Politike

Varhelyi në Tiranë: Presim rezultate të qarta për parregullsitë dhe blerjen e votës, pa parlament të plotë, nuk ka rrugëtim drejt BE! Rama fton PD: Dora e shtrirë për bashkëpunim! Basha: E njoftuam për krimin zgjedhor

VIDEO
  • PD zbardh takimin e Bashës me Varhelyin, kryedemokrati: E njohëm komisionerin me manipulimin masiv të procesit zgjedhor
  • Momentet kur Rama e Basha dalin nga e njëjta derë në Rinas, i ndajnë vetëm pak çaste
  • Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi tha se BE pret rezultate për ankimimin e opozitës në lidhje me akuzat për shitblerje votash. Varhelyi u prit ngrohtë nga Edi Rama, i cili falenderoi BE për mbështetjen dhe i shtriu dorën opozitës për bashkëpunim. 
    Featured image of article: Varhelyi në Tiranë: Presim rezultate të qarta për parregullsitë dhe blerjen e votës, pa parlament të plotë, nuk ka rrugëtim drejt BE! Rama fton PD: Dora e shtrirë për bashkëpunim! Basha: E njoftuam për krimin zgjedhor Oliver Varhelyi, Lulzim Basha dhe Edi Rama

    TIRANË-Pa parlament të plotë nuk ka BE”, ky ishte mesazhi i prerë që Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi iu dërgoi palëve politike në Shqipëri. Në vizitën e sotme, pjesë e turit të komisionerit në Ballkanin Perëndimor, Varhelyi zhvilloi një konferencë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, menjëherë sapo zbriti në Rinas. “Duam të shohim parregullsitë apo blerjen e mundshme të votave, por pas këtij procesi na duhen rezultate përfundimtare”,-tha Varhelyi teksa komentoi procesin zgjedhor në Shqipëri.

    Komisioneri përgëzoi punën e ambasadorit Luigi Soreca dhe foli edhe për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve. “Presim rezultatet”-tha ai. 


    Në vijim, fjalën e mori kryeministri shqiptar Edi Rama i cili për herë të parë para një ndërkombëtari, i shtriu opozitës dorën për bashkëpunim. Rama tha se “PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin. Do ta mbajmë dorën të shtrirë pa asnjë ndërprerje për opozitën, për PD.”-tha Rama.

    Të dy u pyetën në lidhje me publikimin e dokumenteve “non-paper”, dhe komisioneri tha se dokumente të tilla nuk janë të vërteta. Varhelyi foli qartë kur tha se synime për ndryshimin e kufijve në Ballkan kanë vetëm një përfundim “luftë”. “Ripëcaktimi i kufijve e dimë të gjithë ku na çon.”-tha ai.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Por në axhendën e Varhelyit, ka edhe takime politike. Komisioneri ka zhvilluar një takim me Lulzim Bashën ku është njohur me qëndrimin zyrtar të opozitës për zgjedhjet e 25 prillit 2021. PD njoftoi në mesditë se Basha dhe Varhelyi diskutuan për zgjedhjet dhe se kryedemokrati i ka renditur të dhënat për manipulimin zgjedhor komisionerit të BE.

    Oliver Varhelyi dhe Lulzim Basha

    Por pse mbërriti sot komisioneri në Tiranë?

    Shqipëria ishte pika e radhës e ndalesës së Komisionerit, i cili është drejtues i procesit të shpërndarjes së vaksinave në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria do të përfitojë nga BE 145 mijë doza Pfizer deri në muajin gusht, ndërkohë që edhe vende të tjera do të kenë dozat e tyre.

    (f.g/dosja.al)

    • 13:19

      FOTO/ Rama nxjerr pamje nga takimi me Varhelyin disa minuta pasi PD zbardhi bisedën e Bashës me komisionerin

      Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto nga takimi me komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Në Instagram, Rama ka publikuar foton disa minuta fill pasi Lulzim Basha zbardhi për mediat takimin me komisionerin.

      “Me Komisionerin për Zgjerim, Oliver VARHELYI”,-shkruan Rama krahas fotos.

      POSTIMI I PLOTË: 

       

      View this post on Instagram

       

      A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

    • 13:27

      PD zbardh takimin e Bashës me Varhelyin, kryedemokrati: E njohëm komisionerin me manipulimin masiv të procesit zgjedhor

      Kryetari i PD Lulzim Basha zhvilloi një takim me Komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Kreu i PD e falenderoi zotin Varhelyi dhe Komisionin Europian per sasinë e vaksinave që BE i ka dhënë Shqipërisë si dhe për mbështetjen financiare për të lehtësuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore.

