Aktualitet

Vettingun në Polici do e bëjë SHÇBA, kostoja 3 mln $/ Lleshaj propozon ndryshime në ligj

Vettingu në Policinë e Shtetit ende zyrtarisht s'ka një datë se kur do të fillojë me seancat publike. Vonesa duket se ka ardhur për shkak të mungesës së parave. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj propozon ndryshime në këtë ligj pasi kostoja prej 3 milion dollarë që duhet për të kontrolluar mbi 12 mijë efektiv është e lartë. Lleshaj propozon përfshirjen e SHÇBA në fazën e dytë dhe të tretë të vettingut cka do të kursente para nga buxheti i shtetit.

TIRANE- Pak javë pasi Komisioni i Jashtëm dhe Sekretariati Teknik që do të kryejnë Vetting-un në Policinë e Shtetit nisën nga puna, me zyrën tek ish-Garda e republikës, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj propozon ndryshime ligjore.

Me argumentin se kostoja financiare ka bllokuar për mbi 8 muaj nisjen e Vettingut në polici dhe pamundësisë për kapjen e afateve kohore, Lleshaj shprehet se përveç 30 gradave të lartë me përparësi duhet të kalojë në Vetting edhe struktura e SHÇBA-së.

Me kalimin e agjentëve të shërbimit të brendshëm dhe ankesave në Vetting sipas relacionit, ata do të shërbejnë më pas për të kryer Vettingun e fazës së dytë dhe të tretë që prej 12 mijë uniforma blu.

Në sitën e Vetting-ut në radhët e Policisë sipas ligjit 12/2018 kalojnë drejtuesit e lartë e më pas duke zbritur deri tek oficeri më i thjeshtë, por e gjitha kjo e ezauruar në 2 vite.

Këto afate kohore kur Vettingu në Polici ka hyrë në fuqi në 2018 duhet të kapen deri në 2020 çka realisht është e pamundur dhe ka sjell nevojën e ndryshimeve në ligj.

Një tjetër detaj sipas relacionit ështe edhe kosto financiare e cila përllogaritet në 3 milion dollarë për të kaluar në vetting mbi 12 mijë efektivë.

‘’Sipas parashikimeve procesi i vlerësimit do të kushtojë rreth 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Në këto kushte, duke pasur parasysh se vetë elementi financiar ishte një nga arsyet që solli vonesa në implementimin e procesit, Ministria e Brendshme, pas një analize të thellë dhe shumëplanëshe propozon një mekanizëm të ri për vlerësimin, i cili mund të arrijë po të njëjtat objektiva, pra të pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit të procesit, me më pak kosto për buxhetin e shtetit’’ thuhet në këtë dokument.

Por si parashikohet Vettingu pas ndryshimeve të propozuara nga Lleshaj?

Ai propozon që për gradat e larta të mos ketë ndryshim nga ligji i mëparshëm. Drejtori i Përgjithshëm, zëvendës drejtori, drejtorët dhe shefat e sektorëve e kalonin vlerësimin në fazën e parë. Vlerësimi i fazës së parë kryhet nga një Komision i Jashtëm me 15 anëtarë, i asistuar nga një sekretariat teknik me po 15 anëtarë.

Ndryshimi i dytë thelbësor qëndron në faktin se propozohet që të jetë SHÇBA-ja ajo që do të kryejë vlerësimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, pra punonjësit e nivelit të mesëm drejtues dhe atyre të nivelit bazë.

Kjo zgjidhje ka disa avantazhe të dukshme.

Së pari, ka një impakt të ndjeshëm mbi buxhetin e parashikuar. Ngarkimi i SHÇBA-së me vlerësimin e punonjësve në fazën e dytë dhe të tretë, pra rreth 12 000 punonjës, i kursen buxhetit të shtetit rreth 260 milionë lekë duke minimizuar kostot shtesë. Marrë nga Shqiptarja.com

Shto Koment