Opinione

Vaksina për gripin sezonal, po, por si?!

Shembujt nuk mungojnë. para 10 vjetësh, mijëra vaksina kundër gripit të derrit u blenë dhe skaduan! fatkeqësisht, në 10 vjet sistemi ynë i shëndetit publik ka bërë pas dhe jo para...
Featured image of article: Vaksina për gripin sezonal, po, por si?! Teste kundër COVID-19

Prej disa javësh është duke u folur për mundësinë e ofrimit të vaksinës për gripin e stinës falas për gjithë popullatën. Ndërsa kjo masë do të ndihmojë për të ulur ndjeshëm impaktin e gripit mbi shëndet duke shmangur qarkullimin e njëkohshëm të COVID, gripit dhe viruseve të stinës, mbeten disa pikëpyetje jo të parëndësishme

Së pari, a është e mundur të vaksinohen 2.8 milionë shqiptarë brenda disa javëve?

Kjo kërkon një zinxhir logjistik të përsosur, personel mjeksor të trajnuar dhe popullatë të sensibilizuar për të përmendur vetëm tre parakushtet më të rëndësishme. Duke qënë se këta tre faktorë kanë qënë arsyet e dështimit të përgjigjes shqiptare ndaj COVID, duket e pamundur që ministria dhe komiteti të bëjnë për disa javë, atë që nuk bënë dot me COVID për gati 9 muaj.

Së dyti, a është menduar për llojin e vaksinës që do të blihet?

Në media dhe rrjetet sociale kanë qarkulluar prej kohësh informacione jo-zyrtare mbi pamundësinë e ministrisë për të blerë vaksina cilësore. Çdo përpjekje për të fituar besimin e publikun (shih pikën pararendëse) duhet të nisë nga transparenca. Përsëri këtu biem në një fushë të minuar të njohur. Mënyra se si është trajtuar epidemia nga COVID në Shqipëri është shembulli më i keq i transparencës.

Së treti, a është kosto-efektive të blihen vaksina gripi?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dihet se ministria dhe shteti shqiptar nuk notojnë në para! Mungesa e parave mund të jetë një nga arsyet pse numri i testeve që ofron sektori publik në Shqipëri lundron në ujëra afrikane. Para se të mendohet blerja e 2.8 milionë vaksinave të cilat rrezikojnë të mbeten stok për shkak të paaftësisë për t’i administruar apo për t’i mbushur mendjen publikun për dobinë e tyre, a mos duhen menduar rrugë shumë më efektive për të përdorur këtë financim. Rritja e numrit të testeve, pajisja e spitaleve rajonale me aparate CPAP dhd BiPAP, furnizimi i mjekëve të familjes me puls-oksimetër do të ishin shembuj të ndërhyrjeve alternative të cilat ka gjasa të jenë më kosto-efektive se sa vaksinimi për gripin sezonal.

Nëse Ministria dhe komiteti nuk zgjidhin të gjithë hallkat e mësipërme, vaksinimi kundër gripit rrezikon të kthehet në dështimin e radhës!

Shembujt nuk mungojnë. para 10 vjetësh, mijëra vaksina kundër gripit të derrit u blenë dhe skaduan! fatkeqësisht, në 10 vjet sistemi ynë i shëndetit publik ka bërë pas dhe jo para…

Vaksinimi është gjithmonë një masë e dobishme e shëndetit publik, por edhe masat më të mira e humbin efektivitetin e tyre në duar të paafta!

Uroj që gabimet e 9 muajve të bëhen së fundi mësim!

Shto Koment