      Në qendër të takimit ishte procesi i zgjedhjeve të 25 prillit, ku Basha e njohu komisionierin me manipulimet masive që i janë bërë procesit zgjedhor, përmes shitblerjes së votës, përdorimit  të personave me precedentë kriminal, përdorimit të paligjshëm të administratës, vjedhjes dhe përdorimit kriminal të të dhënave personale të shtetasve nga PS, përdorimit të paligjshëm, masiv dhe sistematik të parave të buxhetit të shtetit për tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve si dhe përdorimin e legalizimeve për vota.

      “Fushata e tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve u drejtua nga kupola drejtuese qeveritare në bashkepunim nga persona qe jane nen hetim per bashkëpunim me krimin e organizuar, dhe personave në listën e zezë të SHBA, fëmijë dhe të afërm të personave që u nxorrën jashtë nga ligji i dekriminalizimit janë tashmë pjesë e listës së deputetëve të PS. PD dhe kandidatëet saj”,-është shprehur Basha, njofton PD, “kanë depozituar në SPAK dhe në prokuroritë e rretheve rreth 180 kallëzime për të cilat nuk ka patur asnjë veprim ndalues apo parandalues edhe pse ato janë depozituar muaj para datës së zgjedhjeve. Policia e shtetit në shume raste është përfshirë në mbrojtjen kontigjenteve të blerjes së votës si dhe ka fshehur, tjetërsuar dhe manipuluar fakte flagrante ku persona me precedent janë përfshirë në operacionin kriminal të blerjes së votave dhe shantazhimit të votuesve.”

      Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të vazhduar betejën për ndryshim dhe për të kthyer demokracinë në Shqipëri.

    • 10:35

      Dokumenti “Non paper/ Rama ironizon: Do ulim prodhimin e historisë, s’duhet të riballkanizohemi


      Kryeministri Edi Rama ka komentuar akuzat për ndikimin e tij në të ashtuquajturin “non paper”. Në një konferencë për shtyp me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Rama ironizoi akuzat për ndikim duke u shprehur se kishte një vizion të qartë për Ballkanin Perëndimor: Shengenin Rajonal.

      “E kam dhënë opinionin tim dhe s’do lodhem së përsërituri, që do ulim prodhimin e historisë, dhe do rrisim prodhimin e ekonomisë. Mandati ynë i tretë do jetë shumë i fokusuar në uljen e prodhimit të historisë dhe historive që këtu në Shqipëri prej 30 vjetësh i prodhojmë me kapacitet të plotë duke i marrë shumë energji njerëzve dhe duke i lënë shumë më pak energji se çfarë meritojnë punët e vendit dhe hallet e njerëzve.

      Sa i përket Ballkanit, vizioni im është i shpallur, Shengeni Rajonal është rruga ku duhet të ecim përditë, ndërkohë diskutojmë në mënyrë civile mosdakordësitë tona. Mosdakordësitë s’duhet të na pengojnë asnjë ditë që të rrisim ekonominë, përmirësimin e situatës sociale të njerëzve në këtë rajon.

      Të mbështesim ndërtimin e një baze të re për të ardhme. Shengeni Rajonal është një vizion e projekt i përqafuar plotësisht nga BE, i mbështetur nga KE dhe Komisioneri është kontributor konkret i kësaj me planin e investimeve. Është vërtet gjynah të humbasim kohë të çmuar duke prodhuar historira që nuk na çojë asgjëkundi.

      Nuk shoh mundësi që ne të gjejmë zgjidhje magjike për problemet që mund të zgjidhim me shumë durim në rajon. Sa më shumë të përmirësojmë atmosferën e marrëdhënieve ekonomike, sociale mes vendeve, aq më shumë krijojmë kushtet që mosdakordësitë të trajtohen në mënyrë produktive.

      Konfliktet na kanë lënë mbrapa, fatkeqësisht artin e sajimit të konflikteve joproduktive e kemi realisht një art për të cilin s’na konkurron askush. Duhet të europianizohemi, nuk duhet të riballkanizohemi ndërkohë që jemi në mes të rrugës. Konfliktet duan kohën e tyre për t’u zgjidhur. Jam shumë dakord me Komisionerin që çdo përpjekje për të dhënë çelësa magjike për t’i hapur dyert e së ardhmes me një të rënë të lapsit, çon në atë që kemi parë në të shkuarën,”-tha Rama.

