Bota

Ushtria amerikane përgatitet për “skenarin më të keq” nga koronavirusi

Gjenerali foli me agjencinë e lajmeve Reuters në një intervistë nga Baza Ajrore Petersen në Kolorado Springs të Kolorados.
Featured image of article: Ushtria amerikane përgatitet për “skenarin më të keq” nga koronavirusi Ushtrar amerikanë

SHBA- Ushtria amerikane po përgatitet për skenarin më të keq në betejën me koronavirusin. Kështu deklaron Gjeneral Terrence O’Shaughnessy, kreu i Komandës Veriore Amerikane, i cili shpjegon masat që po merr ushtria për të reaguar në përgjigje të krizës.

Gjeneral O’Shaughnessy thotë se ushtria po e trajton këtë krizë si periudhë lufte: “Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura i ka shpallur luftë epidemisë së COVID-19, prandaj po veprojmë si në kohë lufte dhe po e trajtojmë si një fushatë të madhe ushtarake”. Gjenerali foli me agjencinë e lajmeve Reuters në një intervistë nga Baza Ajrore Petersen në Kolorado Springs të Kolorados. Ai shpjegoi se një kontigjent ushtarak është dislokuar në kompleksin e maleve Shajen që u ndërtua si bazë mbrojtëse nga kërcënime bërthamore.

“Ndodhet 550 metra nën tokë, nën shtresën e granitit që ofron mbrojtje të shkëlqyer, jo vetëm ndaj rrezikut bërthamor, por shërben edhe në këtë rast për të izoluar një kontigjent”. Kreu i Komandës Veriore amerikane tha se ushtria po ofron mbështetje në operacionet federale për të vënë nën kontroll situatën në vatrat më të nxehta të sëmundjes:

“Kemi dislokuar kapacitete në Nju Jork, po ashtu në Kaliforni dhe në shtetin e Uashingtonit. Dislokimet më të fundit janë në Nju Orleans dhe Dallas. Gjatë gjithë kohës jemi në bashkërendim me Pete Gaynor, administrator i Agjencisë Federale të Emergjencave, për të identifikuar zonat që janë më në rrezik dhe ku nevojitet ndihma jonë”. Gjenerali nuk pranoi të deklaronte sa sa ushtarë në territorin amerikan janë diagnostikuar me koronavirus, duke cituar shqetësime sigurie, por pohoi se virusi paraqet një sfidë të madhe për operacionet ushtarake. Rreth 1000 detarë nga kryqëzori amerikan USS Theodore Roosevelt, apo një e pesta e ekuipazhit të tij, ishin në karantinë në një bazë detare në Guam. Marina Ushtarake po përpiqet të vërë nën kontroll shpërthimin e infeksionit në kryqëzor,

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Evakuimi i personelit filloi të mërkurën, një javë pas raportimit të rastit të parë në Aeroplanmbajtëse dhe pasoi nxjerrjen e një letre të fortë në adresë të komandës së Marinës nga kapiteni i kryqëzorit duke kërkuar “përgjigje të vendosur” për të vënë nëm kontroll epideminë. Megjithëse aeroplanmbajtësja USS Theodore Rooseveld nuk është nën komandën e Gjeneralit O’Shaughnessy, ai tha se po e ndjek nga afër situatën dhe donte të ishte i informuar. Ai shprehu gjithashtu shqetësim për mirëqënien e personelit shëndetësor, si civilë, ashtu edhe nga radhët e ushtrisë, të cilët janë në vijën e frontit në këtë betejë.

“E dimë që gjenden në një situatë dhe rrethana ekstreme,” tha gjenerali. “Po përgatitemi për skenarin më të keq. Ne duam të jemi përgatitur për të përmbushur çfarëdo detyre që kërkohet prej nesh në këtë situate. Jemi gati për të reaguar me një strategji mbarë-kombëtare”. Ashtu si sektori civil që po e studion situatën dhe po përshtatet në kohë reale, edhe ushtria, tha Gjeneral O’Shaughnessy po nxjerr mësime dhe po adaptohet nga rrethanat në ndryshim të kësaj krize.

(Marrë nga Zëri i Amerikës)

Shto Koment