Ekonomi

Analizat e ushqimeve te privati/ Delegacioni i BE ‘shuplakë’ Çuçit: Kemi investuar në Shqipëri, shteti të kryejë shërbimin

Dosja.al kontaktoi me delegacionin e BE ‘via e-mail’. Të pyetur se a bie ky urdhër ndesh me direktivat e Bashkimit Europian, delegacioni i BE u përgjigj se transferimi i këtij shërbimi tek privati, duhet të ketë një analizë ekonomike transparente, si edhe një kuadër rregullator që shmang konkurrencën e pandershme.
Featured image of article: Analizat e ushqimeve te privati/ Delegacioni i BE ‘shuplakë’ Çuçit: Kemi investuar në Shqipëri, shteti të kryejë shërbimin Bledi Cuci, delegacioni i BE dhe pamje ilustruese

TIRANË- Disa javë pas urdhërit të ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi për t’i kaluar analizat laboratorike të ushqimeve, ky koncesion ende nuk është transparent për shqiptarët. Ishte ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili tha se ky akt del edhe kundër normativave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, që ka investuar para për sigurinë ushqimore në Shipëri. Për të mësuar më shumë për qëndrimin e Bashkimit Europian në Tiranë, lidhur me këtë vendim të ministrit Çuçi, Dosja.al kontaktoi me delegacionin e BE ‘via e-mail’. Të pyetur se a bie ky urdhër ndesh me direktivat e Bashkimit Europian, delegacioni i BE u përgjigj:

“Urdhri në vetvete nuk është kundër direktivave të BE-së. Sidoqoftë, transferimi i analizave laboratorike mbi kontrollet zyrtare duhet të bazohet në:

  • Një politikë të qartë të sigurisë ushqimore, përfshirë sistemin laboratorik,
  • Analiza ekonomike transparente,
  • Një kuadër rregullator që mbulon marrëdhëniet midis shtetit dhe subjekteve të tjera të autorizuara për analiza laboratorike, përfshirë tarifat, përgjegjësinë e ofruesve të shërbimeve, marrëveshjet kontraktuale, komunikimin me organet publike, etj., për të shmangur jo vetëm konfliktin e interesit, por edhe konkurrencën e padrejtë.”

Pyetjes, se meqënëse BE ka investuar para në Shqipëri për laboratorët shtetërorë, delegacioni thekson se po e monitoron nga afër këtë çështje.

“BE-ja është shumë e lidhur me qëndrueshmërinë e investimeve të veta dhe synon ta monitorojë nga afër këtë çështje. BE-ja pret që laboratorët në pronësi të shtetit të vazhdojnë të kryejnë shërbimet e tyre për nivelin dhe testet për të cilat janë caktuar, ndërsa strategjia në pritje e laboratorëve duhet të aprovohet sa më shpejt, në mënyrë që të përmirësohet konteksti i politikës më të gjerë të sigurisë ushqimore.”-thuhet në përgjigjien e delegacionit.

Për Mbrojtjen e Konkurrencës, BE thotë se legjislacioni shqiptar është në përputhje me atë të BE, dhe shton se përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit e ka AKU.

“Ligji shqiptar për Mbrojtjen e Konkurrencës duket se është në një masë të madhe në përputhje me nenin 101 mbi marrëveshjet kufizuese dhe nenin 102 mbi abuzimet me pozitën mbizotëruese të TFEU-së (Traktati mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian). Legjislacioni sekondar gjithashtu paraqitet gjerësisht në përputhje me rregulloret përkatëse të BE-së dhe udhëzimet e Komisionit. Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës (ASHK) është përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.”

Ministri i Bujqësisë ka lëshuar një urdhër disa javë më parë, i cili detyron Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që analizat ushqimore të kryhen në një laborator privat. Urdhri parashikon që analizat do të kryhen deri në nëntor të vitit 2022. Kjo është hera e parë që ministria i jep këtë të drejtë shërbimi për disa vite një subjekti privat, pasi deri më tani, këto analiza bëheshin nga AKU në bashkëpunim me Institutin e Sigurisë së Ushqimit. Kundërshtimi nga ana e drejtorit të AKU, Agron Hetoja, ka sjellë edhe shkarkimin e tij, duke mos e mbajtur dot më shumë se 8 muaj këtë post.

(F.g/dosja.al)

Një Koment në “Analizat e ushqimeve te privati/ Delegacioni i BE ‘shuplakë’ Çuçit: Kemi investuar në Shqipëri, shteti të kryejë shërbimin

  1. Mos u beni merak se nuk e gjen gje burrin e ish gruas se Edi Rames. Investimi I BEse ashtu si shume Te tjera ka shkuar dem dhe nuk besoj se merakoset njeri ne Qeveri apo PS…

Shto Koment