    • 10:36

      A ekziston “non paper”? Komisioneri Varhelyi: Do ishim të shqetësuar, e dimë shumë mirë ku na çon… Dokumenti iu shërben disa synimeve të tjera


      Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi e ka mohuar ekzistencën e dokumentit “non-paper”, të publikuar disa ditë më parë në mediat kosovare ku flitet për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Varhelyi tha se dokumenti nuk ishte serioz pasi në të kundërt ndërkombëtarët do të ishin të shqetësuar. Kjo pasi sipas tij, ndryshimi i kufijëve në Ballkan çon vetëm një përfundim: luftë!

      Është si një stinë ku tashmë po shikojmë që kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen Non-paper dhe pse jemi të bindur që asnjë nga këto nuk janë të vërteta. Po të ishin të vërteta, sigurisht që do të ishim të shqetësuar.  Kështu që ndokush që është serioz nuk do e vinte në tryezë për të diskutuar e aq më pak në këtë rajon. Nuk jemi dakord me asnjë pjesë të saj, por ndoshta iu shërben disa synimeve të tjera… Ndaj ndihem mirë se ai dokument është njoftuar nga ata që iu është atribuar ky non-paper. Kalojmë tek stina tjetër. Si do ta bëjmë stinën e Ballkanit dhe si do të marrim marrëveshje për konferencën e parë anti-qeveritare. Dhe si do të punojmë për aplikimin e metodologjisë së re për Serbinë dhe Malin e Zi. Dhe sesi do të vijojmë me dialogun mes Beogradit dhe Kosvës,”-tha ai.

      Çfarë përmban i ashtuquajturi dokumenti “non paper”?

      Dokumenti që u publikua fillimisht në gazetën “Koha Ditore” dhe më pas edhe nga medie të tjera në Kosovë, flet për themelimin e një “distrikti autonom” në veriun e Kosovës (Mitrovicë, zonë me popullsi serbe) si dhe që Kosova dhe Serbia të njohin tërësinë tokësore dhe sovranitetin e njëra tjetrës. Sipas “Kohës Ditore” dokumenti joformal (non-paper), pretendohet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, si një nismë për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi, por nuk është konfirmuar asnjëherë nga të lartpërmendurit. Gjithashtu ndër të tjera në dokument thuhet se Kisha Ortodokse Serbe do të këtë “status të privilegjuar”, ndërsa Serbia, pas ratifikimit të marrëveshjes ligjërisht detyruese “nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale”, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit me OKB-në dhe Interpolin.

    • 10:25

      A do të kërkojë Shqipëria pasaportë vaksinimi? Rama: Nuk do vendosim asnjë kusht e asnjë pengesë


      Kryeministri Edi Rama tha ditën e sotme se Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht për ata që duan të vijnë në vend. Kjo deklaratë, erdhi pas pyetjes se nëse Shqipëria do të kërkojë pasaportë vaksinimi për personat që e kanë kryer. Kryeministri shtoi se procesi i vaksinimit po vijon e se me kënaqësi po ndjek procesin e pronotimeve që po kryhen në vend nga persona që duan të kalojnë pushimet këtu.

      Ndërsa Varhelyi u shpreh se kanë sugjeruar që të hapen kufijtë që të hyjmë në BE.

      Pyetje: Do të vazhdojë BE të mbështesë vendet e Ballkanit me doza? Do të lëvizin lirshëm në BE? A do të kërkojë Shqipëria pasaportë vaksinimi?

      Oliver Varhelyi: Shpesoj shumë që me 651 mijë doza thjesht po çelim dorëzimin. Shpesoj që unë do të vij vetë dhe të jenë aq të shpeshta sa mos të kem kohë. Po kemi bërë propozim ndaj shteteve anëtare dhe ato e marrin atë vendim. Në rekomandimet tona ne kemi sugjeruar që të hapen kufijtë që të hyjnë në BE edhe pa pasur arsye thelbësore. Po përdorim të dhëna epidemoliogjike. Ato me situatë të mirë, të kenë mundësi të vizitojnë shtetet e BE. Shpresoj që në formë graduale të rifillojmë këtë proces. Shpresojmë që të kemi verë normale.

