Aktualitet

Vaksinimi i mësuesve në Shqipëri/ VOA: Një pjesë e arsimtarëve refuzuan, të tjerët thanë se kishin frikë nga…

Një pjesë jo e vogël e mësuesve refuzuan ta merrnin këtë vaksinë, ndërsa një pjesë tjetër pohonin jashtë kamerave pasigurinë dhe frikën e tyre për pasojat e saj.
Featured image of article: Vaksinimi i mësuesve në Shqipëri/ VOA: Një pjesë e arsimtarëve refuzuan, të tjerët thanë se kishin frikë nga… Pamje nga vaksinimi

TIRANË – Në Shqipëri, nisi sot mes refuzimit dhe një entuziazmi të përmbajtur vaksinimi i mësuesve në kryeqytet dhe qytete të tjera me vaksinën Astra Zeneca kundër virusit COVID-19.

Një pjesë jo e vogël e mësuesve refuzuan ta merrnin këtë vaksinë, ndërsa një pjesë tjetër pohonin jashtë kamerave pasigurinë dhe frikën e tyre për pasojat e saj.

Vendimet e disa shteteve europiane për pezullimin e vaksinës Astra Zeneca nuk e frenuan nisjen e vaksinimit të mësuesve në qytetet kryesore të Shqipërisë me këtë vaksinë.

Në shkollat Ismail Qemali, Petro Nini Luarasi dhe 4 dëshmorët, u hapën qendrat e vaksinimit, të cilat u bënë mikpritëse edhe për gjithë shkollat e tjera.

Mësuesit vinin grupe grupe sipas një kalendari të përcaktuar së bashku me drejtuesit e shkollave, një pjesë nuk paraqiteshin pranë këtyre qendrave, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse kishin ardhur aty, refuzuan me shkrim ta marrnin vaksinën Astra Zeneca.

Jashtë kamerave mësuesit pohuan për gazetarët frikën dhe pasigurinë e tyre ndaj vaksinës Astra Zeneca, një pjesë tjetër ishin shumë entuziastë, por asnjë grup dhe as tjetri nuk pranonin të flisnin para mikrofonit, duke shmangur identifikimin e tyre në publik, për të larguar, sic pohonin, ndonjë masë administrative ndaj tyre.

Një pjesë tjetër e mësuesve vazhdonin në heshtje vaksinimin, duke mbajtur shpresa të mëdha tek shkencëtarët në këtë periudhë pandemie.

Drejtuesit e shkollave pohonin se një pjesë e mësuesve kishin refuzuar të merrnin vaksinën Astra Zeneca për arsye të ndryshme, dhe se kjo ishte e drejta e tyre.

Një drejtuese e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se procesi i vaksinimit ka ecur normalisht, ndërsa për refuzimet shtoi se ishin thjesht shtyrje datash për arsye shëndetësore.

Vaksinimi i mësuesve nisi në mëngjes në Gjirokastër, ku sërish arsimtarët paraqisteshin sipas një kalendari të hartuar më parë dhe një pjesë refuzonin ta merrnin vaksinën ose prej frikës ose për arsye shëndetësore.

Drejtuesit e shkollave dhe shëndetësisë në Gjirokastër pohuan se gjithë mësuesit janë informuar maksimalisht për vaksinën dhe pjesëmarrja në proces është e madhe, ndërsa vendimi për t’u përfshirë ose jo në të është personal..

Në Shkodër vaksinimi i mësuesve nisi pasdite, pasi përfundoi procesi mësimor, ku edhe atje ishte sërish e njëjta pamje.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në qendrën sportive, ku është vendosur më herët baza e vaksinimit u paraqitën mësuesit dhe drejtorëte shkollave, të cilët pasi plotësonin formularët, merrnin vaksinën dhe një pjesë refuzuan, duke mos ardhur ose duke shkruar në tabelë arsyet e refuzimit.

Pas mjekëve dhe pensionistëve, mësuesit janë grupi i tretë që po nisin vaksinimin në Shqipëri.

Një pjesë e madhe e tyre u infektuan gjatë këtij viti, ndërsa procesi mësimor vazhdon online përmes internetit.

Vendimet e disa shteteve për të pezulluar përdorimin e vaksinës Astra Zeneca shtuan hezitimin e qytetarëve për ta marrë atë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ndoqën nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në qytetin e Durrësit. Zoti Rama tha se procesi i vaksinimit me AstraZeneca po vijon në shumë vende të tjera.

“Kjo është luftë e madhe për jetën, por është edhe luftë e madhe tregtare. Nuk e kanë ndërprerë vaksinimin, Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmaur sot prapë që do të vazhdojë, sepse nuk ka asnjë evidencë shkencore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjesht për një dyshim, që lidhet me një seri tjetër dhe të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, po presin konfirmimin e OBSH dhe të EMA, që deri tani ka konfirmuar vetëm vlerën e vaksinës dhe kur të thonë ndalojni do e ndalojmë. Madje sot po flisja me Londrën, aty janë bërë miliona vaksina AstraZeneca dhe s’ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjensia Britanike ka rikonfirmuar dhe vazhdon vaksinimin” – tha kryeministri Edi Rama.

Në Shqipëri kanë mbërritur mbi 80 mijë vaksina Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet rritja e sasisë së vaksinave në javët në vijim.

Deri tani qeveria shqiptare ka siguruar 1,6 milion doza vaksinash për 800 mijë qytetarë, nëpërmjet kontratave me Pfizer dhe mekanizmit COVAX.

Në të gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla deri tani, ku është hapur procesi i vaksinimit. Komiteti Kombëtar i Vaksinimit dhe Komiteti i Imunizimit po vlerësojnë situatën hap pas hapi.

Deri tani janë kryer rreth 30 mijë vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Marre nga: VOA 

(A.k.dosja.al)

Shto Koment