
TIRANË– Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte pasditen e sotme në stadiumin e ri ‘Air Albania” një ditë para përballjes së ekipit kombëtar me Francën. I shoqëruar nga Presidenti i FSHF-së Armando Duka dhe nga trajneri Edy Reja, Rama takoi futbollistët e kombëtares.
Kjo vizitë u shoqërua me batuta mes kryeministrit dhe futbollistëve, të cilët u shprehën se stadium është si jashtë shtetit. Ishte Elseid Hysaj ai që u shpreh se Rama ka marrë pak nga Juventusi për idenë e stadiumit, e ndërsa kryeministri ia ktheu se ky është më i bukur.
“Ky është më i bukur se stadiumi i Juventusit,”- tha ai.
Ndër të tjera, Rama u shpreh se futbollistët nesër duhet të japin jetën dhe shirtin në stadium dhe se duhet ta mundin Francën.
E teksa Balaj i tha se nesër do të fluturonin, kryeministri ia ktheu: Ty për të fluturuar të kemi, se në tokë nuk kap gjë. Të kapësh ndonjë gjë nga ajri të paktën.
Biseda mes Ramës, Dukës dhe futbollistëve.
Rama: Këtu në këtë fushë nuk ka rëndësi rezultati. Le të fitojë kush të dojë. Këtu duhet të japim jetën.
Duka: Ne në fakt duhet të fitojmë!
Rama: Ore, ne këtu duhet të mësohen njerëzit që jepni jetën. Pastaj, kush fiton, fiton. Rëndësi ka që këtu duhet të jenë 90 minuta zjarr.
Rama: T’i bëj një gol me penallti Strakoshës para se të ikim?
Duka: Strakoshës mund t’ia bësh, por Berishës jo.
Rama: Ja ku e ke, nuk më ndahet.
Duka: Nuk të ka bërë gol ty?
Berisha: Më ka bërë më herët.
(f.m/dosja.al)
‘Spiritoso’…