Politike

Andi Përmeti 6 muaj deputet? PD: U falsifikuan të dhënat për të regjistruar BD. Patozi: Kemi edhe Lefter Kokën

  • Dalin SMS, si i rekruton Bindja Demokratike kandidatët për zgjedhjet lokale
  • PD kallëzon në prokurori Sekretarin e Kuvendit, Genc Gjoncaj, pasi sipas PD ka falsifikuar një vërtetim për kohën e futjes në parlament të deputetit Andi Përmeti. PD ka publikuar një dokument ku thuhet se Andi Përmeti, ka të paktën 6 muaj që është deputet. Kjo sipas PD, është prova se janë falsifikuar dokumentet që BD të regjistrohej në KQZ. Reagon Patozi: Kemi dy deputetë në Kuvend.

    TIRANE- Partia Demokratike ka hedhur akuza të forta në drejtim të qeverisë, Kuvendit dhe Partisë Bindja Demokratike.

    Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka thënë se sekretari i Kuvendit, ka lëshuar një vërtetim të rremë, sikur partia Bindja Demokratike ka 6 muaj përfaqësim në Kuvend, por deputeti Andi Përmeti ka vetëm një muaj në parlament.

    PD ka njoftuar se ka kallëzuar në Prokurori Sekretarin e Kuvendit, Genc Gjonçaj.

    PD pretendon se ky manipulim është bërë me qëllim që të lejohet regjistrimi në KQZ, i kandidatëve të BD. Pak orë më vonë, ka reaguar edhe kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, që është shprehur se BD ka dy deputetë në Parlament, që janë Lefter Koka dhe Andi Përmeti.

    Deklarata e PD

    DEKLARATË E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE, IVI KASO

    Në vitin 2019, gati 30 vjet pas shembjes së regjimit komunist, në vend që të sigurojë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Edi Rama ka vendosur që për karrigen e tij dhe pushtetin e tij personal, t’u asgjesojë shqiptarëve themelin e demokracisë dhe të vlerave europiane, zgjedhjet.

    Pas aleancës me krimin e organizuar, Edi Rama po tenton t’i vendosë një tjetër njollë të paprecedentë procesit zgjedhor në vend. Për herë të parë në historinë postkomuniste në Shqipëri, Edi Rama po tenton të kthejë votimet moniste, duke patur në proces vetëm me kandidatë të partisë në pushtet ose derivate te tij.

    Sipas informacioneve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në më shumë se gjysmën e bashkive në vend është regjistruar vetëm kandidati i Partisë Socialiste, duke u mohuar qytetarëve, në thelb, të drejtën kushtetuese për të zgjedhur.

    Në pjesën tjetër, Edi Rama po tenton të regjistrojë në kundërshtim me ligjin kandidatë të një partie të krijuar në paradhomën e Edi Ramës, e cila u regjistrua në gjykatë me ndihmën e Edi Ramës, me firma të falsifikuara, edhe atje në kundërshtim flagrant me ligjin.

    Sot, do të provojmë para opinionit publik sesi Edi Rama po përdor çdo mjet, po shkel ligjin zgjedhor dhe po manipulon procesin ende pa nisur për llogari të paterices së tij, Bindjes Demokratike.

    Sipas ligjit që një kandidat i një partie politike të regjistrohet nga KZAZ dhe KQZ në zgjedhje, duhet të paraqesë një vërtetim që partia politike zotëron një mandat deputeti të paktën 6 muajt e fundit. Në të kundërt, duhet të mbledhë firma nga votuesit e secilës zonë, ku kandidon.

    Bindja Demokratike nuk përmbush asnjërin nga të dy kushtet ligjorë. Partia e krijuar në paradhomën e Edi Ramës ka paraqitur kandidatë fallco në zgjedhjet fallco me një vërtetim fallco nga Kuvendi i Shqipërisë.

    Në një akt të paprecedentë, për llogari të Edi Ramës, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ka falsifikuar dokumentet zyrtare, duke lëshuar për partinë fantazëm të Edi Ramës një vërtetim, sikur përfaqësohet në Kuvend nga një deputet që ka 6 muaj që ushtron mandatin e tij. Bëhet fjalë për deputetin Andi Përmeti, i cili nuk ka mbushur as 1 muaj në marrjen e mandatit.

