe zemrat plot besim do të shkojnë drejt kutive të votimit për të votuar për ndryshimin, për të votuar numrin 9. Paniku dhe frika e Edi Ramës nga humbja e thellë që e pret e ka shtyrë atë drejt krimeve dhe drejt gënjeshtrave, por ai nuk e ndal dot më, nuk e ndal dot më të pandalshmin ndryshim që do Shqipëria, që kanë nevojë shqiptarët, që kërkon rinia dhe bashkë do ta bëjmë realitet. Kjo perlë, kjo perlë që është qytet dhe është poezi në zemrën e çdo shqiptari e di fare mirë se çfarë ndieni ju banorët e këtij qyteti fisnik dhe ju të gjithë fermerët e zonave përreth, që jeni në këtë zonë të bekuar, të bekuar nga zoti dhe 8 vite me radhë jo vetëm nuk ia keni ndierë të mirat punës tuaj, por e keni futur kokën gjithmonë poshtë e më poshtë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ata zhyteshin në luks dhe ju s’kishit ujë për të pirë. Ata pasuroheshin dhe djemtë e nënave tona shkonin në emigracion. Kjo është Shqipëria e 8 viteve të Edi Ramës dhe kështu e ka mbajtur për 8 vite vendin peng të mashtrimeve dhe gënjeshtrave, peng të aferave të tij korruptive. Dhe tani guxon, guxon të vijë e të kërkojë edhe 4 vite të tjera. E dëgjuat të gjithë skandalin e drejtorit të legalizimeve që tha le t’ja marrim votën e pastaj do ja prishim shtëpitë 100 mijë shqiptarëve, 100 mijë familjeve shqiptare. 8 vjet më parë premtoi legalizim falas, por ky është Edi Rama i vërtetë ai që mundin dhe djersën e një jete të tërë, tuajën dhe të prindërve tuaj do ta shkatërrojë.

Por në fillim t’ju mashtrojë, t’ju marrë votën, t’jua prishë shtëpitë pa dëmshpërblim. Ky është Edi Rama i vërtetë, dështimi i 8 viteve që tani kërkon të hyjë përsëri në shtëpitë e pogradecarëve dhe shqiptarëve, mbylljani derën, mbylljani derën dhe dritaret. Hapini zemrat tuaja, çlirojeni gëzimin e fitores së thellë sepse Shqipëria nuk është e Edi Ramës, nuk është e këtij grushti njerëzish që e kanë shtrydhur deri në palcë dhe na kanë varfëruar dhe na kanë bërë kombin më numrin më të madh të emigrantëve në botë. Jo, ky është Pogradeci i pogradecarëve. Ky është vendi ynë, është vendi i të rinjve tanë, i prindërve tanë dhe ne së bashku do të punojmë që pasurit e bekimet e Shqipërisë ti gëzoj çdo shqiptarë, që pasuritë e bekimet e Pogradecit dhe të Korçës ti gëzojnë pogradecarët dhe korçarët dhe shqiptarët. Ky është vendi ynë.

Le ta marrim në dorë fatin tonë duke votuar numrin 9. Për ti dhënë fund plagëve të këtyre 8 viteve. Për t’jua ngritur kokat prindërve tanë të gjymtuar nga varfëria dhe poshtërimi. Le të votojmë numrin 9. Për të hapur derën e mbyllur të Europës, për të bërë të mundur atë që duan të gjithë shqiptarët, hapjen e negociatave, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është në dorën tonë. Është në dorën tuaj dhe në 25 prill Pogradeci do ti kthehet pogradecarëve, Shqipëria do ti kthehet shqiptarëve dhe e ardhmja e fëmijëve tanë, dritës së syve tanë nuk do të jetë më në duart e atij që i vodhi 8 vite Shqipërisë. Ushto pra rini e Pogradecit. Ushto qytet i Lasgushit dhe këndoje këngën e fitores, fitores të pandalshme të çdo shqiptari sepse bashkë e të bashkuar ne do të sjellim ndryshimin duke votuar numrin 9. Pogradeci fiton! Bashkë për ndryshim! Votoni numrin 9! Shqipëria Fiton! Zoti ju bekoftë!”,tha Basha.

(I.A/dosja.al)

Shto Koment