Blog

“Vesha këmishën e babait se s’kisha tjetër”, gazetari rrëfen vuajtjet e fëmijërisë në një ditë feste

Sa dola në skenë ca të radhës së parë po qeshnin.U hutova. Më pas u shtuan kukurisjet. Më zuri frika se mos e harroja vjershën. Përshëndeta,por sa u përkula u fry këmisha te pjesa e barkut . Tamam si një mami për të lindur. Atëhere plasi gaz i madh.
Featured image of article: “Vesha këmishën e babait se s’kisha tjetër”, gazetari rrëfen vuajtjet e fëmijërisë në një ditë feste Agim Xhafka

Ka ndodhur kur kam qënë në klasën e shtatë. Isha 13-14 vjeç,ende fëmijë. Kishim shfaqje për mësuesit se ishte 7 mars. Do e jepnim tek palestra mbushur plot karrike. Edhe për nxënësit,kush dëshironte. Një ditë para zysha na tha se ne,çunat,duhej të vinim veshur me këmishë. 
Unë ftohesha në çdo shfaqje për recitim. Isha logjik dhe përcillja emocione,më thoshin.
I thashë mamasë se duhej të vishja këmishë.

-Po ku ke këmishë ti,o djalkë i bukur! Vetëm tuta,që kur ke lindur,-qeshi ajo.
-Jepi këmishën time najlon,-tha babai.

M’u ngroh zemra se ajo këmishë e bardhë borë e tregonte babain aq të bukur e të dashur sa që i thashë mamasë të ma sillte në çast.
Ajo nguroi se iu duk pa vend që unë fëmijë të vishja këmishën e babai që ishte 90 kg dhe 1.8 metër i lartë. Por nuk foli dhe shkoi ta lante. Të nesërmen,sa e vesha më hodhi sipër një trikon e saj dhe më porositi të mos dilja vetëm me këmishë. Do trembësh shkollën,më tha.

Para shfaqjes zysha urdhëroi të gjithë çunat të delnin me këmisha. Hoqa trikon e mamasë dhe mëngët e këmishës nailon rrëshqitën deri tek gjunjët. Supet shkuan te gjysma e krahut dhe në bel,ah në bel,sikur isha ngatërruar brenda një çarçafi.
Më erdhi radha.

-Tani Agim Xhafka do recitojë një fragment nga poema “Baballarët ” të Dritëro Agollit.
Sa dola në skenë ca të radhës së parë po qeshnin.U hutova. Më pas u shtuan kukurisjet. Më zuri frika se mos e harroja vjershën. Përshëndeta,por sa u përkula u fry këmisha te pjesa e barkut . Tamam si një mami për të lindur. Atëhere plasi gaz i madh. E kuptova se po qeshnin me pamjen time. Një i kuq flakërimë më pushtoi. Doja të ikja me vrap,por këmbët më ishin mbërthyer si me gozhdë. E në situata të tilla gjithmonë ia dal,gjithmonë.

-Po qeshni me këmishën time? E kam të babait. E vesha me qëllim se doja ta bëja vjershën më të pëlqyeshme,titullohet Baballarët. Dhe kjo këmishë simbolizon prindin tim,atin tim.

Pastaj ia nisa. Me gëzim,inat,dhimbje,lëndim. Qetësi si në orë provimi. Veç zëri im,duart e mija që lëviznin bashkë me krahët e këmishës,si vela të bardha të fluturimit poetik.
Në fund stuhi duartrokitjesh. E pëlqyen,por edhe iu dhimbsa. Nga që prekën varfërinë time,të familjes sime,por dhe të gjithë atyre që po më shihnin…

Shkuan vite deri sa u bëra me këmishë. Sot kam një dollap plot. Të gjitha pambuku. Por këdo që shoh me këmishë nailon e pëlqej se më kujtohet jo veç recitimi im,por mungesat e një fëmijërie pa lodra,pa gëzime e veshje elementare. Vegjëli me tuta ngjyrë kaki që në vend të zinxhirit nënat na qepnin kopsa të zeza…Një vegjëli që fluturoi,por që na mungon se…e jetuam sikur ishim të rritur.

Shto Koment