Blog

Vettingu i Ulsiut

Nuk mundet një që blen shtëpi 180 000 euro ti thotë një gjyqtari me 24 vjet punë përse nuk të përputhen 2 milionë lekë. Jo kështu. Reforma duhej të merrej me vendimet, me rastet konkrete përse e ke liruar x kriminel kur provat kanë qenë të pastra...e me radhë...
Featured image of article: Vettingu i Ulsiut Foto ilustruese

Vettingu i Ulsiut

1. Gjyqtari Idriz Mulkurti, dënoi me burgim të përjetshëm Dritan Dajtin (edhe pse u kërcënua në sallë të gjyqit me foton e vajzës). Vendimi i tij u prish më pas në rigjykim se do kurajo të japësh vendime të tilla.
2. Gjyqtari Alltun Çela, pas trazirave të 1997-tës dha 2 dënimet e para me vdekje (sipas ligjit të kohës, vendimet pas ndryshimeve të 1998-ës u konvertuan në të përjetëshme) dhe 2 burgime të përjetëshme ndaj bandave dhe atyrë që përdhunuan e më pas vranë një vajzë në sytë e babait në jug të vendit. Gjithashtu kundërshtoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin “Për gjendjen Civile” që lejonte ndryshimin e kombësisë dhe fitoi duke i dhënë fund atij fenomeni të shëmtuar.
3. Gjyqtari Gurali Brahimllari, dënoi me 4 burgime të përjetshme bandën e Durrësit, gjë që nuk pati kurajo ta bënte dhe Gjykata e Lartë duke e zbutur dënimin e duke i nxjerrë robt në liri.
4. Antoneta Sevdari, prokurorja që hetoi skandalin Çez dhe që e dërgoi çështjen në gjyq.
5. Gentian Trenova, prokurori që i sekuestroi krimit 3 milionë euro pak kohë para se ta shkarkonin.

Të gjithë këtyre krimi nuk u’a fali dot. Janë shkarkuar. Për asnjë prej tyre nuk ka një arsye bindëse. Dikë e hoqën për qiranë e shtëpisë në Kukës, dikë për një kredi bankare, dikë se burri para shumë vitesh kishte punuar emigrant dhe nuk justifikonte një sasi të vogël parash, dikë se tokat e marra me ligjin 7501 nuk ishin regjistruar në emër të babait të tij, por në emrin e tij edhe pse ishte djali që pleqëroi me babain dhe nënën.
Sigurisht që për shokët e partisë nuk ka problem se vendimet e përjetshme që këta dhanë ndaj bandave i zbutën. Partia i do bijtë e vetë.

P.s që të jem transparent një prej tyre është dhe familjari im. Shumë krenar për punën e tij!
P.s.s E ritheksoj me të madhe se unë dhe të tjerë të brezit tim e kemi ëndërruar reformën në drejtësi, por jo kështu. Jo nga njerëz të paaftë. Nuk mundet një që blen shtëpi 180 000 euro ti thotë një gjyqtari me 24 vjet punë përse nuk të përputhen 2 milionë lekë. Jo kështu. Reforma duhej të merrej me vendimet, me rastet konkrete përse e ke liruar x kriminel kur provat kanë qenë të pastra…e me radhë…

Shto Koment