      Rama: Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht për të gjithë ata që duan të vijnë për sezonin turistik. Me shumë kënaqësi po ndjek procesin e pronontimeve që rriten vazhdimisht për të kaluar pushimet në Shqipëri. Ne jemi në një pozicion të admirueshëm nga pikëpamja e vaksinave. Do ta vazhdojmë me ritëm të lartë. Tani objektivi është 1 milion. Puna vazhdon që Shqipëria të buzëqeshë e çliruar dhe kapaciteti i saj të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht vitin e ardhshëm.

    • 10:25

      Hera e parë para një ndërkombëtari/ Rama i bën sërish thirrje ndaj Bashës: Të kthehet me këmbë në tokë, PD është e mirëpritur


      Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sërish, por sot për herë të parë para një ndërkombëtari, ftesën e tij nga kundërshtarit politik, Lulzim Basha. Në një konferencë për shtyp me komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, Rama tha se Partia Socialiste do të braktiste luftën mes forcave politike, ndërsa shtoi se PD është e mirëpritur për të bashkëpunuar.

      “Për t’ju përgjigjur dhe unë pjesës time. Përsëris që bindja dhe vullneti im që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS do e braktisë llogoren e asaj luftë të vetëm, bajate dhe banale. Përsa më takon, ne do të fokusohemi tek punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do e mbajmë dorën e shtrirë pas një ndërprerje për opozitën dhe PD. PD është e mirëpritur, kudoqoftë dhe sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë për të hapur proces diskutimi pa asnjë kusht për të shtyrë para punën dhe integrimin europian të Shqipërisë, nuk kam asgjë tjetër për të shtuar. Me ndihmën tuaj do të jem në gjendje të qëndroj larg nga polemikat e kota dhe të lodhshme midis partive për patritë. Shqipëria është në një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër. E gjithë koha ime do të jetë në këtë drejtim,”-tha Rama.

      Thirrjet e kreut të qeverisë për kryedemokratin Basha kanë nisur që gjatë fushatës elektorale. Rama kërkon bashkëpunim, pa e përcaktuar sesi, në mënyrë që të ndihmojnë në të ardhmen e Shqipërisë. Edhe pse kreu i qeverisë e ka përsëritur disa herë thirrjen, përgjigjia nga kampi kundërshtar ka qenë gjithmonë negative.

    • 10:21

      Varhelyi mesazh të fortë palëve: Pa parlament të plotë nuk ecni dot drejt rrugëtimit në BE!


      Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi i ka dërguar një mesazh të qartë palëve politike në Shqipëri. Komisioneri tha se pa një parlament të plotësuar rrugëtimi prej BE nuk është i mundur. 

      PJESË NGA FJALA E VARHELYIT: 

      Pas tij na duhet që Kuvendi i Shqipërisë të fillojë nga puna edhe shumë shpejt për Reformat e BE. Pa një parlament të plotë nuk ecni dot drejt rrugëtimit të BE. Ka ende mjaft punë për të bërë.

      Në lidhje me pyetjen e dytë, nëse do të ndodhë kjo gjë atëherë që puna jo vetëm që duhet të vazhdojë por duhet të përshpejtohet, jo vetëm nga qeveria por edhe nga Kuvendi i ri. Po presim rezultatin e procesit të apelimit. Presim që Shqipëria të punojë për anëtarësimin në BE. 

    • 10:15

      "Duam të shohim parregullsitë"/ Varhelyi i prerë për zgjedhjet e 25 prillit: Duam rezultate të qarta apo blerjen e votave! Kuvendi i ri duhet të jetë i plotësuar


      Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi ishte i prerë për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në fjalën e tij, krah kryeministrit Edi Rama në Rinas, Varhelyi tha se BE pret që të shikojë parregullsitë apo blerjen e votave. Por gjithashtu ai shtoi se me rëndësi është që Kuvendi të jetë i plotësuar edhe me opozitën.

      PJESË NGA FJALA E VARHELYIT: 

      Ne kemi një ambasador shumë të mirë këtu. Jam krenar të punoj me të. Sigurisht që e ndjek gjithë punën e tij, jemi në kontakt, kemi qenë edhe për zgjedhjet. Jam i kënaqur me ambasadorin e BE. Kemi qenë në kontakt edhe për zgjedhjet, e kam ndjekur nga afër çdo gjë që po ndodh edhe atë që ka thënë OSBE. Mendoj se pas një situate të zjarrtë mendoj se na duhen rezultate të qarta. Duam të shohim parregullsitë apo blerjen e mundshme të votave, por pas këtij procesi na duhen rezultate përfundimtare. Na duhet që Kuvendi të nisë punë shumë shpejt për reformat e BE. Pa një Kuvend të plotë është e pamundur të ecet përpara dhe ka ende punë për të bërë.

