Politike

Veliaj-Bashës: Teatri do të shembet, godinën e SHQUP-it bëje zyra e sallë shfaqjesh

  • Veliaj poston fotot nga rrënimi i Teatrit: A ja vlen që PD dhe seksioni i kulturës ta mbajnë këtë vend peng akoma
  • Veliaj ka deklaruar se do të shembet Teatri Kombëtar. Ai është shprehur ndaj Bashës se godinën e SHQUP-it le ta bëj zyra e sallë shfaqjesh.
    Featured image of article: Veliaj-Bashës: Teatri do të shembet, godinën e SHQUP-it bëje zyra e sallë shfaqjesh Erion Veliaj, Lulzim Basha dhe Teatri Kombëtar

    Tiranë-Erion Veliaj ka deklaruar sërish i prerë se do të shembet teatri dhe aty do të ndërtohet godina e re.

    “Një gjë është e sigurt: Teatri do të bëhet! Do të respektohen të gjitha procedurat dhe do të kemi një teatër të ri. Siç e dëgjuam edhe nga njerëzit, nuk jetohet vetëm me bukë e ujë, as vetëm me asfalt, por edhe me art e kulturë. Në qoftë se kemi sjellë këtë cilësi te Bregu i Lumit, te ish “Frigoriferi”, te blloku “Besa”, nuk mund të themi që do të rrimë me tallash në qendër të Tiranës, ndërkohë që e kemi bërë kryeqytet Bregun e Lumit”, tha Veliaj teksa ishte në zonën e njohur si “Frigoriferi”, aty ku përfundoi rehabilitimin e bllokut me sipërfaqe 13 hektarë.

    Në fjalën e tij kryebashkiaku është shprehur se  çdo projekt që ka sjellë ndryshim të prekshëm në Tiranë është kundërshtuar vetëm nga një minorancë e vogël.

    “Për çdo projekt, ka pasur një pakicë që ka kundërshtuar gjithçka. Mbaj mend që e filluam me protestuesit e këndit të lodrave, me një President Republike, kurse sot vazhdojnë prap të njëjtët protestues me një President tjetër. Pra, është një lojë e vazhdueshme. Në të gjitha vendet e botës ka kryetarë bashkie që ëndërrojnë të bëhen një ditë Presidentë, ndërkohë në Shqipëri presidentët ëndërrojnë të bëhen drejtorë komunaleje. Kjo është një nga ato çudirat shqiptare që nuk na ndahet”, u shpreh Veliaj.

    Më tej, ai shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha, nuk ofron asnjë garanci se do mund të bëjë më shumë se mazhoranca aktuale për komunitetin e artistëve, për sa kohë që kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk bëri as rrugët e lagjes së tij në Njësinë 8. “Lul Basha ka qenë banor i kësaj lagjeje; jo vetëm që nuk hodhi një pikë asfalt në rrugën para shtëpisë së tij, që ka qenë në zemër të Tiranës, por bregun e Lumit as nuk e dinte ku binte. Ndaj, kur s’ke bërë asgjë, kur s’ke për të fituar asnjëherë dhe kur s’ke për të qeverisur ndonjëherë, e ke kollaj të premtosh për gjëra që s’ke shans t’i bësh kurrë. Ne nuk kemi asnjë garanci që ai do të vijë në zgjedhjet e tjera. Prandaj, dikush që s’ka asgjë mund të premtojë gjithë botën, kurse dikush që ka çfarë të kontribuojë, sigurisht, matet çfarë premton sepse e di që do të zgjidhet, e di që do të fitojë, e di që do të duhet pastaj të qeverisë dhe e di që do të duhet të mbajë premtimet”, u shpreh Veliaj.

    Mandej, kryebashkiaku propozoi që nëse PD-ja ka dëshirë të kontribuojë vërtet për aktorët dhe artistët, le të lirojë godinën e SHQUP-it dhe ta bëjë zyra e sallë shfaqjesh. “Sot edhe Teatri Eksperimental, edhe Teatri Kombëtar, janë pa zyra. Sot Partia Demokratike ka selinë më të madhe në Shqipëri; por, s’ka asnjë deputet, s’ka asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë, nuk ka asnjë kryetar bashkie, pra në termat e shërbëtorëve publikë, PD-ja nuk ka askënd që t’i shërbejë qytetarit, sipas përcaktimit të asaj që quhet shërbëtor publik. Pra, me ligj, nuk i takon as selia, se nuk ka asnjë njeri të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Shqipërisë. Prandaj, nëse i do aktorët, meqë kanë mungesë zyrash dhe meqënëse i gjithë ujësjellësi i Kamzës u fut në Teatër dhe panë me sytë e tyre në çfarë kushtesh punohej, le t’u falin SHQUP-in, e cila ka qenë një ndërtesë publike. Të falësh dhe të japësh gjëra që nuk i ke, është shumë kollaj; puna është, a jep dot diçka që e ke?”, tha Veliaj.

    J.V/Dosja.al 

     

    Shto Koment