Politike

Dokumenti/ ‘Basha i vendosi rrugës emrin e një krimineli’, PD i përgjigjet Veliajt: E miratuat ju. Bëre mashtrime të trasha e qesharake (VD)

Por, pas këtyre akuzave ka ardhur një reagim nga Partia Demokratike, e cila ka publikuar një Vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës që mban firmën e Aldrin Dalipit, i zgjedhur nga Partia Socialiste si Kryetar Këshilli.
Featured image of article: Dokumenti/ ‘Basha i vendosi rrugës emrin e një krimineli’, PD i përgjigjet Veliajt: E miratuat ju. Bëre mashtrime të trasha e qesharake (VD) Vendimi i Këshillit Bashkiak dhe emri i rrugës

TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka hedhur akuza kundër Lulzim Bashës, duke thënë se kur ka drejtuar Tiranën i ka vendosur një rruge emrin e një krimineli që është dënuar me burgim të përjetshëm. Akuzat e Veliajt janë bërë në fjalën e mbajtur në hapjen e konkursit për godinën e re të Bashkisë së Tiranës, ku u shpreh se gjatë administratës së mëparshme, një prej rrugëve të kryeqytetit ka marrë emrin e një të dënuari përjetë, ku për ironi në këtë lagje jeton prokurori që ka kërkuar dënimin e tij.

Më shkruajti një ditë një prokuror, i cili tha: Më vjen turp kur më vjen posta në shtëpi sepse emri i rrugës mban emrin e një trafikanti që unë e kam dënuar me burgim të përjetshëm dhe vrasje. Qoka që i kishte bërë ish-administrata para nesh ishte që këtij të fortit i kishin vënë emër rruge. Prokurori që e kishte çuar prapa kangjellave kishte adresën tek ajo rrugë, është të fyesh inteligjencën në mënyrë spektakolare. Nëse ka personalitete që do të duhet të vlerësojmë nga arkitektura, urbanistika, inxhinierë, që të mos presim të bjerë tërmeti i radhës dhe të kujtohemi që heronjtë i kemi mes nesh”, deklaroi Veliaj.

Por pas këtyre akuzave ka ardhur një reagim dhe Partia Demokratike, e cila ka publikuar një Vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës që mban firmën e Aldrin Dalipit, i zgjedhur nga Partia Socialiste si Kryetar Këshilli. Në një reagim në Facebook, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi shkruan se rrugën me emrin e vëllait të Mark dhe Arben Frrokut  e propozoi dhe e miratoi PS.

“Mashtrimet e Erion Veliajt janë të trasha dhe qesharake. Për të bërë pis kryetarin e PD me trafikantë droge, tutorë prostitutash dhe vrasës, siç është mësuar me kryetarin e tij, Erion Veliaj shpiku sot një sajesë sikur Basha i paska vënë emrin e një krimineli një rruge në Tiranë. Aspak e vërtetë! Mashtrim banal, por djallëzor! Vëllanë e Mark dhe Arben Frrokut e nderoi Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, pasi erdhën në pushtet. Vendimi i Këshillit Bashkiak në foto tregon se ishte PS ajo që e propozoi dhe e miratoi emrin e rrugës, siç ka bërë, sa herë ka patur pushtet, duke vendosur emra kriminelësh që kanë vrarë dhe torturuar me mijëra shqiptarë gjatë regjimit diktatorial. Erion Veliaj mund të përpiqet me mashtrime banale të bëjë të duken njësoj Lulzim Basha me Edi Ramën për të përfituar vetë, por e bardha me të zezën janë të pangatërrueshme! Ne nuk jemi të gjithë njësoj!”, shkruan Çupi.

Por si u vendos emri i Leonard Frrokut në këtë rrugë?

Siç shihet në dokumentin e publikuar nga Partia Demokratike, vendimi është marrë në datën 25.06.2014, kohë kur Lulzim Basha ka qenë në krye të Bashkisë Tiranë. Por është firmosur nga Aldrin Dalipi, i cili është nga radhët e PS. Leonard Frroku, është vëllai i ish-deputeti Mark Frroku dhe Arben Frrokut, i cili është dënuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Leonardi, ka vdekur në një aksident rrugor në vitin 2006.  Ndryshimi i emrit të rrugës “Nexho Konomi” në “Leonard Frroku” u propozua nga Këshilli i Njësisë Bashkiake Nr. 6, njësi që drejtohet nga socialisti Krenar Cenollari. Në relacionin që ky këshilli i drejton Këshillit Bashkiak të Tiranës më datën 27 prill të vitit 2012 thuhet se Leonard Frroku i datëlindjes 1974 “ka kontribuar në rritjen e mirëqënies së komunitetit ku ka jetuar” dhe se një prej veprave të tij si biznesmen “është rruga tek Unaza e Re, në Tiranë, e cila u financua prej tij”.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment