Politike

Urdhëri i Ramës zbatohet nga 8 drejtorë në Shkodër, japin dorëheqjen. PD: PS në duart e Tom Doshit

8 drejtorë dhanë dorëheqjen ditën e sotme në Shkodër. 7 prej tyre dhanë dorëheqjen njëherazi, duke u pasuar nga dorëheqja e drejtorit të tatimeve, Agim Shimaj. Dega PD Shkodër deklaroi se Rama po vendos Partinë Socialiste në administrimin e Tom Doshit.
Featured image of article: Urdhëri i Ramës zbatohet nga 8 drejtorë në Shkodër, japin dorëheqjen. PD: PS në duart e Tom Doshit Drejtorët e dorëhequr dhe Edi Rama

SHKODËR- Një ditë pas urdhrit të Edi Ramës, i cili iu komunikua dhe verbalisht në një mbledhje që i nxori kokëulur, 8 drejtorë rajonalë në Shkodër kanë dhënë dorëheqjen.

Në mbledhjen e zhvilluar dje në selinë e PS ishte vetë kryeministri Edi Rama që u kishte kërkuar drejtorëve që të dorëhiqeshin dhe zëvendësimi i tyre do të bëhej nga gra, pasi duhej rregulluar imazhi i PS në Shkodër pas skandalit me Valdrin Pjetrin.

Kështu sot dhanë dorëheqjen njëherazi 7 drejtorë: Kadri Ymeri, Drejtor i DAR Shkodër; Ardian Dajti, Drejtor i Spitalit të Shkodrës; Mustaf Kraja, Drejtor i Bujqësisë Shkodër; Luan Heta, Drejtor i HEC Vau Dejës; Edmond Emini, Drejtor i Postës Shkodër, Kryetar i PS Shkodër; Agim Dardha, Drejtor Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër; Astrit Beci, Drejtor i Shëndetit Publik Shkodër. Ndërkohë, pak orë më vonë dha dorëheqjen edhe drejtori i hetimit tatimor në Shkodër, Agim Shimaj, i cili ishte emëruar më pak se 2 muaj më parë nga ministrja Denaj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Për këtë lëvizje të rrufeshme me urdhër të Ramës, ka reaguar dhe dega e Partisë Demokratike në Shkodër, e cila në një reagim për mediet shkruan se Rama po vendos Partinë Socialiste në administrimin e Tom Doshit.

Partia Socialiste mblodhi dje Kryesinë. Rama kërkoi nga drejtorët rajonalë në Shkodër që të jepnin dorëheqjen, për të rregulluar imazhin e PS. Ditmir Bushati doli kundër partisë duke thënë se kjo situatë nuk mund të zgjidhet me shkarkime të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. Për Ballën, Pjetri ka përgjegjësi personale. Ndërsa nuk u gjet një emër zëvendësues për Valdrin Pjetrin.

(A.M. Dosja.al)

  • 18:29

    Shkon në 8 numri i drejtorëve të larguar, jep dorëheqjen drejtori i tatimeve (Emri)

    Agim Shimaj

    Jep dorëheqjen drejtori i hetimit tatimor në Shkodër, Agim Shimaj ,i emëruar më pak se 2 muaj më parë nga ministrja Denaj .

    Kjo dorëheqje vjen në vazhdën e dorëheqjeve të drejtorëve në Shkodër pas kritikave të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e kryesisë së partisë Socialiste me drejtorët e kryeqendrës së veriut .

    Agim Shimaj njihet si një nga anëtarët e partisë Socialiste që në fillimet e saj si dhe anëtar i Asamblesë së Përgjithshme.

    Pak kohë më parë Agim Shimaj ka mbajtur postin e koordinatorit të partisë Socialiste në Shkodër.

  • 18:29

    Dorëheqjet e drejtorëve, PD e Shkodrës: Urdhër i paprecedentë, PS në administrimin e Tom Doshit

    Dega PD Shkodër

    Dega e Partisë Demokratike në Shkodër, ka reaguar pas dorëheqjes së disa drejtorëve rajonalë në Shkodër. Në një reagim për mediet PD shkruan se Rama po vendos Partinë Socialiste në administrimin e Tom Doshit.

    Një urdhër të paprecedentë e ka quajtur PD, vendimin e për dorëheqjen e drejtorëve. “Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945”. Shkruhet në deklaratë.

    DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DEGA SHKODËR:

    Edi Rama, kryetari i sektit të Rilindjes, orët e fundit po imponon një proces tërësisht antiligjor, diskriminues dhe në gjurmët e etërve të tij biologjikë e politikë. Edi Rama po vendos PS Shkodër, në administrimin e Tom Doshit, personit i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por fillimisht, po i spastron “fushën” duke i lënë në dorë të gjitha drejtoritë rajonale në Shkodër.

    Me një urdhër të paprecedent në historinë edhe të vendeve më të prapambetura të Afrikës, Edi Rama ka nisur instalimin e partisë – shtet duke filluar nga Shkodra, ekzaktësisht siç bënë komunistët në 1945. Urdhri për dorëheqje në bllok të të gjithë drejtorëve rajonalë në Qarkun e Shkodrës, është totalisht antiligjor dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës, Statusit të Nëpunësit Civil dhe Kodit të Punës. Me një urdhër të tillë, Rama po zëvendëson njërën bandë me një bandë tjetër. Pasi të lirohen postet e drejtorëve, do të jetë “mëkëmbësi” i Edi Ramës në Shkodër, Tom Doshi, që do të emërojë drejtorët e rinj rajonal, në koordinim të plotë me kreun e bandës së Rilindjes, kryeministrin e fatkeqësisë kombëtare.

  • 18:29

    Pas urdhrit të Ramës dorëhiqen 7 drejtorë në Shkodër (EMRAT)

    Drejtorët e dorëhequr në Shkodër

    Në Shkodër janë dorëhequr nga detyra 7 drejtorë. Ende nuk janë te qarta arsyet pse 7 drejtorë dhanë dorëheqjen por vendimet e tyre tashmë janë bërë edhe pubilike.

    Lista e Drejtorëve të dorëhequr në Shkodër:
    Kadri Ymeri – Drejtor i DAR Shkodër
    Ardian Dajti – Drejtor i Spitalit të Shkodrës
    Mustaf Kraja – Drejtor i Bujqësisë Shkodër
    Luan Heta – Drejtor i HEC Vau Dejës
    Edmond Emini – Drejtor i Postës Shkodër ( Kryetar i PS Shkodër )
    Agim Dardha – Drejtor Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër
    Astrit Beci – Drejtor i Shëndetit Publik Shkodër.

Shto Koment