Aktualitet

Vetëvrasjet tek “Shefqet Ndroqi”/ Flet drejtori i spitalit: E kemi të vështirë trajtimin, s’kemi psikologë, familjarët nuk tregojnë sëmundjet e pacientëve

VIDEO
Duke folur për ngjarjet tragjike që ndodhën ne spital, drejtori i tij pranon mungesën e psikologëve, por përmend edhe një arsye tjetër. Ai thotë se familjarët nuk e tregojnë historikun e sëmundjeve të pacientit, duke e bërë të vështirë trajtimin.
Featured image of article: Vetëvrasjet tek “Shefqet Ndroqi”/ Flet drejtori i spitalit: E kemi të vështirë trajtimin, s’kemi psikologë, familjarët nuk tregojnë sëmundjet e pacientëve

TIRANË- Në kulmin e debatit për situatën në spitalet COVID e veçanërisht te sanatoriumi “Shefqet Ndroqi”, ku ditë më parë 2 pacientë u hodhën nga ballkonet, News24 vendosi të hyjë brenda për të vëzhguar në vend atë çfarë ndodh në këtë spital.

Në këtë spital po trajtohen 102 pacientë, te moshave nga 17 deri ne 94 vjeç, 9 nga të cilët janë në gjendje të rëndë në reanimacion. Hyrja te “Shefqet’ Ndroqi ndalohet, dhe të autorizuarit mund të futen vetëm me veshjet e posaçme. Kryeinfermierja Hëna Dumi na shoqëron në dhomën e veçantë, ku u veshëm të asistuar nga disa infermierë. Është një ditë e nxehtë shtatori dhe veshja mbrojtëse nuk ta bën punën të lehtë.

Përpara se të hyjmë në pavijone, drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi” prof. Perlat Kapisyzi duhet t’iu përgjigjet disa pyetjeve tona, që burojnë nga shqetësimi publik.

Pse këtu ndodhën 2 vetëvrasje? Pse nuk ka psikologe ne spital? A janë te gjitha medikamentet e duhura? A lejohen celularët dhe a mbahet komunikimi me familjarët e pacienteve?

Lidhur me dëshmitë e disa familjareve të pacientëve që thonë se iu dërgojnë ilaçe të afërmve brenda spitalit, sepse ato mungojnë, profesor Kapisyzi thotë se pacientet kane 99% të mjekimit, përveç xareltos që nuk është bar spitalor dhe është antikoagulant i domosdoshëm, të cilin të sëmurët e përdorin edhe në shtëpi pas daljes nga spitali. Ne u interesuam dhe mësuam se Xarelto është një preparat shumë i shtrenjtë, një tablet i të cilit kushton 3 euro.

Duke folur për ngjarjet tragjike që ndodhën ne spital, drejtori i tij pranon mungesën e psikologëve, por përmend edhe një arsye tjetër. Ai thotë se familjarët nuk e tregojnë historikun e sëmundjeve të pacientit, duke e bërë të vështirë trajtimin.

Profesor Kapisyzi thotë se stafi është i mjaftueshëm që çdo pacient të jetë i asistuar sa herë që ka nevojë. Ankesave publike të familjarëve se nuk dinë asgjë për atë që ndodh brenda spitalit, ai iu përgjigjet duke thënë se familjarët informohen për gjendjen e pacientit dhe rreth vendimit për intubimin e tyre.

Profesor Kapisyzi bën thirrje që pacientët ta vlerësojnë sëmundjen dhe të kërkojnë sa më shpejt asistencën e mjekut të familjes, sepse vonesa është e rrezikshme
Pres me padurim të ngjitemi në pavijone e të takoj pacientët. Më shoqërojnë në dhomat ku ka pacientë, gjendja e të cilëve i lejon të komunikojnë. Korridoret janë të mbushura me mjekë e infermiere, të cilët dëshirojnë të shprehen pas debateve publike të zhvilluara së fundi rreth shërbimit në këtë spital.

Pata një ndjesi të veçantë kur u drejtova te dhoma e parë me pacientë COVID. Aty takoj Mark Simonin, një koleg gazetar që prej 5 javësh ishte në terapi intensive. Fatmirësisht tani ishte më mirë dhe u gëzua kur na pa, sepse edhe ai si gjithë pacientët COVID në spitale e ndien mungesën e njerëzve. Të vetmit bashkëbisedues për të janë mjekët, infermierët, shoku i dhomës dhe celulari. Marku tregon historinë e tij dhe është i keqardhur që njerëzit flasin pa e ditur se ç’ndodh në të vërtetë aty brenda.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në dhomë me Markun është një pacient nga Pogradeci, që tregon përvojën e tij.
Temperaturat jashtë rriten. Sipas parashikimit të motit temperatura maksimale pritej të ishte në 34 gradë, por në spital nuk kishte kondicionerë. Mjekët thanë se kondicionimi i ajrit nxit përhapjen dhe qarkullimin e virusit.