    Vertetimi per Andi Permetin

    DOKUMENTET E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT

    PD informon opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për pasqyrimin e të dhënave të pavërteta në dokumente zyrtare.

    Është zbulimi i këtyre dokumenteve dhe shumë të tjerëve që kanë shqetësuar Edi Ramën dhe patericat e tij nga paraqitja e anëtarëve të opozitës në KZAZ. Anëtarët tanë do të dokumentojnë në çdo Komision Zonal manipulimin e dokumentacionit apo tentativat për regjistrimin e kandidatëve në kundërshtim me ligjin.

    Partia Demokratike e Shqipërisë paralajmëron sot cdo anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo KZAZ-ve se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për çdo shkelje të ligjit, për çdo regjistrim kandidatësh në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara.

    Në çdo rast, më apo pa këta kandidatë fallco, është e qartë se procesi i organizuar nga Edi Rama nuk ka asgjë të përbashkët me zgjedhjet demokratike. Ky është një proces ku Edi Rama është kandidat i vetëm në 61 bashki të vendit, duke rikthyer de jure votimin monist.

    Votime moniste në 30 Qershor nuk ka për të patur. Së bashku me shqiptarët, nuk do të lejojmë rikthimin e Shqipërisë në kohën më të errët të saj, kur jetën tonë e kishte në dorë partia shtet.

    Më 25 Maj, ora 19.00, do të jemi përsëri bashkë në një manifest madhështor për t’i provuar Edi Ramës se është i pafuqishëm dhe nuk mund të marrë peng të ardhmen tonë europiane.

    Vijon…

    (F.g & A.S/dosja.al)

    • 13:53

      PD e akuzoi për falsifikim, Patozi: S'na ndalon asgjë të garojmë, kemi edhe Lefter Kokën në Kuvend

      Kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar pas akuzave të PD.  Patozi thotë se BD nuk e ndalon asgjë për të garuar.

      Reagimi i plotë:

      ASGJË NUK E NDALON BINDJEN DEMOKRATIKE TE GAROJË MË 30 QERSHOR

      E vetmja gjë që e mban në këmbë për të mos ikur me vrap, si tek protesta e fundit, partinë e vetëdjegur të Lulzim Bashës është urrejtja dhe meraku që ka për BINDJEN DEMOKRATIKE. Në fakt, ne ua kuptojmë hallin, por nuk i ndihmojmë dot.
      E vetmja punë që ata bëjnë qysh nga data e krijimit të forcës sonë politike është që të na ndjekin dhe përgjojnë, për çdo fjalë që themi dhe çdo veprim që bëjmë, por ne nuk shqetësohemi fare nga kjo. Përkundrazi, e konsiderojmë reklamë falas për një parti të re.
      Sot paskan shpikur që kandidatët tanë qenkan të paligjshëm, sepse nuk u mbështeskan nga një mandat deputeti në të paktën 6 muajt e fundit.
      Sqarojmë publikun se BINDJA DEMOKRATIKE mbështetet jo nga një, por nga firmat e dy deputetëve për të garuar dhe kandiduar në gjithë Shqiërinë. Ata janë zotërinjtë Lefter Koka dhe Andi Përmeti, dhe për këtë ekziston e gjithë praktika e depozituar në KQZ. Më poshtë, fotokopja e shkresës së protokolluar.
      Por përgjuesit tanë të palodhur bëjnë sikur nuk e kanë parë këtë dhe flasin për paligjshmëri.
      Dhe që ta mbledhin mendjen një herë e mirë e mos të lodhen kot, duke u përpjekur çdo ditë të na kapin në gabim, po u themi sot se BINDJA DEMOKRATIKE i ka kapur të gjitha afatet dhe detyrimet ligjore për të konkurruar në 26 bashki me kandidatë për kryetar dhe në rreth 55 të tilla për lista këshilli. Madje në shumë raste ne kemi pasur edhe firmat e qytetarëve të disa bashkive, përvec atyre të deputetëve, të cilat ishin kriter i mjaftueshëm, sipas ligjit.
      Si përfundim, i ftojmë që të qetësohen ata që kanë zgjedhur të na ndjekin ne, e të mos hyjnë vetë në zgjedhje. Ata nuk do të na pengojnë dot kurrë që ne të marrim pjesë dhe të garojmë në procesin e pandalshëm të 30 qershorit.

    Etiketa:

    Shto Koment