Politike

Vetingu/ Kolë Hysenaj nuk rrezikon vetëm shkarkimin. KPK zbulon probleme penale

Në dosjen e relatuar këtë të premte nga gjyqtarja Firdes Shuli, ndaj prokurorit të Tiranës rëndojnë një seri e gjatë dyshimesh për pasuri të padeklaruara, mungesë të theksuar burimesh financiare, si edhe kontakte të papërshtatshme, ndërhyrje në sisteme dhe ndryshim numrash protokolli të procedimeve penale.
Featured image of article: Vetingu/ Kolë Hysenaj nuk rrezikon vetëm shkarkimin. KPK zbulon probleme penale Kolë Hysenaj

TIRANË – Prokurori Kolë Hysenaj u përball me një prej raporteve më të errëta, të prezantuara deri më tani nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Në dosjen e relatuar këtë të premte nga gjyqtarja Firdes Shuli, ndaj prokurorit të Tiranës rëndojnë një seri e gjatë dyshimesh për pasuri të padeklaruara, mungesë të theksuar burimesh financiare, si edhe kontakte të papërshtatshme, ndërhyrje në sisteme dhe ndryshim numrash protokolli të procedimeve penale.

Prokurori Hysenaj kundërshtoi pjesën më të madhe të dyshimeve të ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke akuzuar Policinë e Shtetit se kishte manipuluar dhe shtuar të dhëna të rreme kundër tij.

Megjithatë, prokurori Hysenaj duket se nuk arriti që të justifikonte asnjë prej dyshimeve për pasurinë e tij dhe transaksionet e shumta ndër vite me pasuri të paluajtshme.

Pikëpyetjet e mëdha

Prokurori i Tiranës, Kolë Hysenaj, në deklaratën e pasurisë fillestare, në vitin 2003, ka shënuar se kishte në pronësi një apartament me vlerë 2 milionë lekë, nga të cilat rreth 1.5 milionë lekë i kishte borxh.

Pas atij momenti fillestar të vështirë, prokurori Hysenaj e mori veten financiarisht dhe u shndërrua në një lloj “agjencie imobiliare”, duke blerë e shitur prona të patundshme, me vlerë nga disa mijëra deri në disa qindra mijëra euro.

Dhe, të gjitha këto pasuri kanë pasur si burim fillestar pagën si prokuror. Relatorja e KPK-së në procesin e rivlerësimit për prokurorin Hysenaj, Firdes Shuli, shoqëroi raportin e saj me një fjalë kyçe për pjesën më të madhe të pasurive; “transaksione të palogjikshme”.

Ajo konstatoi se Hysenaj nuk kishte deklaruar ndër vite kursime, ndërkohë që në vitin 2016 deklaron se ka blerë një pronë rreth 130 mijë euro në Korçë, me burim gjendjen cash të siguruar nga pagat.

Po ashtu, relatorja Shuli deklaroi se prokurori Hysenaj ka blerë një automjet me vlerë 500 mijë lekë, nga një blerës, i cili kishte paguar për Benzin shumën 21 mijë euro.

Nuk mbaron këtu. Prokurori Hysenaj, dy vjet më pas, mjetin e blerë 500 mijë lekë, e shiti 22 mijë euro. Në vijim, Firdes Shuli konstatoi mosrakordime mbi transaksionet për shit-blerjen e një toke, ku Hysenaj ishte shitësi dhe blerës ishte biznesmeni Avni Ponari.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas relatores, Hysenaj ka marrë paratë për tokën rreth një vit pasi ishte nënshkruar kontrata e shit-blerjes. Përballë kësaj gjetjeje, prokurori deklaroi se “kontrata me Avni Ponarin nuk ishte shlyer në moment edhe pse ishte bërë si e tillë, pasi familjet e tyre ishin të lidhura prej vitesh, që kur gjyshi i biznesmenit çonte tufat e bagëtive në bjeshkët e familjes së Hysenajt..”.

Dyshime mbi figurën
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dy raporte për prokurorin Kolë Hysenaj.

Në raportin e parë, ai konsiderohej i përshtatshëm për të vijuar detyrën. Ndërsa në raportin e dytë, të deklasifikuar pjesërisht, DSIK kishte renditur një seri informacionesh të dyshimta për prokurorin.

Sipas raportit të dytë, ndaj prokurori Hysenaj kishte informacione për përfshirje në korrupsion, kishte kontakte me një avokat, kishte ndërhyrë në dosje dhe ndryshuar numra protokolli dokumentesh dhe kishte kontakte me persona që ishin përfshirë në mashtrime me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Prokurori Hysenaj i kundërshtoi këto informacione, duke pretenduar se ato janë sajuar nga zyratët e Policisë së Shtetit.

Ai pretendoi gjithashtu se kishte siguruar të dhëna, në bazë të të cilave provohej se ishte ndërhyrë në sistemin e Policisë së Shtetit dhe ishin shtuar informacione kundër tij në mënyrë fiktive.

Kolë Hysenaj u përball edhe me pyetjet mbi një aksident me pasojë vdekjen e një personi, ku ai ishte përfshirë personalisht në vitin 2008. Relatorja Firdes Shuli deklaroi se ka pasur dyshime mbi mënyrën se si është menaxhuar hetimi mbi këtë rast nga Prokuroria e Lezhës, e cila nuk gjeti asnjë përgjegjësi tek Kolë Hysenaj.

Pas më shumë se 3 orë seancë dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli procesin dhe vendosi të shpallë vendimin të premten e ardhshme, në datën 25 Shtator 2020.

Marrë nga: boldnews.al

(A.K.dosja.al)

Etiketa:

Shto Koment