Në një dhomë tjetër të pavijonit qëndronin Dritani nga Burreli dhe Luani nga Elbasani. Duket se kishin kaluar ditë të vështira. Në fytyrën e Dritanit dallohej një plagë, që e pashë edhe te pacientë të tjerë, e që siç më shpjeguan mjekët, shkaktohej nga mbajtja për një kohë të gjatë e maskës së oksigjenit. Dritani thotë se hyri në spital me sy mbyllur e po del i gjallë, ndërsa Luani nga Elbasani shprehet: “Kemi ardhur të vdekur, na kanë shpëtuar na kane shëruar. Isha shumë rëndë, shërbimi shembullor nga mjeku deri te i fundit. Ndenja një javë në shtëpi, e vonova ardhjen nga frika”.

Një pacient nga Lezha preket teksa falënderon ekipin mjekësor që siç thotë vetë, e ndihmoi në luftën për jetën.
Naim Bashi nga Shkodra ka 16 ditë i shtruar në spital dhe tani është më mirë. Shenja në hundë tregon se ka mbajtur për kohë të gjatë maskë oksigjeni, por tani pret përgjigjen e tamponit të dytë. Naimi falënderon stafin që e ka ndihmuar të rikuperohet, por jo vetëm kaq. Thotë se infermieret janë kujdesur për të sikur ta kishin familjarin e tyre.

Një tjetër infermiere në korridorin e pavijonit tregon se puna është e vështirë, se pacientët kërkojnë kurajë, por se edhe vetë ato marrin forcë nga fakti që pacientët kanë nevojë për ndihmën e tyre. Aneada rrëfen tronditjen kur pacientët që iu kanë shërbyer për një kohë të gjatë nuk arrijnë t’ia dalin…
Një pacient nga Elbasani na tregon se pas mjekimit dhe shërbimit në spital sot është në gjendje të mirë. Mendon se është infektuar në autobus, ku qëndroi pa maskë.
Zefi nga Kurbini, pranon se erdhi vonë në spital, por jo për neglizhencën e tij. Ai thotë se në Kurbin shërbimi spitalor mungon.

Duke ecur korridoreve të pavijoneve për takuar pacientë, shoh se shumë dhoma janë bosh. Shefja e pavijonit, Silvana Bala thotë se situata në këto ditë të para të shtatorit është më e lehtësuar… Doktoresha tregon gjithashtu për Indritin nga Kruja që i ka shpëtuar intubimit. Para disa javësh merrte 45 litra litra oksigjen dhe tani 5 litra.

Pjesa më e vështirë vjen tani. Do të zbresim në qendër të repartit të kuq, në sallën e reanimacionit. Kush ka hyrë ndonjëherë në një repart reanimacioni, i ka dëgjuar zhurmat e vazhdueshme të aparaturave që matin parametrat jetësorë të njerëzve që luftojnë për jetën e tyre. Ndonjëherë treguesit shkojnë në zero dhe njoftojnë se pacienti e ka humbur luftën, në raste të tjera pulsojnë papritur duke iu bërë thirrje mjekëve të afrohen shpejt, sepse pacienti po jep shenja të mira. Ai do të jetojë! Dhe një nga këta luftëtarë për jetën është këtu në reanimacionin e “Shefqet Ndroqit”. 65-vjeçari Arben Dojaka ia doli ta mundë vdekjen, dhe pas 3 javësh intubimi u rikthye në jetë. Tejet i dobësuar, ende me shenjat e intubimit, Arbeni ishte i aftë të të jepte energji pozitive dhe optimizëm.

Erdhi koha të dalim nga spitali. Nga takimet me pacientët mora me vete dhimbjen dhe vështirësitë që ata kishin kaluar, por edhe pozitivitetin e fjalëve për stafin dhe shërbimin mjekësor. Mendime dhe emocione të ndryshme përzihen pas këtij rrugëtimi mes njerëzish që kanë vuajtur fizikisht dhe shpirtërisht, të terrorizuar nga dhimbja, frika dhe vetmia dhe mes mjekësh dhe infermierësh që iu duhet të mbajnë mbi supe lodhjen, stresin dhe akuzat e familjarëve të pacientëve, të cilët nuk mund të jenë për asnjë moment pranë të afërmve të tyre në shtratin e spitalit.

Marrë nga Ballkan web

Shto Koment