Aktualitet

Kontakte me kriminelë/ Shkarkohet nga detyra prokurori i dosjes “Babale”, Përparim Kulluri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në Tiranë, Përparim Kulluri. U akuzua për lidhje me persona kriminalë.
Featured image of article: Kontakte me kriminelë/ Shkarkohet nga detyra prokurori i dosjes “Babale”, Përparim Kulluri Përparim Kulluri, prokuror

Tiranë- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Krimeve të Rënda, Përparim Kullurin. Sipas KPK-së prokurori ka pasur lidhje me një person që ka probleme me drejtësinë, gjetje këto që iu deklaruan në seancën dëgjimore që u zhvillua të hënën. Komisionin i Pavarur i Kualifikimit deklaroi se Prokurori ka pasur kontakt të papërshtatshëm me një person me iniciale A.B të dënuar në Greqi për kultivim narkotikësh dhe po ashtu të gjykuar në Shqipëri për tentativë vrasje.

Kullurit po ashtu iu vu në dukje se dyshohej që kishte bërë deklarim fiktiv të një dyqani në Orikum, për të përfituar një vlerë më të lartë dëmshpërblimi prej shpronësimit. Për këto dy arsye ai u shkarkua nga detyra.

Nënvizojmë se një nga çështjet në hetim që kishte prokurori Kulluri ishte edhe Dosja “Babale”. Ky i fundit kishte nën hetim Prokurorin Hajdarmataj e ish-Drejtori i Policisë, Nushi në verifikim për “shpërdorim detyre” në lidhje me këtë dosje.

Seanca në KPK

Në seancën e të hënës u tha se Kulluri kishte disa kontakte me një person me inicialet A.B dhe me emër të ndryshuar në M.B. Personi në fjalë sipas Bekteshit ishte dënuar në Greqi për prodhim e tregtim narkotikësh dhe hetuar për vrasje në Shqipëri, një person me precedent penal.

KPK ngriti dyshime se Kulluri kishte disa komunikime në vitet 2012-2014 me personin me iniciale A.B. Madje kish dalë 7 herë jashtë vendit me makinën e këtij personi.

Prokurori pranoi se njihte A.B, por tha se kjo njohje kishte ndodhur në vitet 90’ kur ishin studentë dhe se prej asaj kohe ai nuk e kishte takuar asnjëherë më atë person.

Sa i përket daljeve me makinë, Kulluri u mbrojt me argumentin se nuk kishte pasur dijeni se makina që kishte përdorur ishte e A.B, pasi e kishte marrë atë nga pronari i një servisi.

Përveç problemeve me figurën, Kulluri u përball edhe me dyshimet se kishte bërë deklarim fiktiv për një dyqan të shpronësuar në Vlorë, me qëllim rritjen e vlerës së dëmshpërblimit. Nga prishja për interes publik e dyqanit, Kulluri ka përfituar përmes një vendimi gjyqësor rreth 7.8 milionë lekë dëmshpërblim.

Kush është Prokurori?

Kulluri, i cili ka filluar karrierën e prokurorit në Vlorë në vitin 1999, kundërshtoi gjetjet e KPK-së, por mendimet e tij nuk u morën parasysh në vendimin final të dhënë sot.

Kulluri u emërua fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2008, Kulluri u emërua drejtues i Prokurorisë së Shkodrës, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në vitin 2013. Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është rikthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtronte edhe aktualisht.

J.V/Dosja.al

Shto Koment