Aktualitet

Vettingu nis sesionin e tretë, në sitë kalon gjyqtarja e Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj

Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj janë anëtarët e trupës gjykuese që vlerësojnë figurën e Osmanajt në të trija shtyllat e Vettingut.
Featured image of article: Vettingu nis sesionin e tretë, në sitë kalon gjyqtarja e Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj Vojsava Osmanaj, gjyqtare

TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nis sesionin e tretë të shqyrtimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kalojnë në Vetting. Sot është zhvilluar seanca dëgjimore për gjyqtaren e Apelit Shkodër, Vojsava Osmanaj. Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Lulzim Hamitaj janë anëtarët e trupës gjykuese që vlerësojnë figurën e Osmanajt në të trija shtyllat e Vettingut. Osmanaj ka hyrë në sistemin e drejtësisë në vitin 2008 dhe që prej asaj kohe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Më pas, në vitet 2013-2016, ajo punoi pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e për 4 vite ka shërbyer si gjyqtare në Apelin e Shkodrës.

Përsa i përket deklarimit të pasurisë, Osmanaj në vitin 2003 nuk ka patur asnjë pasuri, ndërsa në fund të vitit 2017, situata është krejt tjetër. Familjarisht, gjyqtarja ka një pasuri prej 6.4 milionë lekë, ndërsa ka 3 milionë lekë pasuri të patundshme, likujditete bankare prej 1.7 milionë lekësh, automjete me vlerë 1.2 milionë lekë dhe kursime në cash prej 400 mijë lekësh.

Në total të ardhurat familjare në periudhën që ajo ka deklaruar kapin vlerën e 14 milionë lekëve, 75% e të cilave janë nga paga si gjyqtare dhe 10% nga shitja e pasurisë së patundshme.

BIRN në raportin për pasurinë e saj, vërente se përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 11 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen me një huamarrje, shitjen e një shtëpie si dhe burimin e munguar të një prone të deklaruar nga bashkëshorti.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në vitin 2012, subjekti ka përdorur si burim financiar për blerjen e një apartamenti në Pogradec një hua prej 1 milionë lekësh. Ndërsa në vitin 2013, ajo deklaron shitjen e një apartamenti të përfituar nga prindërit përmes privatizimit, e cila nuk rezulton e deklaruar në vitet e mëparshme.

Në deklarimin periodik të vitit 2017, bashkëshorti i subjektit deklaron një autoveture me vlerë 8700 dollarë dhe një shtëpi dhe një truall prej 500 m2 në Tiranë, e legalizuar në vitin 2017 –pronë së cilës i mungon vlera dhe burimi i krijimit.

Vendimi për Osmanajn pritet të jepet në seancën e radhës.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment