
TIRANË– Kryeministri Edi Rama pohon me bindje se nuk ka një draft zyrtar për ndryshimet në Kodin Penal, ndërsa Ministria e Drejtësisë pohon se neni 238, që përfshin ndalimin e memeve, është pjesë e hartimit nga grupi i punës.
Por djalli fshihet në detaje… Le të ndalemi tek këto detaje. Dosja.al verifikoi faqen Qeveritare të Konsultimit Publik të Projektligjeve. Në këtë faqe, siç shihet edhe në foto, nuk ka asnjë projektligj për konsultim me publikun.

Ndërkohë që paralelisht, ministria e Drejtësisë në reagimin për mediat, pasditen e sotme, pretendoi se konsultimi është mbyllur.
“Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave”, sqaron MD.
Nga verifikimi elementar rezulton se konsultimi publik u mbyll pa iu treguar fare publikut, duke fshehur gjurmët e një drafti, i cili u kamuflua tek të tjera ndryshime në Kodin e ri Penal. Të krisura paska pasur…
(F.g/dosja.al)