
TIRANË– Nuk ka fitues në derbin e parë të sezonit mes Tiranës dhe Partizanit. Takimi zhvilluar në “Air Albania” përfundoi me rezultatin 0-0. Një 90 minutësh që nuk u ngrit asnjëherë në nivelin që pritej dhe kjo prej terrenit të rënduar që nuk lejoi dy skuadrat të shpreheshin sa më mirë në fushën e lojës. Gjatë gjithë 45 minutave të para Partizani tentoi dy herë me Bardhin, por në një rast priti portieri Bekaj e më pas topi shkoi shumë larg portës.
Edhe pjesa e dytë nisi me të njëjtën sjellje si e para, teksa dy skuadrat më shumë i trembeshin humbjes, sesa donin të guxonin të fitonin, ndërsa me mënyrën e lojës duket se ishin pajtuar edhe Dede e Daja në pankinë, që zëvendësimet i bënë me shumë vonesë dhe kryesisht të detyruar për shkak të problemeve fizike të titullarëve.
Nuk munguan as polemikat për arbitrimin, pasi Dede u pa shpesh i nervozuar me vendimet e kryesorit, por momenti kulminant u regjistrua dy minuta para fundit kur Muçi u rrëzua në zonë dhe bardheblutë pretenduan për 11-metërsh, por nuk kishte të njëjtin mendim Juxhin Xhaja..
E.Ç (Dosja.al)