
MILOT– Dosja.al ka siguruar videon-ekskluzive që tregon momentin kur dy atentatorët e maskuar, zbrasin me gjakftohtësi 20 plumba nga “Scorpions”-i me silenciator në drejtim të biznesmenit Ylli Ibrahimi.
45-vjeçari Ibrahimi shihet që qëndron në trotuar dhe bisedon me dy persona të tjerë, në momentin që dy autorët e maskuar dhe të hipur mbi motorin e shtrirë ‘Suzuki’, afrohen me qetësinë më të madhe, në orën 11:57.
Në momentin që pikasin ‘shënjestrën’, atentatorët ngadalësojnë shpejtësinë dhe nxjerrin automatikun për të qëlluar drejt biznesmenit. Pas breshërisë së plumbave, brenda 30 sekondave, Ibrahimi është rrëzuar direkt në tokë, ndërsa dy personat që e shoqëronin ‘zhduken’. Më pas autorët, me të njëjtën qetësi që u shfaqën, largohen në drejtim të paditur.
Në orën 11:58, në vendin e ngjarjes ka mbetur vetëm biznesmeni Ibrahimi. 45-vjeçari ka marrë shtatë plumba dhe është dëmtuar në gjymtyrët e poshtme, dhe ndodhet në spitalin e Trumës. Shkaqet e ngjarjes mbeten ende ta paqarta, ndërkohë që nuk janë zbardhur as identitetet e personave që e donin të vdekur.
(f.m/dosja.al)