
SHBA– Presidenti ende në detyrë, Donald Trump, ka reaguar, pasi mediat amerikane kanë parashikuar se kandidati demokrat, Joe Biden ka fituar zgjedhjet.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale Trump pretendon se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit. Ai shprehet se se ka fituar 71,000,000 vota në mënyrë të ligjshme.
“Vëzhguesit nuk u lejuan në dhomat e numërimit. Fituam zgjedhjet, morëm 71,000,000 vota të ligjshme. Gjëra të këqija kanë ndodhur të cilat vëzhguesit tanë nuk janë lejuar të shohin. Asnjëherë nuk ka ndodhur më parë. Miliona fletëvotime postare u janë dërguar njerëzve që nuk i kanë kërkuar kurrë!”, ka thënë ai në rrjetin social, Twitter.
Pas katër ditësh numërime, Joe Biden është zgjedhur fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë. Kandidati demokrat fitoi falë 20 votave elektorale të Pensilvanisë, shtet ku edhe lindi dhe më pas e bëri presidentin e 46-ë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Krah Biden për katër vitet e ardhshme do të jetë zv.presidentja Kamala Harris. Kjo e fundit është gruaja e parë me ngjyrë dhe aziatike që do të mbajë postin e rëndësishëm të vendit.
(A.k.dosja.al)