Aktualitet

Vetëdorëzohet në polici Mikel Alia, u shpall në kërkim pas vrasjes së Eri Zefit: S’e nxora në pritë mikun e fëmijërisë

Mikel Alia, 40-vjeç është miku i fëmijërisë së 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë pranë Rrugës së Kombit dhe është pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë Zefin tek hasmit, të cilët më pas e rrahën dhe e ekzekutuan me gjashtë plumba.
Featured image of article: Vetëdorëzohet në polici Mikel Alia, u shpall në kërkim pas vrasjes së Eri Zefit: S’e nxora në pritë mikun e fëmijërisë Mikel Alia dhe Eri Zefi
Përditësuar:

TIRANË– Është vetëdorëzuar në polici Mikel (Gjovalin) Alia, miku i fëmijërisë së Eri Zefit i cili ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e këtij të fundit. 40-vjeçari është vetëdorëzuar teksa ka kaluar më shumë se një muaj nga ngjarja e ndodhur në Mirditë, por ka mohuar të gjitha akuzat përpara policisë.

Mësohet se Alia ka thënë se nuk e ka nxjerrë ai në pritë Eri Zefi, ashtu siç dyshohej të ishte dhe se personat që u kanë prerë rrugën ditën që ndodhi vrasja kanë dashur të vrasin edhe vetë 40-vjeçarin.

Nuk e kam nxjerrë unë në pritë Eri Zefin. Po udhëtoja me të në makinë por nuk e kam nxjerrë në pritë për ta ekzekutuar. Na dolën në rrugë për të na grabitur. Edhe mua donin të më vrisnin,”– mësohet të ketë thënë Alia në polici.

Gjitsesi ai ende ndodhet në polici, pasi policia ka dyshime të forta se Mikel Alia, 40-vjeç, miku i fëmijërisë së 34-vjeçarit që u gjet i vrarë në një kanal në Zall Xhuxhë pranë Rrugës së Kombit, është pikërisht ai që ka nxjerrë në pritë Zefin tek hasmit, të cilët më pas e rrahën dhe e ekzekutuan me gjashtë plumba.

Burime nga policia i thanë Dosja.al tregojnë se dyshohet se Mikel Alia ka qenë paguar nga njerëzit me të cilët Eri Zefi ishte në gjak pasi 34-vjeçari ishte ngujuar prej një viti. Zefi i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme pasi vëllai i tij Ndue Zefi në muajin shkurt të këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca.

Pas këtij krimi, 34 vjeçari ishte ngujuar në banesë dhe vetëm një person i besueshëm mund ta nxirrte nga aty. I besuari dyshohet të ketë qenë pikërisht Mikel Alia, shoku i fëmijërisë, i cili i ka thënë 34-vjeçarit se kishte gjetur një punë të mirë.

“Eja se do marrin ca hashash, kam një punë të mirë,”– mësohet t’i ketë thënë Alia duke këmbëngulur për ta nxjerrë nga shtëpia pasditen e kobshme.

Të dy kanë hipur në një makinë dhe janë nisur për Zall Xhuxhë, por në momentin që kanë dalë nga automjeti u janë afruar dy persona të paidentifikuar. Duke përfituar nga errësira ata kanë ushtruar dhunë ndaj Zefit dhe me pas e kanë ekzekutuar me 6 plumba. Katër i mori në kokë 34-vjeçari, ndërsa dy të tjerët në gjoks.

Më pas viktimën e hodhën 50 metra larg Rrugës së Kombit, në një kanal.

Eri Zefi ishte i martuar me një grua turke dhe vetëm katër muaj para se 34-vjeçari të ekzekutohej kishte sjellë në jetë djalin e tyre të parë.

Nazli Zefi 25-vjeçe ka rrëfyer se burri i saj e kishte shok të ngushtë Martin Ndrecën, që vrau i vëllai dhe se Zefi i trembej hakmarrjes pas këtij krimi.….

(f.m/dosja.al)

  • 13:09

    Çoi në duart e hasmit shokun e fëmijërisë, Mikel Alia mohon gjithçka: S’e nxora në pritë, donin të më vrisnin dhe mua

    Është zbardhur dëshmia e Mikel Alisë, shokut të fmëijërisë së Eri Zefit, që u vetëdorëzua sot në polici për vrasjen e këtij të fundit.

    Dosja.al mëson se Alia ka mohuar ta ketë nxjerrë Zefin ën pritë për ta vrarë teksa ka shtuar më tej dhe personat që e kanë vrarë shokun e tij kishin dalë në rrugë për t’i grabitur.

    Nuk e kam nxjerrë unë në pritë Eri Zefin. Po udhëtoja me të në makinë por nuk e kam nxjerrë në pritë për ta ekzekutuar. Na dolën në rrugë për të na grabitur. Edhe mua donin të më vrisnin,”– mësohet të ketë thënë Alia në polici.

Shto Koment