Aktualitet

Dhuna seksuale dhe abuzimet, Vetëvendosja komunikatë para Ministrisë së Arsimit: Po tregohet neglizhencë, në shkolla duhet kultivuar dija

Aktivistja e Vetëvendosje Megi Mustafaraj denoncoi dhunën me bazë gjinore ndaj vajzave në shkollat e Shqipërisë dhe u shpreh se organet shtetërore kanë treguar neglizhencë për ta parandaluar atë.
Featured image of article: Dhuna seksuale dhe abuzimet, Vetëvendosja komunikatë para Ministrisë së Arsimit: Po tregohet neglizhencë, në shkolla duhet kultivuar dija Aktivistja Megi Mustafaraj
Përditësuar:

TIRANË– Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka organizuar një komunikatë për mediat ditën e sotme para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Me një mesazh në hyrje të ministrisë me sloganin “Ministri e Arsimit apo e Abuzimit”, aktivistja e Vetëvendosje Megi Mustafaraj denoncoi dhunën me bazë gjinore ndaj vajzave në shkollat e Shqipërisë dhe u shpreh se organet shtetërore kanë treguar neglizhencë për ta parandaluar atë. Në një njoftim në faqen zyrtare, vetë Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, bën me dije se aktivistja Mustafaraj ka theksuar se krimet e abuzimet po ndodhin pikërisht në shkollë, aty ku nxënësit e studentët do duhet të ishin në një ambient që kultivon dijen dhe vlerat, drejtësinë dhe emancipimin, referuar skandalit seksual me profesorin Agron Bego dhe përdhunimit të një vazje në Përmet.

Ministria e Arsimit apo e Abuzimit. Këtë paradite të 7 Marsit, përvjetorit të 133-të të Shkollës së Parë Shqipe, studente e studentë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri, organizuan një komunikatë për media para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku vendosën edhe këtë mesazh pranë hyrjes: “Ministri e Arsimit apo e Abuzimit”. Aktivistja Megi Mustafaraj denoncoi dhunën me bazë gjinore ndaj vajzave në shkollat e vendit dhe neglizhencën e organeve shtetërore për ta parandaluar atë. Vetëm para pak kohësh të gjithë u bënë dëshmitarë të një inçizimi ku profesori i gjimnazit ngacmonte seksualisht nxënësen në formë shantazhi dhe kërcënimi. Sakaq, vetëm pak ditë kanë kaluar nga përdhunimi i një gjimnazisteje nga dy bashkëmoshatarë, ndërkohë që katër bashkëmoshatarë të tjerë janë akuzuar për ngacmim seksual përmes shantazhit me video. Vitin e kaluar patëm një rast të ngjashëm në një tjetër qytet, ku sërish, përmes shantazhit me video, një nxënëse u përdhunua nga bashkëmosharë gjimnazistë. Ajo që është më e rëndë është se ky fakt dihej nga stafi dhe nuk e kishin bërë denoncimin. Denoncimin e bëri pastruesja e shkollës. Ata me pozita lart heshtën. Punëtorja e pastrimit foli dhe kërkoi drejtësi.

Aktivisja Mustafaraj theksoi se këto krime e abuzime po ndodhin pikërisht në shkollë, aty ku nxënësit e studentët do duhet të ishin në një ambient që kultivon dijen dhe vlerat, drejtësinë dhe emancipimin. Ministria ka për detyrën të marrë masa urgjente, prej fushatave të edukimit për stafin pedagogjik, nxënësit dhe studentët, e deri te masa disiplinore për abuzuesit. Ministria e ka përgjegjësinë të mbrojë të drejtat e nxënësve dhe studentëve, dhe jo të fshehë rastet e të tentojë të disiplinojë mediat. Raportimet mbi mungesën e psikologëve dhe punëtorëve socialë nëpër shkolla janë të shumta. Shpesh, edhe aty ku ka psikologë, ata janë të mbingarkuar në dhënien e shërbimit psiko-social. Kjo gjë është faktuar vitin e kaluar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, por nuk është bërë e ditur për publikun asnjë masë e marrë nga Ministria. Shoqërinë tonë e kanë zhytur nga lart poshtë në padrejtësi e dhunë, në krim e korrupsion, shfrytëzim e dominim përmes forcës dhe pushtetit, në luftë për mbijetesë e në abzuim. Dhe institucionet tona nuk po duan t’ia dinë. Duket sikur kanë marrë përsipër vetëm mbarëvajtjen e krizës, mbylljen e syve të vetes dhe të shoqërisë, a thua sikur kjo krizë të mos ekzistonte. Institucioni ka marrë për detyrë të administrojë krizën e shoqërisë, krizë të cilën vetë institucioni e riprodhon, pa politikat e duhura e duke instaluar kulturën e neglizhimit dhe shfrytëzimit, që prodhojnë abuzim të gjithanshëm. Si përherë, krizën e pësojnë më rëndë ata që janë më të varfër, dhe më keq vajzat. Ministria duhet të vendosë që me një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe gjithëinstitucionale të bëhet ashtu siç e ka emrin, Ministria e Arsimit, dhe jo menaxhere e krizës së dhunës, sikur ta kishte emrin Ministria e Abuzimit. Tiranë, 7 mars 2020. Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri,”– shkruhet në njoftimin zyrtar.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

(f.m/dosja.al)

Shto Koment