    • 10:16

      Incidenti në fjalimin e Oliver Varhelyit! Komisioneri flet për ndikimin e BE-së, ndërhyn “Turqia”: Të presim pak…


      Fjalimi i Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi është ndërprerë nga një aeroplan në pistën e Rinasit. Pikërisht në momentin kur Varhelyi fliste për ndikimin dhe ndihmën e Bashkimit Europian për Shqipërinë, “Turqia” ka ndërhyrë.

      “Ju kërkoj ndjesë të presim pak, kemi linjën ajrore të Turqisë “Turkish Airlines”,”-tha komisioneri.

    • 10:10

      Varhelyi në Rinas: Prioriteti ynë, vaksinimi edhe i Ballkanit Perëndimor! 145 mijë doza janë dhuratë nga ana jonë


      Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi u shpreh optimist se dalja nga pandemia është shumë afër. Gjatë konferencës në Rinas, krah kryeministrit Edi Rama, Varhelyi tha se Shqipëria do të marrë një total prej 145 mijë doza Pfizer nga Bashkimi Evropian, që janë dhuratë.

      “Ne kemi punuar fort dhe mendoj se po vijmë këtu në momentin e duhur, pasi tashmë po dalim nga pandemia. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të kenë vaksina, dhe besoj se nuk është e nevojshme të them që BP është i rëndësishëm për ne. Me këto vaksina ju s’do të siguroni vetëm grupet shëndetësore, ju do të merrni 145 mijë doza të vaksinës Pfizer, jo vetëm që i sjell këtu BE, por janë financim i BE. Janë një dhuratë nga ana jonë, për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Një gjë tjetër që dua të bëj të qartë është se ne këtë gjë nuk do e kishim bërë dot të mundur pa miqtë tanë austriakë, që kanë qenë të rëndësishëm. Ne jemi përpjekur t’ju ndihmojmë me gjithçka kemi mundur, maska, respiratorë, etj. E tashmë sot ne po sjellim dozat e para të vaksinës”-tha Varhelyi. 

    • 10:05

      Rama krah me Varhelyin: KE ka aprovuar 1 mln euro ndihmë për Shqipërinë, deri në gusht do të kemi marrë sasinë tona të vaksinave


      Kryeministri Edi Rama ka falenderuar Bashkimin Evropian dhe komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për mbështetjen ndaj Shqipërisë. Rama tha se Shqipëria është nga vendet që përfiton nga sasia e vaksinave që KE ka për Ballkanin Perëndimor.

      “Më vjen natyrshëm të kujtoj se Komisioni ka mundësuar kualifikimin e vendeve të rajonit, flas për Shqipërinë. Për fondet për përballimin e pasojave shëndetësore të pandemisë përmes fondit të solidaritetit, janë afro 1 milionë euro që i takojnë Shqipërisë. Komisioni ka miratuar propozimin e paketës mikrofinanciare në mbështetje të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër shuma totale prej BE prej 2.2 miliardë euro do të kontribuojë edhe për lëvrimin e sasive të vaksinave, ndërkohë që në Shqipëri kanë mbërritur dozat e para dhe deri në gusht, Shqipëria do të marrë të gjithë pjesën e saj të akorduar të vaksinave.”-tha Rama. 

    • 10:00

      ‘Shkuesi’ bëhet Varhelyi! Rama dhe Basha rastisin në sallën VIP të aeroportit të Rinasit, mister nëse ka pasur bisedime

      Edi Rama, Lulzim Basha

      Mbërritja e komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi në Tiranë duket se ka ka bërë bashkë Ramën dhe Bashën. ‘Faxnews’, raporton se në momentin kur komisionieri ka mbërritur në Rinas, dy liderët e partive kryesore në vend janë parë që të hyjnë në të njëjtën orar në sallën VIP të aerportit të Rinasit.

      Ata të dy kanë hyrë në të njëjtin ambient mirëpo nuk dihet nëse Basha dhe Rama janë takuar apo nëse kanë shkëmbyer biseda mes njëri-tjetrit.

      Rama ndodhet në një konferencë të përbashkët me Varhelyin. Takimi i komisionierit me Bashën do të zhvillohet në Rinas, pas konferencës me kryeministrin Rama.

    Shto Koment